“Kolegji nën presion për transparencën e zgjedhjeve”

Jul 31, 2013 | 12:57
SHPËRNDAJE

Kreu i PD, Basha gjatë takimit me ambasadorin e BE, Sekui
Pas shtatë ditësh nga zgjedhja në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takimin e parë zyrtar në selinë blu. Ai ka ngjitur dje në orën 10:30 shkallët e katit të tretë të godinës për të hyrë në zyrën ku që prej vitit 1997 ka qëndruar Sali Berisha. Gjysmë ore më vonë, mysafiri i tij i parë ishte ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Basha, në këtë takim, që zgjati rreth 50 minuta, shoqërohej nga shefi i kabinetit i Berishës, njëkohësisht deputet në Parlamentin e ardhshëm, Oerd Bylykbashi. Në përfundim të bisedës, Basha e Sekui dolën në një prononcim të përbashkët për mediat, ku kreu i PD-së konfirmoi edhe një herë qëndrimin për mbështetjen që do të ofrojë kjo forcë politike në të gjitha proceset integruese në BE. Siç tha edhe Basha, një prej temave të diskutuara ka qenë edhe ajo e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Ngrita çështjet e problemeve të evidentuara pas procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës, në qarkun e Shkodrës dhe në të tjera zona elektorale ku transparenca e ardhur pas indicieve për parregullsi tregoi se në zgjedhjet e 23 qershorit ka ngritur kokë një precedent i rrezikshëm për demokracinë shqiptare, që është shpërdorimi butaforik i elementëve kriminalë në shoqëri për të deformuar votat dhe vullnetin e shqiptarëve”, u shpreh Basha në prononcimin për gazetarët. Sipas tij: “Corpus delicti ndodhet mbi tavolinë, 1250 vota në Lezhë, 700 vota në Shkodër. Përpjekja për të mbyllur sytë apo pretenduar se ky Corpus delicti nuk është, nuk gjendet aty, pretendimi se nuk na lejohet të shohim këtë korpus delikti për arsye procedurale të paqena dhe të shpikura me dopio standarde nën presion politik nga një Kolegj, dukshëm nën trysni, nuk i shërben aspak vendit, as legjitimitetit, as maxhorancës dhe as zhvillimeve të ardhshme”. Kreu i demokratëve theksoi se kjo forcë politike është e vendosur të bëjë transparencë të plotë të asaj që ka ndodhur më 23 qershor për të mos lejuar të kthehet në rregull futja në Parlament të elementëve kriminalë. Basha u ndal gjithashtu te presioni që sipas tij maxhoranca e re po u bën institucioneve të pavarura. “Shpreha shqetësimin tim për frymën e presionit, kulturën dhe mendësinë e presionit ndaj institucioneve, kulturë e cila, për fat të keq, vihet re në komunikimin e deritanishëm ndaj drejtuesve të maxhorancës së re në raport me pothuajse çdo institucion publik, duke filluar nga më i larti, Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kolegji Zgjedhor, ILDKP, AMA e shumë e shumë institucione të tjera, ku duket se ka një revansh verbal, i cili duhet të frenohet menjëherë sepse është një mendësi e tejkaluar për shqiptarët dhe nuk mund të tolerohet në vitin 2013. Partia Demokratike qëndron dhe do të qëndroje fuqishëm në mbrojtje të institucioneve dhe jam i bindur se do të kem mbështetjen e gjithë partnerëve tanë europianë dhe euroatlantikë”, theksoi Basha. Kreu i PD-së konfirmoi gjithashtu qëndrimin e kësaj partie në proceset integruese të vendit. “Sigurova që PD është e vendosur të luajë rolin e vet konstruktiv në mbrojtje të trashëgimisë së saj, në raport me integrimin europian dhe në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për një proces të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bazuar mbi meritë, bazuar mbi performancë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura