Kosovë, kërkohet gjykim i shpejtë i Haradinajt

May 31, 2011 | 17:12
SHPËRNDAJE
Ramush Haradinaj

PRISHTINE- Deputetët e Kuvendit të Kosovës i bënë sot thirrje Tribunalit të Hagës ta përshpejtojë rigjykimin e pjesshëm ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa institucioneve shtetërore iu kërkua mbështetje për kreun e AAK-së dhe dy të akuzuarit e të tjerë, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj. Kuvendi i Kosovës mbajti sot një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur më këtë çështje, ku deputetët thanë se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht rekomandimet e iniciuara nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me rigjykimin e pjesshëm të kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht gjendet në Tribunalin e Hagës.

Pas një diskutimi rreth tre orësh, të 70 deputetët e pranishëm mbështetën iniciativën, me të cilën, “duke besuar në pafajësinë e zotit Haradinaj e bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, Tribunalit të Hagës i kërkohet zhvillimi i një procesi gjyqësor të qartë, të drejtë e të shpejtë ndaj Hardinajt, Balajt e Brahimajt.

Ndërsa, Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare në vend, u kërkohet përkrahja institucionale, juridike e materiale për të akuzuarit, raport REL.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura