Kokona kalon me LSI: Në PS ka një klikë diktatore

Feb 26, 2011 | 12:03
SHPËRNDAJE

Kryetari i minibashkisë nr.3 në Tiranë, Ilir Kokona, iu bashkua dje Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili i dorëzoi dje Kokonës teserën e LSI-së, ndërsa lajmëroi se rrjedhjet nga PS-ja drejt LSI-së do të vazhdojnë. Sipas Ramës, vendimi i Kokonës vjen pasi ai nuk mund të jetë pjesë e politikës së rrugës që ndjek Edi Rama. “Ilir Kokona është sot me mua për të deklaruar largimin nga PS-ja dhe distancimin prej politikës abuzive dhe keqpërdorimit të vlerave të PS-së dhe shndërrimit të tyre në instrument të rrugës dhe të dhunës”, u shpreh Rama, ndërsa i dorëzoi Ilir Kokonës teserën si anëtari më i ri i LSI-së. Ilir Kokona tha se “vij të kontribuoj për një fuqi të madhe drejtuese siç është maxhoranca, por absolutisht jam për një të majtë moderne dhe që kjo forcë politike e së majtës integruese të jetë fitimtare dhe të shkojë akoma më lart. Normal që të ikësh nga një Parti Socialiste, e cila as socialiste nuk mund të quhet tani, është fare e thjeshtë dhe mendoj se edhe të tjerë do të bëjnë këtë gjest, por besoj se do të kontribuojë për integrimin e Shqipërisë me gjithë këto lëvizje. Do të japim kontributin tonë, jo vetëm unë, por të gjithë socialistët e ndershëm, të cilët e shohin veten sot të zënë nga fyti, për të dhënë kontributin e tyre për Shqipërinë, për të mirën e vendit, dhe jo për një klikë diktatore në krye të PS-së, të cilëve është vështirë t’u thuash rrugaçë sot, sepse janë më keq”, u shpreh Kokona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura