Kostandini, 6 javë në Nju-Jork me riciklimin e historisë

May 17, 2011 | 9:36
SHPËRNDAJE
Artistja fituese e konkursit “Ardhje”, Ledia Kostandini

Për shumë prej tyre, realiteti është i pamëshirshëm. Çdo gjë e pastër është e destinuar të ndotet ose të zhduket.Për të tjerë nuk është veçse një riciklim historie. Janë të rinj, megjithatë shenjat e periudhës së lodhshme të tranzicionit i ndiejnë në lëkurë dhe ata nuk bëjnë dot ndryshe, veçse të reflektojnë atë çka përjetojnë në krijimtarinë e tyre. E tillë ishte edhe puna e fitueses së edicionit të pestë të Çmimit për Artin Bashkëkohor, “ARDHJE 2011”, Ledia Kostandinit. Ajo u paraqit në këtë konkurs të përvitshëm me dy tablo, vaj në kanavacë, me titujt “Drejt Europës” dhe “Çlirimi”, ku ajo monton dy kohë. Është atmosfera e festave në kohën e diktaturës, e ushtrimeve të manifestimit nëpër stadiume, ndryshojnë vetëm vitet dhe sloganet. “Të gjitha këto, mund t’i konsideroj vetëm si një reflektim përmbi jetën aktuale, e cila si atëherë, fatkeqësisht duket e lidhur ngushtë me përjetimet e ngjarjet politike. Shpesh më duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të raportit politikë-popull dhe sidomos në lidhje me manipulimet që bëhen në kurriz të këtij të fundit. Historia përsëritet si një «deja vu» në skena të shumta. Euforia politike është ndonjëherë ajo që jo vetëm mbulon të vërtetën, por edhe mund të luajë padrejtësisht me ëndrrat e njerëzve. Punët u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Alessandra Pioselli, kuratore dhe drejtore e Akademisë së Arteve “Carrara” në Bergamo, Itali, Vladimir Myrtezaj, artist dhe profesor i Atelierit të Multimedias në Akademinë e Arteve në Tiranë, si dhe Stefano Romano, artist, kurator dhe profesor në “Universitetin Polis” në Tiranë.
Konkursi

"Drejt Europës” pune e Ledia Kostandinit

Mbas një periudhe intensive grumbullimi, shqyrtimi të prurjeve dhe takimesh me artistët, për të pestin vit me radhë u zhvillua dje Grand Finales së Çmimit për Artin Bashkëkohor, ARDHJE 2011. Mes 36 artistësh, aplikues në këtë edicion, ekipi përzgjedhës dhe kuratorial, i përbërë nga Zef Paci, Tina Finnäs dhe Valentina Koça përzgjodhi vetëm shtatë prej tyre, të cilët me një shumësi punësh në mediume të ndryshme, kryesisht në videoinstalacione, konkurruan mes tyre për rezidencën artistike 6 javore në New-York City. Ata janë Armando Lulaj, Ilir Kaso, Ledia Kostandini, Olson Lamaj, Silva Agostini, Sokol Peçi dhe Yllka Gjollesha. Punët e shtatë artistëve pjesëmarrës në këtë edicion të pestë priren të analizojnë fenomene e problematika të sotme. Nisen nga  këndvështrime të ndryshme, herë të impenjuara fort nga ana social-politike e herë më larg tyre, herë duke u nisur me sytë kah realiteti aktual, e herë kah e kaluara, duke parë se si pulson ajo herë si nënshtresë nën një kore, e herë krejt në sipërfaqe. “Thellë-thellë, duket si një hulumtim mbi një realitet që është apo duket në ndryshim. “Ardhje 2011” përvijohet si një sprovë për të reflektuar mbi problematikat dhe mënyrat e shprehjes, të gjitha këto të shfaqura shumëzërash. Punët tregojnë se përvoja jonë ka ardhur duke u pasuruar prej teknologjive, mediumeve e gjuhëve të reja. Ato kërkojnë zgjidhje të ndryshme teknike, por edhe ofrojnë mënyra të reja të menduari, duke na bërë të rimarrim në konsideratë perceptimin, historitë që i tregojmë vetvetes dhe vetë imazhin, si një fenomen aq kompleks sa nuk mund t’i gjenden lehtë sinorët”, thonë organizatorët e këtij edicioni.
Pjesëmarrësit

"Clirimi" pune e Ledia Kostandini

Artistja Yllka Gjollesha është paraqitur me tre videoinstalacione me titujt “Hëna”, “Pëllumbat” dhe “Telat”. Artistja përpiqet të na ofrojë një moment romantik në një realitet tërësisht prozaik.  Silva Agostini, e cila operon më së shumti në fushën e fotografisë, është paraqitur me një fotografi ku paraqitet një pishinë e zbrazët në buzë të Adriatikut dhe me një video titulluar “Responding environs”, ku paraqitet tharja e një pellgu me ujë. “Kushtet natyrale, limitimi i teknologjisë, dhe narracioni i reduktuar  në minimum janë elementet që unë kam përdorur për të vënë në skenë një peizazh që duket sikur konsumon vetveten. Aty dominon ndjesia e diçkaje në mbarim”, thotë ajo. Vargjet e famshme të Shekspirit vënë në gojën e Hamletit: “Kjo bot, u shthur; o prapësi, o dreq!/ Që unë paskam lindur të të ndreq.”, kanë qenë frymëzimi për punën “Time out of Joint”, të artistit Armando Lulaj. Në video instalacionin e Lulajt realiteti vjen në formën e një shtylle të madhe akulli që është shfaqur mistershëm në mes të një pirgu plehrash jashtë Tiranës. Ky obelisk rrëzëllues, në mes të atij ambienti të pisët, fillon të shkrijë ngadalë, për t’u kthyer në ujë e pastaj në baltë. Punët e tjera janë “Akt”, “Falë mirësisë së artistit”, “Të fshehësh një pemë në pyll” dhe “Akt nëpër qytet”. Artisti dhe pedagogu i Akademisë së Arteve, Ilir Kaso, u paraqit me videon 12-minutëshe “Timing” dhe 3 videoanimacione pak sekondëshe: “Fëmija”, “Zogu” dhe “Kali”. Olson Lamaj u paraqit me videon “Fotongrënësi” dhe një cikël fotografish; “Vështrim i veçantë”, “Peisazhe urbane”, “Pa titull” (1, 2, 3). Ndërsa Sokol Peçi konkurroi me tre video; “Njëmijë ëndrra brenda një ëndrre”, “Pa Titull” dhe “Million of dreams inside one dream”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura