Korçë: Qendra e Kulturës, emërohet drejtori i ri

Jul 31, 2012 | 11:47
SHPËRNDAJE
Galeria e Arteve Figurative në Korçë

KORÇE – Pas pezullimit të drejtorit së qendrës kulturore “Vangjush Mio” në Korçë, një tjetër artist është caktuar në këtë post. Kryebashkiaku Peleshi ka komanduar kompozitorin Grigor Çani. Kreu i Bashkisë së qytetit juglindor ka firmosur një urdhër ku Çani emërohet si drejtor dhe do të qëndrojë përkohësisht në krye të qendrës kulturore, deri në përfundimin e hetimeve, por edhe gjykimit të Vladimir Topit. Titullari i ri është vendosur pasi ndaj ish-drejtorit Topi u la masa e sigurisë “arrest shtëpiak” për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me skandalin e zhdukjes së 55 pikturave nga fondi i galerisë “Guri Madhi”. Çani pritet të nisë punën si epror i Qendrës Kulturore ditën e sotme. Pezullimi i Vladimir Topit ka ardhur nga kryebashkiaku Niko Peleshi, pas masës arrest shtëpie që vendosi Gjykata më datë 26 korrik. Ai u akuzua për shpërdorim detyre nga ana e Gjykatës së Korçës, ndërsa ende nuk dihet fati i 55 pikturave, ku 27 prej tyre i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. Po ashtu, Gjykata ka lënë në arrest shtëpie për zhdukjen misterioze të pikturave nga fondi i Galerisë së Arteve Figurative në Korçë edhe ish-përgjegjësin e këtij fondi, Sotiraq Xega, po ashtu nën akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë periudhës kur ishte funksionar i këtij institucioni. Sipas burimeve nga Prokuroria e rrethit, ata u morën në pyetje si personat që kanë pasur akses në ambientet ku ishin magazinuar krijimtaritë artistike, qeramikat dhe punimet artizanale të rajonit juglindor.                             dh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura