Konsensusi si qasje patriotike

Jul 28, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

Luan-Rama2LUAN RAMA

Shqipëria ka mbërritur në një pikë kritike ku konsensusi politik që i parapriu votimit unanim, apo thënë në shqip që u konkretizua me mbivotimin e 140 deputetëve të Kuvendit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i çelën rrugën reformës në drejtësi, duhet të dëshmojë seriozitet, përgjegjshmëri dhe kohezion në qasjen e vet në procesin e jetësimit të kësaj reforme, duke respektuar kësisoj standardin e krijuar.

Në të kundërt, duartrokitjet dhe përqafimet në sallën e Kuvendit, pasi u votuan ndryshimet kushtetuese mesnatën në të kapërcyer të datave 21 e 22 korrik, do të rezultonin të pavlera. E në këtë kontekst, zgjidhja mund të vijë nga një fjalë e vetme: besim ose mirëbesim. Pyetja shtrohet: Si do të vijojë të jetë Shqipëria paskëtaj? Tani që kemi një Kushtetutë të ribërë në nyjet themelore, siç është raporti mes pushteteve apo raporti mes sovranitetit dhe ndërvarësisë, a do të vijojë kjo si zgjidhje sinergjike?

Apo zgjidhja e vetme do të vijojë të mbetet edhe për më tej besimi dhe mirëbesimi, pra konsensusi? E natyrisht, kur flas për besimin, përkatësisht mirëbesimin, assesi nuk e kam fjalën për besimin te ndonjë fuqi hyjnore, po për besimin te një aleat me rol lidershipi botëror si SHBA, partneri strategjik i Shqipërisë. A ka arsye që shqiptarët të dyshojnë në frytshmërinë e një zgjidhjeje amerikane për gjendjen e sotme në Shqipëri? Që në shqiptimin e kësaj pyetjeje, kemi pranuar se nuk kemi të bëjmë me një çështje vetëm shqiptare.

Sepse çështja e dështimit të demokracisë parlamentare është edhe çështje e aleatëve tanë, dhe në radhë të parë e SHBA. Shqipërisë historikisht i ka munguar një aleat strategjik, siç kishte fjala vjen Greqia Britaninë apo Serbia Rusinë. Fati i shqiptarëve nisi të ndryshojë për mirë qëkur SHBA u bënë të pranishme gjeopolitikisht në shqetësimet, luftërat dhe paqet europiane. Nëse shekulli XXI është quajtur shekulli i shqiptarëve, kjo lidhet para së gjithash me nismat dhe veprimet amerikane në rajon.

A ka ndonjë fuqi tjetër politike që të ketë dëshmuar kaq shumë miqësi, interes e mbështetje për shqiptarët? Së paku që prej shpalljes së parimit të vetëvendosjes së popujve nga presidenti Willson jo. SHBA kanë hyrë në luftëra lokale për hir të shqiptarëve.

Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë në histori. Të gjitha faktet janë të tilla që na çojnë në përfundimin se asgjë e keqe nuk mund t’u vijë shqiptarëve prej një zgjidhjeje amerikane. Ndaj ajo që u arrit e demonstrua me votimin konsensual të ndryshimeve kushtetuese, duhet të jetë praktika e sjelljes sonë politike e parlamentare në tërë procesin e jetësimit ose të realizimit të reformës në drejtësi.

Në këtë mënyrë ne do të dëshmojmë se votimi konsensual nuk u arrit sa për t’u bërë patriotë për një natë, por se e konsiderojmë konsensusin realisht kontribut patriotik për vendin. E duke iu referuar sërish besimit apo mirëbesimit, konsensusi për reformat e mëdha është ndërkaq edhe gjest respekti për aleatët dhe partnerët tanë të mëdhenj, të cilët e mbështesin dhe e inkurajojnë konsensusin si vlerë të patjetërsueshme në pluralizëm në stadin e zhvillimeve në të cilat gjendet Shqipëria, për të evituar konfliktualitetin, ndasitë e mosbesimin.

Reformat e mëdha, dhe e tillë është edhe reforma në drejtësi, udhëhiqen prej liderësh reformatorë e vizionarë. Prandaj realizimi i tyre me konsensus duhet parë si shërbim patriotik ndaj vendit, për të garantuar stabilitetin e nevojshëm dhe legjitimitetin e domosdoshëm, për të dëshmuar integritet dhe përkushtim në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian të vendit. Po për të ruajtur e konsoliduar konsensusin, një rëndësi parësore merr dialogu politik.

Jo vetëm për miratimin e ligjeve të radhës që pasojnë ndryshimet kushtetuese dhe që kanë të bëjnë me hapin e vijues për realizimin e reformës në drejtë- si, po edhe për çështje të tjera parësore që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit, me konsolidimin e demokracisë funksionale dhe të institucioneve kushtetuese, me reformën zgjedhore dhe integrimin europian, dialogu politik duhet të udhëhiqet kah konsensusi.

Martin Luter King ka thënë: “Një lider i vërtetë nuk është një kërkues i konsensusit, por një gatues i konsensusit”. Është koha që lidershipi politik i vendit të dëshmojë që ka zotësinë ta gatuajë konsensusin. Në këtë rast kostoja nuk përligj asnjë lloj kryeneçësie apo papjekurie politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura