Konferenca shkencore e KLSH, Leskaj: Ndihmë për ekonominë

Oct 31, 2014 | 12:53
SHPËRNDAJE

Nga Konferenca e tretë Shkencore e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit për dy ditë rresht organizoi Konferencën e tretë Shkencore me fokus te tema “Auditimi kombëtar, në shërbim të qeverisjes kombëtare”.
Në panel, por edhe me kumtesa ishin mbi 120 të ftuar nga bota akademike, studiues dhe lëvrues të auditimit dhe të financave publike, përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të shumë vendeve europiane dhe më gjerë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Europian (DG-Budget). Në ditën e dytë të konferencës, i pranishëm ishte edhe Presidenti Bujar Nishani. Në fjalën e tij ai do të theksonte se është e rëndësishme që institucione të tilla si Prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive të bashkëpunojnë ngushtë për të evidentuar dhe ulur dëmin që i shkaktohet parasë publike. Nishani këshilloi për një dinamikë të re bashkëpunimi mes institucioneve kyçe të kontrollit dhe hetimit. Në fjalën e tij, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit vuri theksin në bashkëpunimin që ka pasur KLSH me institucione kryesore të auditit në vende të ndryshme, si dhe eksperiencën e marrë nga këto bashkëpunime. Për Leskajn eksperienca e huaj mund të shërbejë për gjetjen e rrugës së duhur të financave publike. “Ne e kemi kristalizuar konferencën shkencore me partnerët ndërkombëtarë për të pasur më shumë rezultate mes shkëmbimit të kumtesave dhe për të arritur objeksionin e konferencës shkencore që është auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes. Gjatë këtyre dy ditëve të konferencës, prezantimet e studimeve dhe kumtesat cilësore të përgatitura nga ekspertët ndërkombëtarë e vendës të auditimit publik, do të ndihmojnë audituesit tanë dhe jo vetëm ata, por dhe vendimmarrësit e administratës sonë publike të gjejnë rrugët e duhura që financat publike dhe ekonomia e vendit të shkojnë drejt përmirësimit të ndjeshëm të qeverisjes kombëtare dhe publike në shërbim të qytetarëve”, tha Leskaj në fjalën e tij. Edhe këshilltari kryesor i drejtorit të Përgjithshëm të DG-Budget dhe drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Komisionin Europian, Robert Gielisse, në fjalën e tij do të cilësonte se strategjia e re e zgjerimit të Bashkimit Europian e vendos në vijën e parë qeverisjen ekonomike dhe KLSH, si auditues i jashtëm publik, është gur themeltar i përmirësimit të qeverisjes.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura