Komunitetet fetare, dekor apo vlerë?

Sep 30, 2013 | 12:04
SHPËRNDAJE

ILIR HOXHOLLI

  Shpesh, nga politikanë, qeveritarë, por edhe studiues, është theksuar vlera e veçantë që ka pasur në Shqipëri harmonia fetare. Jo rrallë ky fakt ka qenë një pasaportë e rëndësishme që politika e ka marrë si një relikte në takime ndërkombëtare, duke u krenuar, deri diku me të drejtë. Një gjë e tillë është parimisht pozitive. Por a është e mjaftueshme të themi se shqiptarët kanë harmoni të admirueshme fetare, ndërkohë që i referohemi pak ose aspak asaj vlere që përcjell kjo harmoni, ose më saktë elementet që përçon kjo harmoni? Myslimanë, bektashinj, ortodoksë e katolikë kanë treguar se dinë të bashkëjetojnë, të bashkëpunojnë e të jenë të vlefshëm të gjithë së bashku për këtë vend. Kanë bashkëpunuar që nga ngritja e flamurit, ashtu si edhe më parë. Dhe ashtu si në fetvanë e Vehbi Dibrës për shpalljen e pavarësisë, shumica e klerikëve kanë luftuar për të qenë bashkë, deri kur diktatura i zhduku apo burgosi për dhjetëvjeçarë të tërë.
Por a e pasqyron vërtet kjo mbështetje e thjeshtë ndaj harmonisë atë vlerë reale që fsheh ky thesar? Duhet pranuar se në jetën tonë publike zëri i klerikëve nuk e ka pasur vëmendjen që meriton në këto 23 vite ndryshimesh. Politika vijon t’i referohet vetëm në raste festash, ndërkohë që zëri i klerikëve duket sikur ka të bëjë vetëm me besimtarët që shkojnë të luten e falen. E gjithë kjo ka ngritur një pasqyrë, sikur harmonia është kulmi i të mos bërit keq ndaj besimtarit të një feje tjetër. Ky është një këndvështrim që e lë këtë harmoni në kufijtë e dekorit, pa vlerën e vërtetë publike, madje pa njohur vlerat e vërteta.
Në këtë pasqyrë të rreme, duhet të ndërhyjnë klerikët për të qartësuar detyrën e vërtetë që përçon harmonia. Sidomos në këto kohë ku familja është tronditur nga vrasje që janë bërë tashmë statistikë, nga të rritur e fëmijë që i janë futur rrugës së drogës, nga aksidente që vijnë shumicën e rasteve nga shoferë të dehur, njerëz të depresuar nga bixhozi apo edhe nga një mungesë vëmendjeje e fëmijëve ndaj prindërve. Por, nëse do të dëgjonim pak më shumë zërin që vjen nga harmonia, nga ajo që klerikët duhet ta përçojnë përmes librit që i referohen, atëherë do të kishim më pak gra të vrara apo dhunuara, më pak të droguar, më pak aksidente, më shumë harmoni në familje.
Të gjitha këto duket sikur janë kosto për familjet të cilave u bie të merren me një nga këto fenomene. Por, në fakt, janë kosto për shoqërinë që duhet të ruajë një të dhunuar, që duhet të burgosë një dhunues, që duhet të mbajë një të burgosur që mund të ishte evituar, që mund të shpëtonte një viktimë aksidenti.
Pra, nëse flasim sot për vlerat fetare, nuk duhet që të qëndrojmë thjesht përpara pasqyrës së harmonisë, pasi do të kemi vetëm një fytyrë të zbehtë, pa shumë jetë, pa forcën e vërtetë. Ne të gjithë duhet të kontribuojmë që klerikët e komuniteteve fetare në Shqipëri të bëhen pjesë e shqetësimeve sociale, të jenë pjesëtarë aktivë të debatit, për të bërë të mundur që një shoqëri të shohë modelin e shërimit të vetvetes, duke u ulur koston të gjithëve nga viktimat që sjellin veset e pakontrolluara, që sjell droga, bixhozi, alkooli.
Harmonia nuk mund të jetë dekori për politikën përballë të huajve, por një magazinë e vërtetë potenciali për të drejtuar shoqërinë drejt një jete më të vlefshme. Kjo do të na bënte të gjithëve nga pak më të mirë, duke shpëtuar jetë.
Feja ka në thelb përgëzimin dhe qortimin, e thënë ndryshe shpërblimin dhe dënimin, por gjithmonë ajo i ka dhënë përparësi të mirës duke e përhapur atë dhe njëkohësisht duke luftuar të keqen. E përkthyer ndryshe në rast se ne sot gjobisim një makinë te parkuar keq, ne kurrë nuk kemi përgëzuar një makinë që është parkuar mirë ose një qytetar në fund të vitit, i cili ka qenë korrekt me detyrimet ndaj shtetit apo një biznes me taksat.
Prandaj, roli i komuniteteve fetare ka një vlerë të veçantë për vetë faktin se si u qasen fenomeneve që na shqetësojnë. Por që ne të arrijmë pikën për të cilën flasim, komunitetet duhet të qëndrojnë larg politikës, por edhe politika duhet të mos u kërkojë diçka për të cilën ato nuk dinë dhe nuk mund ta bëjnë. Stabiliteti i komunitetit më të madh në vend, me ndryshimet e bëra dy vjet më pare, duke përfshirë në kryesi teologë që gëzonin mbështetjen  e besimtarëve, si edhe duke mos u kthyer më në media në debatet vetëm për prona, ka dhënë frytet e para të një institucioni që ka filluar të kujdeset për fenomenet negative të shoqërisë. Në këtë proces ka pasur bashkëpunime të frytshme me shoqërinë civile, si në rastin e myftiut Ylli Gurra, i cili disa kohë më parë ishte iniciues për një debat të hapur kundër dhunës në familje. Por këto modele duhen përhapur nga të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve?
Në këtë proces, një rol vendimtar duhet të luajnë hallkat që rregullojnë marrëdhënien e komuniteteve me shtetin, për t’i bërë ata aleatë të rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e shoqërisë, sidomos në një kohë, ku në mbarë botën shoqëritë janë nën trysninë e veseve, si droga, alkooli apo prostitucioni. Kështu mund të shkojmë drejt nevojës për më pak policë, për më pak burgje…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura