Korçë, braktiset nga i ati fëmija i Erjola Dinoshit

Jan 31, 2012 | 14:40
SHPËRNDAJE
Viktima Erjola Dinoshi

KORÇE – Është quajtur Erjon foshnja e Erjola Dinoshit, 21-vjeçares e cila vdiq në maternitetin e Korçës më 6 janar. Edhe pse i ka shpëtuar rrezikut për jetën, duket se nuk do të gëzojë kujdesin e familjarëve. Babai i fëmijës ka vendosur për ta lënë në duart e shtetit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ndodhet. Mjekët sqarojnë se tashmë fëmija është kuruar dhe ka nevojë për ambientin familjar. Resmie Ibi, mjeke neonate, njëra prej mjekëve që ka ndjekur në vijimësi gjendjen e fëmijës, ka sqaruar: “Fëmija, i lindur më 6 janar, ka pasur probleme për shkak të konvulsioneve gjatë lindjes. Për këtë arsye është mbajtur nën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe së fundi i ka shpëtuar edhe rrezikut për jetën. Tani për momentin fëmija ushqehet me qumësht artificial dhe është mirë, por ka nevojë për ngrohtësinë familjare”, tha mjekja. Edhe pse Fatos Dinoshi ka vendosur ta lërë fëmijën në jetimore, ai thotë se do t’i shkojë deri në fund për të zbuluar të vërtetën e vdekjes së të shoqes. “Nuk kam mundësi ekonomike për ta rritur pasi në shtëpi kam edhe një djalë tjetër 2-vjeçar dhe me mungesën e Erjolës është tepër e vështirë. Fëmijën do ta lë në duart e shtetit dhe le të kujdeset ai për të. Unë dua që të zbardhet vdekja e Erjolës, dua që të vihen para përgjegjësisë dhe këtë do ia kërkoj edhe Avokatit të Popullit. Nuk gjej qetësi nëse drejtësia nuk vihet në vend. Ose të veprojnë ligjet, ose në të kundërt do veproj vetë”, është shprehur, duke arritur deri në kërcënimin për vetëgjyqësi, bashkëshorti i të ndjerës.                                    dh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura