Kongoli: S’ndihem fajtor për Hysenilin, por për djemtë e tij

Jun 30, 2011 | 11:06
SHPËRNDAJE
Shkrimtari Fatos Kongoli

Me zyrat e hetuesisë Fatos Kongoli nuk do të ndahej vetëm me një takim. Ai u thirr sërish, ku iu desh t’u përgjigjej pyetjeve nga më të ndryshmet, që lidheshin me njohjen e tij me Hysenil Dumen, kolegun e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, të cilin e arrestuan në verën e vitit 1981. Në librin e tij “Iluzione në sirtar” Kongoli tregon pyetje-përgjigjet me hetuesit dhe dëshmitë e tij “pa peshë”. Por që renditeshin në listën e akuzave kundër Dumes. Ndër të tjera del në dritë edhe një ditar i Hysenil Dumes, rënë në duar të Sigurimit e ku ai kritikonte Enver Hoxhën.

…vijon nga numri i kaluar

Në brendësi të godinës së burgut, nga kati përdhes e deri sipër, te “zyra” e hetuesit vinte një erë e rëndë, e neveritshme. Vite më vonë, pas përmbysjes së diktaturës, kur u ktheva prapë për ca kohë në gazetën “Drita”, m’u dha mundësia përmes një lejeje të posaçme të futesha edhe një herë atje për një reportazh. Synimi i gazetës ishte një shikim i gjendjes së të paraburgosurve në Burgun 313 dhe i atyre që tashmë vuanin dënimin në një burg diku, nga zona e Varrit të Bamit. Tek ky i fundit pata rastin të takoja një numër grash të dënuara për krime të ndryshme, disa prej të cilave për vrasje makabre të bashkëshortëve. Atëherë, në vitet e para të përmbysjes së diktaturës, po tregohej vëmendje për të drejtat e të burgosurve, kushtet e vuajtjes së dënimit. Më parë këto kishin qenë çnjerëzore. Kur shkrova reportazhin, bashkë me kolegen Briseida Mema, kishin nisur të bëheshin ca ndryshime për mirë, sidomos tek burgu i grave, ndërsa te Burgu 313 kushtet mbeteshin po ato të epokës së diktaturës, të tmerrshme. Këtë e pashë me sytë e mi. I shoqëruar nga policë, zbrita edhe në katin e poshtëm, te birucat. Llahtarisht të vogla, me një WC kolektive llahtarisht të pistë. Në katin e birucave, era e rëndë në kujtoi pas shumë vitesh erën që më kishte shoqëruar dikur tërë kohën brenda asaj godine, i thirrur nga hetuesi Dh.Sh.. Dhe mendova se atëherë Hysenil Dumen duhet ta kishin mbajtur në njërën nga këto biruca si vrima urithësh.
Ballafaqimi në burg me kolegun tim më erdhi i papritur. Ai u shfaq në kuadratin e derës i shoqëruar nga dy gardianë, i zbehtë, pa syze, me pranga në duar. E urdhëruan të ulej në një karrige pranë derës. I hoqën prangat dhe i dhanë syzet. Ndërkaq, unë isha zhvendosur përbri tryezës, në një pozicion prej nga, në një farë largësie, u ndodha përballë Hysenilit. Ky zuri vend në karrige pa m’i hedhur sytë, nuk m’i hodhi as kur i dhanë syzet e kjo vazhdoi deri në fund të ballafaqimit. Shpesh kam vrarë mendjen të kuptoj pse Hysenili nuk m’i hodhi sytë për asnjë çast, por gjithë kohën komunikoi vetëm me hetuesin. Nga përçmimi ndaj meje? T’i tregonte hetuesit se çfarëdo që të pohoja unë për të nuk kishte vlerë? Apo, me shpërfilljen e tij deshi të më tregonte se ndiente keqardhje që ndodhesha atje për shkak të tij? Nuk e di.
Ai mohoi çdo thënie timen rreth bisedave tona për Dostojevskin, letërsinë shqipe, mohoi madje edhe episodin anekdotik të pikturës në muzeun e Pompeit me balancën, në njërën anë të së cilës ndodhej bota, në anën tjetër një penis, megjithëse, sipas meje, ato nuk formonin akuza rënduese ndaj tij, për shkak të të cilave të dënohej. Kjo më bëri përshtypje, u ndjeva keq, në pozicionin e njeriut që trillon, shpif gjëra të paqena. Unë vërtet nuk kisha trilluar, as shpifur gjëra që nuk i kishim biseduar midis nesh. Më bëri përshtypje edhe diçka tjetër: qëndrimi i qetë, sfidues i Hysenilit ndaj hetuesit. Kur ky i fundit po mohonte çdo gjë, Dh.Sh. ngriti fletoren-ditar, ia tundi në largësi, i tha se ajo fletore e zhyste deri në grykë. Hysenili iu përgjigj se ato ishin intimitete të tij, askush nuk kishte të drejtë t’i përdorte. Atëherë Dh.Sh. e grisi fletoren në dy copa, i hodhi në mënyrë demonstrative në koshin aty pranë, veprim vërtet qesharak, sepse copat mund të merreshin e bashkoheshin lehtësisht. Bëjmë edhe pa këto, i tha Hysenilit.
Pikërisht në atë çast të tensionuar Dh.Sh befas u ngrit, doli jashtë “zyrës”, mbylli derën pas vetes dhe na la vetëm. Sapo mbetëm vetëm, më shkrepi të komunikoja me Hysenilin, t’i thosha se më vinte keq për gjithçka po ndodhte. Nga ky veprim impulsiv me pasoja ndoshta fatale për mua, më shpëtoi Hysenili. Ndërsa unë nuk e pata në dorë të mos e hidhja vështrimin drejt tij, me shpresë se edhe ai do të shihte nga unë, Hysenili qëndroi i heshtur, me sytë përdhe. Sjellja e tij më shkundi, më solli në vete. Më dha të kuptoja se duhej të bëja të njëjtën gjë, në atë dhomë me siguri na vëzhgonin. Duke imituar Hysenilin, ula dhe unë kokën, zura të vështroja në dysheme, i ngrirë, i hutuar. S’jam në gjendje të them se sa zgjati ajo heshtje e nderë, kur edhe ai, ashtu si unë, këtë e ndieja në thellësi të qenies, dëshironte të më thoshte diçka. Më në fund, dera u hap, Dh. Sh. si aktor i keq u fut brenda me nervozizëm të shtirë, u thirri gardianëve të merrnin Hysenilin dhe, fill pas largimit të tij, tha se me mua kishte mbaruar punë.
Që nuk do të më arrestonin, u binda kur u ndodha jashtë, përtej derës së madhe prej hekuri të burgut. Kalimthi, te dhoma e vogël ku isha paraqitur në mëngjes, sytë më zunë një burrë, ish-shef i administratës në shtëpinë botuese, dalë prej ca kohësh në pension. Nuk ia mbaj mend emrin. Kush e di me kë do ta ballafaqonin, me Hysenilin apo ndonjë nga të arrestuarit e tjerë. Në shtëpinë botuese flitej se ai person, me post jo pa peshë dikur, kishte përfunduar në vendin modest të shefit të administratës së ndërmarrjes sonë, pasi ishte “djegur” për një histori qesharake dhe banale njëherazi me një femër. Fatmirësisht nuk më vuri re dhe unë u nguta të largohesha. Doja vetëm një gjë: të mbërrija në ndonjë lokal, të pija. E vetmja mënyrë për të mbledhur veten disi.
Për herë të fundit Hysenilin e pashë në sallën e gjyqit, ku isha një nga dëshmitarët. Shumë hollësira të atij gjyqi më janë fshirë. Kujtoj turbull se përsërita të njëjtat pohime të bëra në hetuesi dhe Hysenili i hodhi poshtë të gjitha. Po ka ca gjëra që më janë ngulitur, që nuk mund të harrohen.
Rendis në krye një fakt: gjyqtar i çështjes ka qenë një njeri i afërt për mua, Bashkim Xholi, bashkëshort i një kushërirës sime, vajzës së dajës së madh, Fatbardha Shabani, me profesion mjeke, vdekur përpara kohe, në moshë të re, nga një sëmundje e rëndë. Nisur nga njohja jonë, Bashkimi duket e gjykoi me vend të takoheshim para zhvillimit të gjyqit, dhe vërtet u takuam në lokalin “Flora”. S’më kujtohet, e kërkova unë takimin apo ai. Bashkimi ka qenë një tip i sjellshëm, me humor, së paku unë kështu e kam njohur, i prirë të bënte mirë, ndonëse i pafat me bashkëshortet: edhe gruaja e dytë me të cilën u martua pas vdekjes së kushërirës sime, vdiq në Amerikë ku ishin vendosur, s’di në ç’vit dhe në ç’qytet. Kur u takuam, duke përfituar nga lidhja familjare, nuk ngurrova t’i flas haptazi. I thashë se ndihesha shumë keq që detyrohesha të dilja dëshmitar në një gjyq kundër një kolegu. Bashkimi deshi të më jepte zemër. Dhe më shpjegoi se pozita e Hysenilit rëndohej nga pohimet në hetuesi të kolegëve të tij të arrestuar pothuaj njëkohësisht me të. Ai nuk më tregoi hollësira doemos, por fjalët dhe mirësjellja e tij nuk mjaftuan të më qetësonin. Deri në takimin me të, kisha ushqyer idiotësisht një iluzion, sikur do të ndodhte një mrekulli, e ai do të më shpëtonte në momentin e fundit, do të gjente një rrugë për të më shmangur nga gjyqi. Më kot! U ndava nga Bashkimi në një gjendje shpirtërore edhe më të rëndë.
Momenti i dytë i atij gjyqi, i pashlyeshëm në kujtesën time, lidhet me fëmijët e Hysenilit, dy djemtë e tij adoleshentë. I ndesha në sallonin e katit të poshtëm të godinës së Gjykatës, para se të fillonte gjyqi. “Kanë ardhur për të atin, mendova, të marrin vesh ç’do të bëhet me të”. Dhe një lukth m’u lidh në grykë. E pamundur të mos më kishin vënë re, u ndodhëm fare pranë, gati ballë për ballë. Po çfarë mund t’u thosha unë atyre, unë që po dilja dëshmitar në një gjyq, ku i ati do të shpallej fajtor e do të dënohej? Iu shmanga, zura të ngjisja shkallët dhe nuk i pashë më.
Hysenili vdiq vite më vonë, në Itali ku, me ç’kam dëgjuar, u shpërngul dhe u vendos familjarisht pas përmbysjes së diktaturës. Ndoshta gruaja e tij, edhe djemtë, vazhdojnë të ndodhen atje. Po ndoshta diku tjetër, mbase në Shqipëri, nuk di gjë. Kudo që të ndodhen, dëshiroj dhe uroj të jenë mirë. Me këtë rast, rreth tridhjetë vjet pas asaj ngjarjeje, ndër më shokueset në jetë për mua, dua të bëj një pohim.
Më vjen shumë keq për çka ndodhi, qëndrimi im mund të kishte qenë i ndryshëm, pra të mos pranoja të dilja për të dëshmuar në gjyq. E lehtë të thuhet me fjalë sot. Veçanërisht nga ata që nuk e kanë provuar në kurriz, të përkëdhelurit e përhershëm, të privilegjuarit e përhershëm të periudhës së diktaturës, të lidhur me regjimin me fije të ndryshme, të hapura apo të nëndheshme, të cilët nuk i ngacmonte askush etj. Por kjo është një temë tjetër. Këtu unë e ndiej të nevojshme të kërkoj falje dhe, lidhur me këtë, të bëj një sqarim.
Të them të drejtën, ndërgjegjja nuk më vret dhe aq për Hysenilin. Për mua, siç e kam thënë edhe më sipër, ai ishte një tip enigmatik, përderisa kryente detyrën e shefit të kuadrit dhe mbante lidhje të rregullta me operativët e sigurimit. Se kush e denoncoi dhe e futi në burg atë, për ç’arsye, e dinë rrufjanët që e burgosën, të cilët janë gjallë, shëndoshë e mirë, ecin krenarë e me kokat lart si dikur, pa iu futur gjemb në këmbë, ndër ta edhe ish ish-hetuesit persekutorë Dh.Sh. dhe V.M. për të ndjerin Hysenil, ndonëse, e përsëris, më ka ardhur gjithmonë keq për çka i ndodhi, nuk kam ndonjë vrasje në ndërgjegje, për arsyen e thjeshtë se nuk ndihem fajtor ndaj tij. Unë ndihem fajtor dhe u kërkoj të falur djemve të tij. Ata më dolën përpara kur shkoja në sallën e gjyqit të atit të tyre dhe unë nuk guxova t’i përshëndesja, në rrethanën e dhënë do të ishte e paturpshme t’i përshëndesja. Dy adoleshentë të pafajshëm, të mbetur zbuluar, që nuk dinin ç’bëhej në një botë të poshtër.

 

FATOS KONGOLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura