Konkurrenca pa kufi

Jul 31, 2013 | 12:49
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA

  Konkurrenca pa kufij po ia merr shpirtin këtij vendi.
Doni një shembull: Dyqanet e lagjes sime. Brenda një rrugice rreth 40 shitës perimesh. Pra, nëse xhiroja e lagjes në muaj do të ishte 40 njësi, përpjesëtimisht secili nga shitësit fiton vetëm një njësi.
Pra, nëse çdo shitësi dhe familjes së tij i duhet 1/2 njësi financiare në muaj për të jetuar dhe 1/2 për të blerë perimet te grosisti për me i shit, atëherë nuk është për t’u çudit që asnjëri nuk ndërton dot një dyqan për të qenë.
Ja pse ne kemi 40 shitës dhe asnjë shitore.
Ja pse 40 shitësit nuk kanë klientë, sepse ata duke qenë banorë të lagjes, nuk kanë veçse minimumin e lekëve për të blerë ose nuk blejnë fare.
Po qe se do të kishim vetëm dy shitës, ata do të kishin mundësi për rrjet të vërtetë tregtie.
Po 38 të tjerët ku do të punonin? Ata dhe kështu bëjnë sikur punojnë. Nuk falimentojnë kurrë. Kurse po të ishin vërtet pa punë, do të detyronin fuqinë publike të hapte vende pune.
Ne sot kemi të punësuar të papunë. Statistikat duken në rregull.
Por, kemi një mashtrim gjigant.
Ja pra çfarë na bën konkurrenca pa rregulla loje. Bashkia duhet të ndalojë tregtinë e lirë. Kujdes, të lirë në kuptimin që kushdo, kur i teket, me kushtet mizerabël, i rrëmben klientelën fqinjit të vet.
Ja sa keq dimë ta përdorim konkurrencën dhe lirinë e tregut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura