Komploti: Gedafi u vra nga një agjent francez, e “shiti” Asad

Sep 30, 2012 | 12:25
SHPËRNDAJE
Muamar Gedafi dhe Bashar al Asad

Detaje mbi vrasjen e liderit libian, ish-kryeministri i tranzicionit flet për “komplot të huaj”

Ish-raportuesi: Asad shiti Gedafin, i dha NATO-s numrin satelitor.

Ish-lideri libian, Muamar Gedafi, është ekzekutuar nga një agjent i shërbimeve sekrete franceze.  Kjo ishte deklarata e bërë në një televizion egjiptian nga Mahmud Jibril, ish-Kkyeministri i Këshillit të Tranzicionit. Jibril, i cili garonte si kandidat për të drejtuar vendin, tha se “ishte një agjent i huaj i infiltruar mes turmës së rebelëve nga Forcat Revolucionare, i cili ekzekutoi Gedafin”. Deklarata e tij u bë në një debat televiziv në Kajro mbi Pranverën Arabe dhe efektin e saj në rajon. Ndërsa shumë kanë mbrojtur faktin se lëvizja ishte e nevojshme për të ndryshuar regjimet totalitare në rajon, të tjerë kanë ngritur dyshime të forta se rrëzimi i liderëve që kishin një regjim shumëvjeçar ka shkaktuar paqëndrueshmëri dhe ka krijuar më shumë mundësi për veprimtarinë e militantëve të Al Kaedës. Shumë akuzojnë Perëndimin si ideator të kësaj lëvizjeje që “shkundi” të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, për çështje interesash tregtare. Pas disa muajsh rezistence, Muamar Gedafi, lideri libian prej 42 vitesh, u identifikua dhe u ekzekutua në Sirte më 20 tetor 2011. Edhe pse thirrjet nga Kombet e Bashkuara ishin për një gjykim të drejtë të Gedafit, i cili akuzohej për krime lufte për mënyrën se si trajtoi konfliktin civil gjatë muajve të fundit në vendin e tij, ai u mor zvarrë, u torturua dhe u ekzekutua në një shesh të mbushur me rebelë ku dëgjoheshin vetëm të bërtitura dhe plumba. Vrasjen e tij e mori përsipër një 22-vjeçar libian nga Misrata. Shumë herë versioni zyrtar i vrasjes së Gedafit është hedhur poshtë. Pamjet filmime të hedhura në “YouTube” e tregonin ish-liderin të përgjakur e të hutuar. Pjesë të videove shfaqnin trajtim mizor dhe shokuan të gjithë botën. Jibril, i cili drejtoi Këshillin e Tranzicionit për shtatë muaj e gjysmë gjatë luftës civile, por së fundi humbi përkrahjen për të qenë Kryeministër, tha se vrasja e Gedafit “ishte një komplot i një shteti të huaj”. Zërat për përfshirjen e Francës janë të shumtë.
Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ishte i pari që kërkoi nga NATO ndalimin e zonës së fluturimit në Libi dhe ndërhyrjen ushtarake kundër regjimit të Gedafit. Franca u akuzua se ishte ndër shtetet që furnizoi fshehtas rebelët libianë me armë. Pas thirrjes së Sarkozisë, në atë kohë President, administrata e Gedafit dhe djemtë e tij kanë deklaruar nëpër televizione se “Sarkozi do të përgjigjet për tradhtinë e tij”, sepse Gedafi i kishte sponsorizuar fushatën elektorale. Gadafi kërcënoi se do të bënte publike detaje të raporteve të tij me Sarkozinë, financimin me miliona dollarë të fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.
Përfshirja e Asad
Teoria u përforcua edhe nga mediat. Prestigjiozja italiane, “Corriere della Sera”, në Bengazi intervistoi Rami El Obeidi, ish-përgjegjësi për raportet me agjencitë e huaja të informacionit, për llogari të Këshillit Kombëtar Tranzitor. Ai ka rrëfyer modalitetet që lejuan NATO-n të gjendet vendi ku ishte fshehur Koloneli, pas marrjes në dorë të Tripolit në gusht të vitit 2011. “Thuhej se Gedafi mund të ishte arratisur në shkretëtirë drejt kufirit jugor të Libisë bashkë me disa mbështetës të tij, për të riorganizuar rezistencën”, tha Rami El Obeidi. Por, në fakt, Gedafi ishte strehuar në Sirte. “Ai u përpoq që të komunikonte përmes valëve satelitore Iridum me mbështetësit e tij, nën mbrojtjen e Bashar al Asad. Mes tyre ishte njëri prej propaganduesve më të mëdhenj televiziv, Jusuf Shakir (i cili besohet të jetë shëndoshë e mirë në Pragë). Asad e kaloi numrin satelitor të Gedafit tek agjentët francezë. Në këmbim ai mori nga Parisi premtimin për të ulur presionin ndërkombëtar mbi Sirinë dhe për të forcuar represionin kundër popullsisë siriane, tashmë në revoltë”, komentoi El Obeidi. Më pas gjetja e Gedafit ishte shumë e thjeshtë për NATO-n.

Vritet libiani që mori përgjegjësinë e vrasjes

Omran Shaaban

Atributet për gjetjen dhe vrasjen e ish-liderit libian 20 tetorin e kaluar, i kishte marrë 22-vjeçari Omran Shaaban. Ditën e vdekjes torturuese të Gedafit, Shaaban u shfaq para mediave perëndimore duke treguar edhe pistoletën me të cilën kishte qëlluar plumbin që i dha fund jetës së Gedafit. 22-vjeçari i njohur si hero në Libi, vdiq të martën e kësaj jave në spitalin amerikan në Francë, 57 ditë pasi ishte rrëmbyer, qëlluar e torturuar nga mbështetësit e Gedafit në qytetin Bani Ualid, në juglindje të Libisë. Omran ishte liruar një javë më parë, pas negociatave të Mohamed al Magarief, President i Kongresit Gjeneral Nacional. Omran u lirua në Misrata me shenja torture në trup dhe një plumb afër shtyllës kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në Paris, por vdiq pak ditë më pas. Vdekja e Omran u komentua si “hakmarrja e Gedafit nga varri”. Në kryeqytetin Tripoli u mbajtën protesta për të kërkuar një funeral heroi për të. Rreth dhjetë mijë njerëz u mblodhën për të nderuar në ceremoninë mortore të Omran.

Lufta në Libi, kur nisi rebelimi
Rrëzimi i Gedafit pas 42 vitesh  në pushtet, si i përfundoi familja.
Protestat antiqeveritare nisën në Libi më 15 shkurt 2011. Tri ditë më pas opozita mori kontrollin e të gjithë Bengazit, qyteti i dytë më i madh në vend. Qeveria angazhoi trupat elite dhe ushtrinë, por dështoi në marrjen e kontrollit të plotë dhe shtypjen e protestave. Më 20 shkurt protestat nisën në Tripoli, duke nxitur djalin e “preferuar” të Gedafit, Saif al Islam, të dilte në televizionin shtetëror për të paralajmëruar protestuesit se po e shtynin vendin në luftë civile. Numri i të vdekurve u rrit në mijëra. Kjo tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe rezultoi me dezertimin e disa zyrtarëve libianë. Më 17 mars, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë (Rezoluta 1973), e cila autorizonte një zonë ndalim-fluturimi në Libi dhe “të gjitha mjetet e nevojshme” për të mbrojtur civilët. Dy ditë më pas, Franca, SHBA dhe Britania ndërhynë në Libi me një fushatë bombardimi kundër forcave të Gedafit. Ndërhyrjes iu bashkua shpejt një koalicion prej 27 shtetesh nga Europa dhe Lindja e Mesme. Në fund të gushtit, luftëtarët kundër Gedafit morën Tripolin dhe shënuan fundin e 42 viteve të tij në pushtet. Dy prej djemve të tij, Saif al Arab dhe Mutasim, janë vrarë gjatë luftës civile. Saif al Isalm është arrestuar dhe po gjykohet në Libi. Tre djemtë e tjerë, e bija dhe bashkëshortja, janë në arrati.

Al Asad, i njëjti model me Gedafin
Presidenti Sirian, Bashar al-Asad, i konsideruar një mik me Gedafin dhe ndër liderët që e kanë mbështetur më shumë atë, nuk ka reaguar ende në lidhje me akuzat e fundit, se ka dhënë informacionin që shkaktoi vdekjen e liderit libian. I përballur me protesta të ashpra prej 19 muajsh, ai ende nuk heq dorë dhe nuk ka pranuar të dorëzojë pushtetin, duke deklaruar se nuk i trembet as faktit se mund të ketë fatin e Gedafit apo të Hosni Mubarakut, i vrarë apo i kapur e burgosur. Rrethanat e qeverisjes së tij këta muajt e fundit janë shumë të ngjashme me ato të Gedafit në Libi gjatë luftës civile dhe shpesh analistët kanë krahasime mes të dyve. Ai ka akuzuar SHBA, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Katarin se po mbështesin “terroristët” që po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e tij dhe ka deklaruar se ai është ende në fuqi sepse kishte mbështetjen e popullit të tij.

Pranvera Arabe
Pranvera Arabe, e njohur ndryshe si “Revolucioni arab”, nisi më 18 dhjetor 2010. Ligjvënësit janë përballur me protesta në Tunizi (Ben Ali u rrëzua nga pushteti),  Egjipt (Hosmni Mubarak u rrëzua nga pushteti), Libi (Muamar Gedafi u rrëzua nga pushteti), Jemen (Ali Abdullah Saleh u rrëzua nga pushteti); Bahrein, Siri (lufta vazhdon) Algjeri, Irak, Jordani, Kuvajt, Marok, dhe Sudan. Ka pasur lëvizje edhe në Liban dhe Mauritani, Oman, Arabinë Saudite, Xhibuti dhe Saharanë Perëndimiore.

Tension në Bengazi
Në Libi situata mbetet ende e paqëndrueshme, dhe nga kjo po përfitojnë militantët. Në Bengazi, qyteti libian ku u vranë 4 diplomatë amerikanë pas protestave të 11 shtatorit, rreth 200 protestues dolën dje sërish në protesta në mbështetje të ekstremistëve të Ansuar al-Sharia, grupi i militantëve që mendohet se qëndron pas vrasjes së diplomatëve amerikanë. Protestuesit hodhën në erë disa makina para godinës lokale të Ministrisë së Brendshme. Përleshjet zgjatën për disa orë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura