Këshilli i BSH, ‘OK’ 3 kandidaturave të qeverisë

Oct 31, 2011 | 18:35
SHPËRNDAJE
Komisioni i Ekonomise

Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani,  Elisabeta Gjoni dhe Petraq Milo.

Opozita nuk dha pëlqimin e saj, ndërsa gjatë kohës që Fullani bëri prezantimin e tij para Komisionit, deputeti i PS-së, Erjon Braçe e akuzoi për njëanshmëri politike.

Braçe tha se kandidatura e Fullanit është e ndikuar politikisht.

Kandidaturat e Gjonit dhe Milos u vlerësuan profesionalisht nga anëtarë e opozitës në Komisionin e Ekonomisë.

Komisioni i Ekonomisë nisi shqyrtimin e 3 kandidaturave të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë propozuar dhe miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, mbrëmjen e së martes.

Kandidaturat që u propozuan nga kryeministri Berisha, janë Guvernatori aktual i Bankës, Ardian Fullani, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni dhe këshilltari i kreut të qeverisë për ekonominë, Petraq Milo.

Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë ka nisur mes debatesh, pasi raportohet se deputetja e PS-së Mimi Kodheli ka akuzuar qeverinë se kandidaturat e propozuara janë zgjedhur pa konkurencë.

Kodheli ka kërkuar gjithashtu që anëtarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati të japin dorëheqjen.

Këshilli Mbikëqyrës kanë nëntë anëtarë, tre anëtarë të Këshillit propozohen nga qeveria, pesë nga Parlamenti dhe një nga vetë Këshilli.

Pas miratimit nga Komisioni I Ekonomisë, anëtarët votohen në Parlament.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura