Kosovë-Serbi, pakti i parë do të firmoset në qershor

May 31, 2011 | 10:50
SHPËRNDAJE

Koordinatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, paralajmëroi se Prishtina dhe Beogradi do të nënshkruajnë shumë shpejt një pako marrëveshjesh në fushat që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë dhe energjisë.Sipas Radio Evropa e Lirë, Tahiri u shpreh optimiste se do të arrihen marrëveshje edhe për telekomunikacionin, regjistrat civilë e kadastralë, si dhe diplomat shkollore e universitare. Edhe pala serbe u shpreh optimiste se marrëveshjet e para do të arrihen nga mesi i qershorit. Dialogu Prishtinë-Beograd, sipas palëve në bisedime mund të prodhojë një pako marrëveshjesh diku nga mesi i muajit qershor. Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se ka një përparim të dukshëm në dialogun e filluar, duke përmendur më pas edhe një varg çështjesh për të cilat pritet të arrihen marrëveshje. “Pritet që para pushimeve verore të kemi një pako marrëveshjesh, që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, përkatësisht njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga Serbia. Pastaj, do të ketë marrëveshje për çështjet e energjisë e besoj edhe për ato të telekomunikacionit, si dhe për çështjet e regjistrave civilë, kadastralë e për njohjen e diplomave shkollore dhe universitare”, tha Tahiri.
Edhe pala serbe pret që marrëveshjet e para eventuale Prishtinë-Beograd të arrihen gjatë muajit qershor. Sekretari në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se nëse nuk ka një marrëveshje gjatë qershorit, atëherë teknikisht është e pamundur të ketë një marrëveshje gjatë verës, për shkak të pushimeve verore. “E kam paralajmëruar që është e mundshme (arritja e marrëveshjes), duke pasur parasysh që qershori është muaji i fundit i punës në pjesën e parë të vitit. Gjatë muajit të 7-të dhe të 8-të, askush nuk punon në administratën e Bashkimit Europian. Do të thotë para verës, para pushimeve, ne kemi vetëm një mundësi për marrëveshje, gjatë takimit që do të mbahet nga mesi i qershorit”, tha Ivanoviç.   Ndonëse i paralajmërojnë marrëveshjet gjatë qershorit, të dyja palët insistojnë që mes këtyre marrëveshjeve nuk do të shkelin kushtetutat e vendeve të tyre. Tahiri tha se për palën kosovare parimet e arritjes së marrëveshjeve me Beogradin mbeten të njëjtat, që nënkuptojnë se ato duhet të respektojnë rendin kushtetues-juridik të Republikës së Kosovës. “Marrëveshjet që do të pranohen nga ne do të jenë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në harmoni me parimet euro-atlantike”, theksoi Tahiri. Nga pozicioni i vet nuk ka lëvizur as pala e Beogradit. Duke mos e njohur Kosovën, qeveria e Serbisë, sipas Oliver Ivanoviçit, pret që me marrëveshjet eventuale të mos njihet në asnjë mënyrë subjektiviteti i shtetit të Kosovës.  “Ka një parim që ne e përcjellim nga fillimi. Do të thotë, çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ne nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës pa marrë parasysh çmimin. Domethënë, në asnjë mënyrë ne nuk e bëjmë atë. Kurse, zbatimin e bëjnë të dyja palët dhe Bashkimi Europian”, u shpreh Ivanoviç.

Gati reforma e sistemit zgjedhor

Përfaqësues vendës e ndërkombëtarë thanë dje se reforma e sistemit zgjedhor në Kosovë është e vetmja rrugë për shmangien e gabimeve që kanë ndodhur në zgjedhjet e deritashme. Këto komente u bënë gjatë një debati lidhur me zgjedhjet dhe mësimet që duhen nxjerrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u shoqëruan me shumë parregullsi. Ish-kandidati për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Howard Dean, aktualisht pjesë e këshillit të drejtorëve të Institutit Kombëtar Demokratik, tha se dallimi ndërmjet demokracisë që funksionon dhe demokracisë që dështon, është aftësia e atyre që janë në udhëheqje, për t’i vendosur interesat e shtetit para atyre politikë. “Kjo organizatë është e gatshme të ndihmojë ndryshimet në sistemin zgjedhor, por jo edhe për të zgjedhur sistemin e duhur.” Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova aktualisht ka filluar një proces ndryshimesh në sistemin zgjedhor, në përpjekje për të shmangur gabimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura