Kompanitë e Shah Deniz i bashkohen TAP-it

Jul 31, 2013 | 12:17
SHPËRNDAJE

Projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik i janë bashkuar tashmë edhe gjigantët e konsorciumit të Shah Deniz. Përmes një njoftimi për shtyp, zyra e TAP-it në Zvicër deklaroi se “BP”, “SOCAR” dhe “Total”, tri kompanitë që po zhvillojnë fushën e gazit Shah Deniz 2 në Azerbajxhan, i janë bashkuar zyrtarisht projektit. “BP” dhe “SOCAR” kanë marrë secila nga 20 për qind të aksioneve, kurse “Total” ka kërkuar 10 për qind. Gjiganti tjetër i transmetimit të gazit në Europë, “Flaksis”, ka kërkuar që t’i bashkohet TAP-it duke marrë 16 për qind të aksioneve të projektit. Aksionerët fillestarë të TAP-it, “Akspo” i Zvicrës, “Statoril” i Norvegjisë dhe “E.ON” i Gjermanisë, kanë vazhduar të mbeten mbështetës në projekt me pjesën tjetër të aksioneve. Pas vendimit të marrë nga kompanitë e Shah Deniz, tashmë situata e aksioneve të TAP është e tillë, ku BP ka 20%, SOCAR 20%, Statoil 20%, Fluxys 16%, Total 10%, E.ON 9% and Axpo 5%. Drejtori menaxherial i TAP, Katjil Tungland, lidhur me këtë zhvillim u shpreh se kjo lëvizje rrit pozicionin strategjik të projektit. “Ne mirëpresim ardhjen e aksionerëve të Shah Deniz dhe Flaksis në projektin TAP. Aksionerët e rinj do të rrisin ndjeshëm pozicionin strategjik të TAP në kthimin e tij në një lidhje integrale mes prodhimit dhe transmetimit të gazit. Kjo do të forcojë integrimin zinxhir të të gjithë korridorit jugor të gazit dhe do të mbështesë zbatimin e TAP në ndërtim si në kohë, ashtu edhe në pjesën financiare”, tha Tungland. Nga ana tjetër, aksionerët aktualë të TAP kanë shprehur qëndrimin e tyre pozitiv për zgjerimin me aksionerë të rinj në të ardhmen. Në fund të muajin qershor, konsorciumi i Shah Deniz vendosi që të jepte “OK” për gazsjellësin TAP, duke lënë pas NABUCCO-n, i vetmi konkurrent i mbetur në garë për transportimin e gazit azer drejt Europës. Para përzgjedhjes aksionerët e TAP u patën propozuar aksionerëve të Shah Deniz që të ishin pjesë e projektit dhe lidhur më këtë u nënshkrua edhe një marrëveshje në muajt e parë të këtij viti. TAP do të fillojë ndërtimin në vitin 2014, transmetimin në vitin 2019 dhe kapaciteti transmetues i tij do të jetë fillimisht 20 bcm gaz në vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura