PLANI I PD/ Komisioni “Tahiri”, zbulohen emrat e politikanëve VIP që do të pyeten për drogën

Mar 26, 2018 | 13:50
SHPËRNDAJE

Komisioni hetimor për çështjen Tahiri ka filluar tashmë nga puna dhe në planin e veprimit të propozuar nga opozita janë caktuar edhe emrat e zyrtarëve të lartë që do të pyeten.

Kreu i komisionit Edi Paloka tha se për veprimtarinë e Sajmir Tahirit në trafikun e drogës do të pyetet kryeministri Rama, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ish ministri Tahiri dhe zyrtarë e ish zyrtarë të lartë të SHISH e Policisë.

komisioni hetimor tahiri

Gjatë mbledhjes deputetët e Partisë Socialiste kërkuan kohë për ta parë planin paraprak të hetimit dhe të shtojnë gjëra të tjera që duhet të hetohen.

Deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu tha se duhet të hetohet fenomeni për lëndët narkotike, jo individi.

Anëtarët e komisionit hetimorë vendosin të presin Partinë Socialistë të shikojë planin paraprak të hetimit dhe të shtojnë të dhëna të tjera në lidhje me hetimin, ku në fund të hetimit me kërkesën e deputetes Ermonela Felaj do të nisin bashkë shkresat për të dhënat e mbledhura.

Zyrtarët që do të pyeten

Edi Rama

Fatmir Xhafaj

Sajmir Tahiri

Visho Ajazi Lika

Haki Cako

Ardi Veliu

Helidon Bendo

Drejtorët dhe ish drejtorët e Policisë në 12 qarqet e vendit

Besim Hajdarmataj

Etilda Gjonaj

Arqile Koca

Rovena Gashi

Odeta Thengjilli

Drejtori i Burgut 313

Drejtorët e Policisë në pikat e kalimit kufitar

Drejtorët e Portit të Durrësit dhe Vlorës

Dritan Zagani

PLANI PARAPRAK I HETIMIT

I KOMISIONIT HETIMOR PËR TË KONTROLLUAR VEPRIMET DHE MOSVEPRIMET E ORGANEVE SHTETËRORE NË PARANDALIMIN DHE GODITJEN E FENOMENIT TË KULTIVIMIT DHE TRAFIKUT TË LËNDËVE NARKOTIKE, PËRFSHIRË ÇËSHTJEN PËR TË CILËN PROKURORIA PO HETON Z. SAIMIR TAHIRI, ISH-MINISTËR I BRENDSHËM, NGRITUR ME VENDIMIN E KUVENDIT NR. 30/2018

  1. FAKTET DHE RRETHANAT E PREZANTUARA NË KËRKESË

Në kërkesën e depozituar nga 1/4 e deputetëve evidentohet se:

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në një betejë më shumë se 3 vjeçare, ngriti shqetësimin madhor të shndërrimit të Shqipërisë në një vend të kultivimit masiv të lëndëve narkotike. Qeveria, në papërgjegjshmëri të plotë, sulmonte opozitën dhe deklaronte se faktet e paraqitura prej saj, ishin të pavërteta dhe se në Shqipëri nuk ekzistonte fenomeni i kultivimit masiv të lëndëve narkotike. Vetëm në momentin kur partnerët ndërkombëtarë ngritën shqetësimin madhor se sasi të paprecedentë të kanabisit po arrinin të deportonin në territoret e tyre nga Shqipëria, Qeveria pranoi ekzistencën e fenomenit dhe deklaroi se ajo nuk ishte e përfshirë në të, dhe se po merrte masa për të zgjidhur situatën.

Mirëpo, shqiptarët ishin dëshmitarë të fakteve sesi zyrtarë të lartë, jo vetëm përfitonte shpërblime monetare dhe dhurata nga grupet kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, por gjithashtu këta të fundit përdornin makinën që ishte në emër të ish-Ministrit të Brendshëm për të kryer trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Për këtë qëllim, organi i prokurorisë, nisur edhe nga provat e siguruara nëpërmjet bashkëpunimit me prokurorinë italiane, kanë nisur hetim penal ndaj ish-Ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri.

Pavarësisht fakteve të shoqëruar me provat përkatëse nga organi i prokurorisë, mazhoranca në Këshill, dhe më pas në seancë plenare vendosi mosmiratimin për dhënien e autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë të deputetit Saimir Tahiri”.

Ky përbën një akt të paprecedentë në praktikën parlamentare shqiptare, ku nga organi i prokurorisë ngrihet një akuzë e rëndë penale ndaj një deputeti, dhe shumica parlamentare pengon prokurorinë të përdorë të gjitha mekanizmat e duhur ligjor, përfshirë dhënien e masave shtrënguese ndaj personit. Kjo çimenton kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, dhe nuk ndihmën në proceset integruese të vendit. Ky fakt provon jo vetëm paligjshmërinë nga ana e mazhorancës, por gjithashtu, vullnetin e saj për të ndërhyrë dhe penguar hetimin penal ndaj këtij rasti.

Këtij konkluzioni i vjen në mbështetje edhe veprimet e Kryeminstrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, të cilët në deklarata publike dhe të njohura, jo vetëm kanë kritikuar organin e prokurorisë, por kanë përdorur ndaj tyre një gjuhë të papërshtatshme dhe intimiduese. Kjo sjellje bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Por gjithashtu, tregon qartë se Kryeministri nuk shqetësohet vetëm për fatin e ish-Ministrit të Brendshëm, por për fatin e tij.

Është e qartë se Kryeministri ka patur informacione të plota për veprimtarinë e grupeve kriminale në fushën e trafikut ndërkombëtare të lëndëve narkotike, apo për përfshirjen e punonjësve të lartë të Policisë së Shtetit në këtë veprimtari kriminale. Megjithatë, nuk rezulton nga faktet dhe provat që disponohen nga ana jonë që të ketë marrë ndonjë masë mbi këtë fenomen, apo të ketë ushtruar përgjegjësitë e veta kushtetuese si Kryeministër i vendit dhe autoritet përgjegjës për të mbikëqyrur veprimtarinë e ministrave të tij.

Veprimet e paligjshme për të dëmtuar këtë çështje vijuan edhe më tej. Në kundërshtim flagarant me ligjin, është lejuar ekstradimi në Itali i shtetasit Nezar Seiti, i cili ishte personi i vetëm i arrestuar dhe në dispozicion të prokurorisë shqiptare në dosjen hetimore ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ky fakt mund të ketë efekt shkatërrues për procedimin penal që po kryen Prokuroria për Krime të Rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj”, dhe për pasojë edhe mbi procedimin penal të nisur ndaj deputetit të mazhorancës dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Injorimi që Ministri i Drejtësisë i ka bërë jo vetëm ligjit, por edhe autoritetit të organeve të drejtësisë shqiptare (Gjykatës për Krime të Rënda), është një akt i paprecedentë për drejtësinë në vend. Nëse Ministri i Drejtësisë ndërmerr veprime arbitrare dhe të kundërligjshme, me impakt të drejtëpërdrejtë në prishjen apo dëmtimin e hetimeve penale në një çështje konkrete në vend, atëherë jemi përpara një krimi shtetëror, të padëgjuar më parë dhe që është bërë qëllimisht për të ndërhyrë në procedimin penal në ngarkim të deputetit të mazhorancës dhe ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. 

Për këtë qëllim, është e nevojshme që të ngrihet një Komision Hetimor që ka për objekt, ndër të tjera:

(1) Roli, dijenia dhe pergjegjesia e Kryeministrit, anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave, Policise se Shtetit dhe institucioneve te tjera shtetererore, veprimet apo mosveprimet e tyre, ne parandalimin dhe ndeshkimin e fenomenit te kultivimit te kanabisit apo trafikimit te lendeve narkotike;

(2) Vleresimi i rrethanave mbi dijenine e Kryeministrit dhe anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave per veprimtarine kriminale apo ligjshmerine e veprimtarise se tyre shteterore ne drejtim te parandalimit te paligjshmerise per te cilen akuzohet ish-Ministri i Brendshem dhe drejtues te larte te Policise se Shtetit;

(3) veprimet dhe sjellja e Kryeministrit dhe anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave, si dhe e cdo zyrtari tjeter publik, ne pengimin apo intimidimin e organit te prokurorise qe te veproje ne menyre te pavarur dhe paanshme ne hetimin e ceshtjes penale ndaj ish Ministrit te Brendshem z. Saimir Tahiri;

(4) ligjshmeria e ekstradimit te personit tjeter nen hetim per te njejten ceshtje dhe efektet qe sjell ky ekstradim ne ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-Ministrit te Brendshem, etj.”.

  1. PLAN PARAPRAK HETIMI
  1. Objekti:

Sipas vendimit nr. 30/2018 të Kuvendit, objekt i veprimtarisë së komisionit është:

  1. Kontrolli i veprimeve dhe mosveprimeve të organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton z. Saimir Tahiri, ish-Ministër i Brendshëm.
  2. Verfikimi i çdo lloj dyshimi për ndikim të paligjshëm në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organet kompetente të ngarkuara me ligj, në hetimin penal të këtij rasti.

Hetimi do të synojë mbrojtjen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, me qëllim parandalimin e pasojave negative për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale.

Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe duke respektuar dhe duke mos mbivendosur kompetencat e organeve të drejtësisë.

Hetimi do të realizohet në drejtim të sqarimit të mënyrës së zbatimit të ligjit, identifikimit të përgjegjësive të organeve apo personave zyrtarë përkatës, në kultivimin dhe trafikimit e lëndëve narkotike, analizimit të gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen.

  1. Detyrat e Komisionit dhe veprimet e tij:

 

Detyrat e Komisionit janë:

(1) Kontrolli i veprimeve dhe mosveprimeve të Kryeministrit, anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave, Policise se Shtetit dhe institucioneve te tjera shtetererore, ne parandalimin dhe ndeshkimin e fenomenit te kultivimit te kanabisit apo trafikimit te lendeve narkotike;

(2) Kontrolli i veprimeve dhe mosveprimeve të Kryeministrit, anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave, apo organeve shtetërore, per veprimtarine kriminale apo ligjshmerine e veprimtarise se tyre shteterore ne drejtim te parandalimit te paligjshmerise per te cilen akuzohet ish-Ministri i Brendshem dhe drejtues te larte te Policise se Shtetit;

(3) Verifikimi i veprimeve dhe sjelljes së Kryeministrit dhe anetareve te tjere te Keshillit te Ministrave, ne pengimin apo intimidimin e mundshëm të organit te prokurorise qe te veproje ne menyre te pavarur dhe paanshme ne hetimin e ceshtjes penale ndaj ish Ministrit te Brendshem z. Saimir Tahiri;

(4) Verifikimin e procedurës së ekstradimit te personit tjeter nen hetim per te njejten ceshtje Nezai Seitaj dhe efektet qe sjell ky ekstradim ne ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-Ministrit te Brendshem.

Për përmbushjen e këtyre detyrave, komisioni:

  • miraton planin e hetimeve;
  • mbledh të dhëna për çështjen, të cilat mund të jenë informacione zyrtare dhe jozyrtare, por që njihen publikisht;
  • thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen;
  • në shërbim të hetimeve mbi çështjen, administron dokumente zyrtare, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve;
  • për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, thërret ekspertë të njohur nga gjykata për fusha të ndryshme.

Në mbështetje të neneve 14/b, 15/1 dhe 17 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, Vendimit tё Kuvendit tё Shqipёrisё nr. 30/2018, do të kërkohet nga disa institucione shtetërore, që të vendosin në dispozicion informacionet/dokumentat që disponojnë për objektin e hetimit. Konkretisht, do të kërkohen ndër të tjera, por pa u kufizuar vetëm në to, dokumentet apo informacionet e mëposhtme:

  • Informacione apo dokumente të dërguara nga Shërbimi Informativ i Shtetit mbi veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018, drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë Presidentit të Republikës, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit, Autoriteteve Portuale, Drejtorive të Kufirit, dhe çdo organi tjetër shtetëror.
  • Informacione apo dokumente të trajtimit të informaconeve të SHISH nga institucionet shtetërore të sipërcituara.
  • Informacione apo dokumente të marra nga institucionet shtetërore shqiptare, nga agjencitë partnere të huaja, për veprimtarinë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018.
  • Informacione, pyetje apo dokumente të organeve ligjzbatuese italiane, përfshirë prokurorinë antimafia të Catanias, që lidhet me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm të RSH në këtë aktivitet.
  • Dokumentet që provojnë diskutimin mbi fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, sipas procesverbaleve zyrtare të mbledhjeve, për të vlerësuar qëndrimin e secilit prej anëtarëve.
  • Raportimet e bëra nga institucionet përgjegjëse në Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pranë Presidentit të Republikës, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018, sipas procesverbaleve të këtyre mbledhjeve.
  • Informacionet operative të siguruara nga Policia e Shtetit dhe mënyra e trajtimit të tyre, lidhur me veprimtari kriminale të dyshuara të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018.
  • Informacione dhe dokumente që i janë njoftuar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, për përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit në veprimtarinë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, bashkëpunimin apo lehtësimin e saj, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018.
  • Informacionet dhe dokumentet lidhur me përdorimin e Radarëve të kontrollit të hapësirës dhe territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe identifikimet e kryera në këtë kuadër, lidhur me veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
  • Informacionet dhe dokumentet që i janë dërguar nga autoritetet shqiptare, agjencive ligjzbatuese të vendeve të tjera, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike.
  • Informacionet dhe veprimet e kryera nga autoritetet përgjegjëse shqiptare në kuadër të goditjes së grupit kriminal të cështjes “Xibraka”, finalizuar me aksionin e Janarit 2015.
  • Dokumentacionin e plotë të procedurës së ekstradimit të shtetasit Nezar Seitaj, dhe dokumentacionin e plotë të nxjerrjes së tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Informacion nga Prokuroria mbi numrin e procedimeve penale per vepra penale te lidhura me lëndët narkotike per periudhën 2014-2018 dhe ecurine e tyre ne Gjykate; numrin e procedimeve penale qe lidhen me punonjes te policise se shtetit dhe zyrtare shteterore per vepra penale te shperdorimit te detyres, moskallezimit te krimit, si dhe per vepra penale qe lidhen me lendet narkotike per periudhen 2014-2018, si dhe në sa prej këtyre rasteve, te pandehurit kane qene ne mungese.
  • Informacion nga Policia dhe nga Prokuroria per numrin e aksioneve te dekonsipiruara; sa eshte numri i zyrtareve dhe i punojesve te policise te proceduar per dekonsipirim te aksioneve, që lidhen me fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe informacion mbi planifikimin dhe zbatimin e aksionit (si caktohej skuadra, kush merrte njoftim ne rruge hierarkike dhe sa kane qene rastet, kur aksioni i filluar eshte anulluar)
  • Informacion nga Policia per levizjet ne burimet njerezore ne te gjithe territorin te ngarkuar me krimin e organizuar dhe vecanerisht me luften kunder narkotikeve (sa here ka ndryshuar organika, sa here jane transferuar, pushuar, ngritur ne detyre, procedime disiplinore gjer ne largimin nga detyra, a ka probleme midis detyres dhe grades qe ka punonjesi ne keto funksione).
  • Raportet periodike te ShCBA-se drejtuar Ministrit te Brendshem mbi funksionimin e policise se shtetit lidhur me luften kunder narkotikeve.
  • Informacion nga Prokuroria nese ne periudhen 2014-2018 ka pasur figura te reja krimi, te cilat nuk mbuloheshin nga ligji penal (psh krijimi i pistave te avionit per trafikun apo punetoret e hashashit).
  • Informacion dhe dokumentacioni i plotë nga organi i prokurorisë dhe Policia e Shtetit mbi sasitë e sekuestruara të lëndëve narkotike në periudhën 2014-2018, të ndarë sipas viteve, si dhe dokumentacionin e plotë të procedurës së asgjesimit të saj.
  • Çdo informacion tjetër të nevojshëm për përmbushjen e detyrave nga ana e Komisionit, sipas objektit të punës së Komisionit.

Komisioni Hetimor përveç marrjes së informacioneve zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të përdorë të gjitha metodat e hetimit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë kqyrjen, kontrollin apo sekuestrimin e akteve pranë institucioneve përgjegjëse.

Nga ana tjetër, në kuadër të analizës së plotë mbi këtë cështje, do të thirren për të dëshmuar në Komisionin Hetimor, personat apo funksionarët publik të mëposhtëm:

 

Emër, Mbiemër Funksioni

 

Edi Rama Kryeministër
Fatmir Xhafaj Ministër i Brendshëm
Saimir Tahiri Ish – Ministër i Brendshëm
Visho Ajazi Lika Ish – Drejtor i Përgjithshëm i SHISH
Haki Cako Ish – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Ardi Veliu Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Helidon Bendo Drejtor në detyrë i Shërbimit Informativ të Shtetit
Për t’u identifikuar emrat Drejtorët apo ish- Drejtorët e Drejtorisë së Policisë në 12 Qarqet e Shqipërisë, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018
Besim HAJDARMATAJ Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda
Etilda Gjonaj Ministër i Drejtësisë
Arqile Koça

 

Rovena Gashi

Drejtori dhe ish- Drejtori i Drejtorisë për Marrëdhëniet me Jashtë, në Prokurorinë e Përgjithshme
Odeta Thëngjilli Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, pranë Ministërisë së Drejtësisë
Për t’u identifikuar emri Drejtorin e IEVP nr. 313 “Jordan Misja”
Për t’u identifikuar emrat Drejtorët e Policisë në Pikat e Kalimit të Kufirit, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018
Për t’u identifikuar emrat Drejtorët e Portit të Durrësit dhe Vlorës, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018
Dritan Zagani Ish- punonjës i Policisë së Shtetit
Për t’u identifikuar emrat Drejtori apo ish Drejtori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018
Për t’u identifikuar emrat Drejtori apo ish- Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, gjatë periudhës 1 Janar 2014 – 5 Mars 2018
–          Komisioni rezervon të drejtën që ne Planin e Hetimit të thërras për të dëshmuar cdo person apo funksionar tjetër që ka dijeni rreth objektit të hetimit, dhe që rezulton i përfshirë në këtë cështje nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar.

  1. Afati i zhvillimit të hetimeve dhe përfundimit të tij:
Veprimet Afati maksimal
Mbledhja e dokumentacionit Brenda datës 15 Prill 2018
Shqyrtimi paraprak i dokumentacionit dhe vlerësimi i nevojës për dokumentacion shtesë – Miratimi i Planit të Hetimit Brenda datës 30 Prill 2018
Pyetja e dëshmitarëve Brenda datës 31 Maj 2018
Analizimi i akteve dhe dokumentave Brenda datë 30 Qershor 2018
Shqyrtimi përfundimtar dhe nxjerrja e konkluzioneve të hetimit – Mbyllja e Hetimit Brenda datës 10 Korrik 2018
Prezantimi i Raportit Final të Komisionit Brenda datës 25 Korrik 2018

Hetimi konsiderohet i hapur dhe Komisioni do të përfundojë veprimtarinë e tij brenda afatit të caktuar me vendim të Kuvendit (5 Shtator 2018, që nënkupton brenda këtij Sesioni Parlamentar).

  1. Hartimi i Planit të Hetimit:

Mbi bazën e Planit Paraprak të Hetimit, Kryetari i propozon Komisionit për miratim projektvendimin “Për miratimin e Planit të Hetimit të Komisionit Hetimor” brenda afateve të parashikuara nga ligji. Me qëllim hartimin e Planit të Hetimit dhe realizimit të veprimeve të përcaktura në këtë Plan Paraprak Hetimi, Komisioni, nëpërmjet Kryetarit, mund të kërkojë të dhëna dhe dokumente të tjera nga titullarët e institucioneve publike, si dhe të kryejë cdo veprim sipas nenit 15 dhe 17 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”.

KRYETARI

EDI PALOKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura