Komisioni hetimor deri më 13 maj, PD: U shkarkuan 400 policë

Apr 30, 2014 | 13:45
SHPËRNDAJE

Gjate punes se Komisionit Hetimor
Parlamenti votoi në seancën e fundit parlamentare shtyrjen me dy javë të afatit të komisionit hetimor kuvendor për shkarkimet në Policinë e Shtetit. Me gjithë kërkesën e demokratëve që komisionit t’i jepeshin edhe katër javë kohë për të punuar dhe për të përfunduar raportin përpara se t’i shkojë Parlamentit, shumica vendosi ta ndërpresë afatin e komisionit më 13 maj, duke e cilësuar këtë periudhë si kohë të mjaftueshme. Sot në orën 12:00 është parashikuar të zhvillohet edhe seanca e parë e komisionit hetimor që pas zgjatjes së afatit të enjten e kaluar. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për gazetën se gjatë këtyre ditëve do të kërkojnë të zhvillojnë të paktën dy seanca komisioni, ku e para do të jetë ballafaqimi mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-shefit të Antikrimit Ekonomik, Arjan Hoxha, i cili e akuzoi ministrin se e hoqi nga puna pasi i arrestoi të atin. Gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara, sipas PD-së, ka rezultuar se 400 efektivë të Policisë janë hequr pa motiv dhe në shkelje të ligjit nga radhët e uniformave blu, ndërkohë që 150 efektivë të rinj janë emëruar në kundërshtim me ligjin, pasi kanë zënë pozicione të cilat nuk përputhen me gradat që kanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura