Korrupsioni si marrëveshje e krimit shtetëror

Nov 30, 2013 | 10:39
SHPËRNDAJE

SPARTAK NGJELA

  Po ndjek me vëmendje të gjitha skandalet në Drejtësi. Gazetaria është shumë e dobët, sepse nuk është në gjendje të bëjë dallimin midis krimit shtetëror dhe korrupsionit të thjeshtë. Ngjarjet nuk merren të shkëputura kur është fjala për organet publike: Gjykata, Prokuroria dhe Policia. Këto, duke qenë të pavarura, ose janë kundër krimit, ose janë të bashkuara me të. Në Shqipëri prej njëzet vjetësh ato kanë qenë dhe janë të bashkuara me krimin.

Mitmarrja, që shihet si një “pagesë” për drejtësi, është naivitet të konsiderohet e tillë, sepse ajo është pjesë e plotë e marrëveshjes së grupimit të krimit shtetëror. Marrëveshjet në krimin shtetëror janë gjithmonë të heshtura. Por janë marrëveshje. Organet publike, kur kanë liruar apo shfajësuar tre apo katër ministra, nuk janë paguar, por kanë zbatuar marrëveshjen. Pikërisht kjo marrëveshje është, në fakt, bërthama ose nukli i krimit shtetëror; sepse këtu, brenda kësaj, vjen e inkorporohet edhe klientela që, në fakt, bën lidhjen midis tregut dhe krimit shtetëror.

Prandaj deri më sot, si pasojë e marrëveshjes së përmendur, tregu, qeveria dhe organet publike kanë siguruar pushtetin dhe paratë me anë të kësaj marrëveshjeje, rrjedhshëm si pagesa që në treg i bëhen klientelës, që klienti pastaj paguan ministrin apo Kryeministrin, ose familjen e Kryeministrit, dhe që, më në fund, Gjykata, në të gjitha shkallët e saj, i mbron nga ndonjë aksident kapës që vjen nga media apo individi i viktimizuar. Kjo është gjendja jonë, dhe është naive të mendohet se nga kjo gjendje të mund të dilet me fjalime ose me disa artikuj patetikë gazetash që nuk e njohin provën dhe nuk e dinë se bashkëpunimi është marrëveshje dhe që, marrëveshjen që ekziston në Shqipëri, nuk ka ende ndonjë organ që mund ta zhbëjë duke ndëshkuar krimin. Sipas asaj që shpreha, sot drejtësia është pamundësi absolute në Shqipëri. Padrejtësia sot është fenomeni parësor i shoqërisë shqiptare.

Por, a ka mundësi që të dalim nga kjo gjendje? Shkalla e vështirësisë duhet të jetë e barabartë me shkallën e vullnetit; dhe, rrezikshmëria e krimit duhet të jetë e përballueshme nga forca e opinionit publik. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një marrëveshje midis popullit dhe politikës, në mënyrë që të shkallmohet marrëveshja midis klientelës kriminale dhe organeve publike. Politika, ka qenë edhe ajo në këtë marrëveshje; dhe, nëse do të vazhdojë që edhe kjo qeveri të jetë pjesë e marrëveshjes kriminale, shoqëria shqiptare do të shkojë drejt një shkatërrimi gradual të vlerave morale, ose drejt një revolte të përgjithshme.

Do ketë apo nuk do ketë një vazhdim në marrëveshjen e krimit shtetëror, kjo do të duket nga reformat që do të merren. Reforma duhet të fillojnë menjëherë; dhe reformë do të thotë ligj, dhe jo zëvendësime njerëzish.

Ligji që lind reformën duhet të krijojë moralitetin në qeverisje dhe në drejtësi. Dhe, nëse do të kishim një test për të thënë se do të ketë një reformë në Shqipërinë e sotme, ai test është vetëm një: Përgjegjësia. A do të tregojë përgjegjësi kundrejt vlerave morale kjo maxhorancë dhe kjo qeveri? Nga shenjat e deritanishme ende nuk kemi një test si ky.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura