Koncesionet, Braçe akuzon qeverinë

Sep 30, 2011 | 10:58
SHPËRNDAJE
Kryeministri Berisha dhe deputeti i PS, Erjon Braçe dje gjate interpelances ne Parlament

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, akuzoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë që ai drejton për afera të shumta korruptive dhe shitje të pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Kreu i qeverisë iu përgjigj dje për rreth 45 minuta një interpelance të kërkuar nga deputeti i opozitës lidhur me privatizimet në vend.
Braçe
Fillimisht ishte deputeti i PS-së, i cili, në parashtrimin e interpelancës renditi para Kuvendit një sërë takimesh të Kryeministrit Berisha me politikanë nga Serbia, Rusia dhe Azerbajxhani, që si synim kryesor kanë shfrytëzimin e pasurive të vendit tonë. “Të gjitha takimet kanë vetëm një pikë në përmbajtje: kërkesat e tyre për të shfrytëzuar pasuritë tona kombëtare dhe përgjigjen tuaj për t’ia plotësuar këtë qëllim! E njëjta zyrë, në një grup takimesh të tjera, ngjan me një shesh tregtie ku pasuritë kombëtare e të drejtat mbi to i ofrohen drejtpërdrejt çdo kompanie që ka shoqëruesin e duhur. Thuajse shumica e këtyre ‘takimeve’ përfundojnë të lumtura për palën kërkuese e shoqërohen me vendimmarrje nga ana e qeverisë. Nuk mbarojnë! Nuk ndalen! Një mandat i paqartë i më pak se gjysmës së shqiptarëve ju ka emëruar ‘administrator’, por nuk ju ka njohur si ‘pronar’ të pasurive të këtij vendi”, u shpreh Braçe.
Berisha
Në përgjigje të akuzave të ardhura nga deputeti i PS-së, Kryeministri tha se gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së koalicionit të djathtë janë respektuar kontratat e firmosura nga qeveria paraardhëse. “Kjo qeveri është qeveri e bazuar në ligje dhe këtë e ka faktuar në mënyrë të përsëritur. Por, nëse ju doni të vendosni kontratat që keni firmosur vetë, si hipotekë e kësaj qeverie, nuk është serioze. Ne kemi bërë një gjë, kemi respektuar kontratat, pavarësisht se kush i ka firmosur para nesh, pavarësisht se mund të kemi pasur vërejtjet tona të shumta. Por, unë që jam sot këtu, i detyruar, që për hir të dinjitetit të këtij vendi, të pranoj edhe borxhet antikushtetuese të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë dhe t’i paguaj ato”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “ju kërkoni të grisni kontratat që i keni firmosur ju dhe këtë ne nuk mund ta bëjmë, sepse ligji tregtar është ligj tregtar dhe ai nuk ka të bëjë me qeverinë, por ka të bëjë me të drejtat civile dhe tregtare të atyre që i firmosin, të cilat kanë vlerën e një të drejte kushtetuese në rrafshin civil”. Berisha mbrojti gjithashtu procesin e dhënies së koncesioneve të hidrocentraleve. Ai i kërkoi opozitës që të ngrejë një komision hetimor dhe të shohë nëse në dhënien e 220 koncesioneve është shkelur ligji.
Braçe
Pas dhënies së përgjigjeve të kreut të Ekzekutivit, deputeti i PS-së u ndal në gjashtë fusha për të cilat akuzoi qeverinë për afera korruptive: nafta, kromi, “Shqipëria 1 euro”, ari, komunikimet elektronike dhe asetet e trashëguara. Sipas Braçes, dy kompanitë e nxjerrjes së naftës, “Bankers Petrolium” dhe “Stream Oil”, që për shkak të veprimtarisë ekskluzive që kanë në vend, kanë rritur kuotat e tyre në bursë. Ai tha gjithashtu se këto kompani nuk e kanë paguar tatimin mbi fitimin. Sa i përket kromit, Braçe tha se “çdo minator paguhet me rroge e bonuse diku te 42 mijë lekë në muaj, pra rreth 300 euro. Për të marrë këtë pagesë, çdonjëri prej minatorëve duhet të plotësojë një normë pune ditore që arrin deri në 9 tonë mineral i nxjerrë në sipërfaqe. Çmimi aktual i kromit është 270 euro/ton. Në një ditë, një minator i jep kompanisë administruese 2430 euro, kompania i kthen minatorit vetëm 10 euro si rrogë. Pra, 243 herë më pak”. Deputeti i PS-së, iu referua gjithashtu dhënies së koncesionit të firmës “ATU” për shtrimin e firmave optike. “Ministri Olldashi ka vendosur në ‘kushtet e lejes’ edhe një përcaktim specifik. Në nenin 17, ‘transferimi i kësaj leje’, thuhet: ‘Subjektit Albanian Telecommunications Union sh.p.k, i lejohet pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit dhe vënies në eficiencë të tij, të transferoje tek të tretë, me miratim me shkrim të ministrit përgjegjës për rrugët, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj leje’. Edhe këtë! Kështu, interesi privat ka zhbërë statusin publik të ministrit Olldashi. Edhe pse paguhet nga para publike, të paktën në këtë rast, veprimet e tij kanë qenë thellësisht në shërbim të interesit privat”, tha Braçe. Ai tha gjithashtu se i vetmi socialist që ka firmosur kontrata koncesionare është ish-kryeministri Ilir Meta. “Gjithçka fola janë letra të qeverisë suaj. Ju përmenda socialistin e vetëm që është ish-kryeministri Meta. Ju po vendosni për ato që po lindin sot”.
Berisha

Berisha dhe Braçe dje në Parlament

Teksa deputetit të PS-së i kishte mbaruar koha prej 15 minutash dhe ende po fliste në foltoren e Kuvendit, Kryeministri Berisha u ngrit nga vendi i tij dhe iu drejtua foltores. Në atë momente Braçe po vazhdonte të fliste, ndërkohë që Kryeministri e shtyu, vuri të foltore dosjen e tij dhe i mori mikrofonin. Në këto momente, deputetit të PS-së nuk i mbeti gjë tjetër veçse të largohej nga foltorja teksa hasi pak vështirësi për të marrë edhe materialet që po lexonte. Pas largimit të Braçes, deputetët e PS-së, kanë duartrokitur gjatë, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e PD-së, pasi kryeministri mbaroi fjalimin. Në përgjigje të këtyre akuzave, Berisha tha: “Ke përgojuar si në kohërat më të errëta, investitorët e huaj, të cilëve unë dua t’i shpreh nderimin më të madh e mirënjohjen më të thellë që me investimet e punën e tyre trefishuan naftën dhe prodhimin e saj, trefishuan mineralet e prodhimin e tyre, trefishuan të ardhurat e shqiptarëve. Ju nuk i mbyllni dot të vërtetat me zhurmë. Modeli juaj ekonomik janë mëlçitë në qafë të Anastasit. Mbajini për vete! Mëlçitë në qafën e Cacit do t’ju çojnë drejt së shkuarës më të largët”.

“Opozita ka frikë nga vota e saj”
“Sot është votuar në Bundestagun Gjerman në unison, nga të gjithë krahët, që qeveria gjermane të vendosë në ndihmë të vendeve në vështirësi 211 miliardë euro, në fondin e Bashkimit Europian. E votoi edhe opozita, sepse do të jetë qeveria morale, kurse ju keni frikë nga vota juaj. Ju nuk votoni ligjet me tre të pestat se mendoni se po i bëni nder Sali Berishës, se harroni se ligjet nuk kanë lidhje me qeverinë, por ligjet janë interesi i çdo qytetari”, u shpreh dje kreu i qeverisë në Parlament.

Konkurrenca, rrjedhin votat e PS
Gjatë mbledhjes së djeshme të Kuvendit u votua me 75 vota pro emërimi i Lindita Milos (Lati) në postin e kreut të Autoritetit të Konkurrencës. Në sallë ishin 72 deputetë të maxhorancës, por pas votimit të fshehtë duket se kanë rrjedhur 3 vota nga e majta. “Komisioni vlerëson rezultatet e arritura nga zonja Lindita Milo (Lati) gjatë periudhës 5-vjeçare në krye të Autoritetit të Konkurrencës dhe është i mendimit se ajo plotëson kushtet për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në këtë detyrë”, thuhet në raportin e Komisionit të Ekonomisë.

Tahiri: Berisha po mban Shqipërinë larg BE
Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, tha dje gjatë fjalës në Parlament se kreu i qeverisë ka frikë nga e vërteta dhe ligjshmëria, dhe kjo është arsyeja pse do ta mbajë vendin larg BE. Tahiri u shpreh se opozita do të vijojë të japë kontributin e saj për integrimin e vendit. “Saliu ka frikë nga standardet demokratike, siç ju keni frikë nga e vërteta dhe ligjshmëria, është kjo arsyeja pse Kryeministri do ta mbajë vendin larg nga BE-ja dhe do të fajësojë opozitën. Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë”, deklaroi Tahiri.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura