Kokainë për VIP-at, dy në pranga

May 31, 2011 | 10:44
SHPËRNDAJE

Një biznesmen dhe një mik i tij u arrestuan mbrëmjen e së dielës në afërsi të Prokurorisë së Tiranës, teksa po ecnin në drejtim të makinës së parkuar tek rruga “Fortuzi” ku kishin 20 doza kokainë.Hajredin Sula, pronari i një lokali luksoz në Laprakë dhe shoku i tij Florian Ngjela, u kapën në befasi nga skuadra e Antidrogës. Menjëherë pas arrestimit, atyre iu komunikua urdhri për arrestimin me akuzën për “shitje lëndësh narkotike”. Arrestimi i dy personave është kryer gjatë operacionit të koduar me emrin  “Weekend” (Fundjava). Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Florian Ngjelës, atij iu gjetën 20 doza lëndë narkotike e llojit kokainë. Edhe 20 doza të tjera mësohet se janë gjetur në shtëpinë e tij. Policia sqaroi se nga hetimet e kryera ka rezultuar se dozat e drogës bliheshin me çmime mjaft të larta nga klientë VIP, që autorët kishin njohur në lokale dhe klube të ndryshme nate, në disa zona të njohura të Tiranës. Sipas hetuesve, klientë të rregullt të dy të arrestuarve janë disa artistë të njohur, madje edhe disa politikanë. Takimet me klientët kryheshin në tri pika kyçe të kryeqytetit, lokale që autorët i frekuentonin shpesh, por kryesisht në një lokal luksoz në Laprakë, i cili pavarësisht se administrohet nga një person tjetër, është në pronësi të Hajredin Sulës. Këtij të fundit, gjatë kontrollit që u krye në banesë, iu gjetën edhe armë pa leje, automatik model “56”, armë automatike e “Scorpions” me silenciator me 94 fishekë, 248 fishekë model 54 dhe 4 krehra me fishekë model “56”. Armët e sekuestruara janë dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës, ku do të kryhet ekzaminimi balistik i tyre, për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje. Burime nga Policia thanë se në deklarimet që dy të arrestuarit kanë dhënë pas ndalimit, janë shprehur se dozat me lëndë narkotike i kishin për përdorim vetjak, pasi ishin vetë përdorues, kryesisht në fundjavë, kur frekuentonin lokalet e natës. Nuk kanë pranuar se e shisnin kokainën dhe, faktin që me vete u është gjetur një sasi e madhe, e kanë argumentuar duke thënë se “qerasnin” miqtë e tyre, të cilëve ua ofronin gratis, pa paguar asnjë qindarkë. Ndërsa nuk kanë pranuar të tregojnë se nga cili e blinin vetë lëndën narkotike. Policia sqaroi se në shtëpinë e tyre, veç armëve, u gjetën doreza dhe maska, gjë që do të hetohet për ndonjë ngjarje tjetër kriminale që ata mund të kenë kryer.

Tiranë, kokaina shitet në “ambiente të mbyllura”

TIRANE – Kokaina konsiderohet si lënda narkotike e personazheve VIP. Kjo lloj droge ka efektin më të fortë, por edhe në tregun shqiptar, ashti si dhe jashtë vendit, shitet me çmimin më të lartë. Kjo e ka bërë kokainën “mall konsumi” për personazhet VIP që kanë mundësi financiare ta blejnë. Sipas të dhënave të Policisë, numri i përdoruesve të kokainës në Tiranë ka ardhur në rritje vitet e fundit. Ata zënë rreth 15 për qind të numrit total të narkomanëve. Në këtë rast, shpërndarja e lëndës narkotike është më e sofistikuar sesa kanabisi apo drogat e tjera. Sipas Policisë, për shkak se pagesat janë më të larta dhe përdoruesit personazhe VIP, shpërndarja e kokainës bëhet në ambiente të mbyllura për të ruajtur konfidencialitetin, por edhe për të shmangur gjurmimin nga policia.

Armët

Pas gjetjes së dy armëve në pronësi të Hajderin Sulës, policia e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me përdorimin e tyre të mundshëm në vepra penale. Dy armët automatike dhe disa sende të tjera të paligjshme u gjetën gjatë kontrollit rutinë të kryer në banesën e të akuzuarit për shitje të lëndëve narkotike. Sipas hetuesve dy armët e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje kriminale.

Aksioni

TE ARRESTUAR
Hajredin Skënder Sula, 38 vjeç
Florian Kristaq Ngjela, 33 vjeç

SEKUESTRUAR
• 40 doza lëndë narkotike e llojit kokainë

• Armë automatike model “56” me nr.4130969

• Armë automatike tip “Scorpions” e kalibrit 7.65 mm me nr.z7673, me silenciator

• Një krehër me 13 fishekë kalibër 7.65 mm

• 4 krehra dhe 248 fishekë

• 94 fishekë 9 mm

• Dy maska dhe dy palë doreza

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura