Kokaina rekord, ministria e Drejtësisë dërgon në Gjermani kërkesën. Kur pritet të ekstradohet Arbër Çekaj

May 14, 2018 | 20:19
SHPËRNDAJE

Ministria e Drejtesise ka nisur kerkesen autoriteteve gjermane per ekstradimin e Arber Cekajt.

Pak dite me pare, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi dosjen në ngarkim të Arbër Çekajt në Ministrinë e Drejtësisë.

Cekaj

Bëhej fjalë për dosjen dhe kërkesën për ekstradimin e Çekajt, i cili u arrestua në Gjermani, ku edhe fshihej.

Çekaj akuzohet se është porositësi i 613 kg kokainë, të sekuestruar në Maminas të Durrësit. Droga ishte fshehur në dyshemenë e kontenierit me banane të importuara nga Kolumbia.

Me dergimin e dosjes ne Ministrinë e Drejtësisë, pritej që ajo të përkthehej në gjuhën gjermane dhe t’u dërgohej gjykatave atje.

Pasi të njihen me dosjet, autoritetet gjermane do të vendosin që të ekstradojnë Arbër Çekajn.

Kjo pritet të ndodhë brenda 15 ditësh. Në Shqipëri, janë arrestuar shoferi i kamionit që transportonte kontenierin në magazinën e Maminasit, si edhe menaxheri i firmës “Arbëri Garden”.

Çekaj është i dyshuari kryesor për 613 kg kokainë të gjetur në kontejnerin e ardhur në fund të shkurtit në Portin e Durrësit. Por, pas tij dyshohet se fshihen edhe persona të tjerë. Deri më tani, shoferi Pezaku dhe menaxheri Lushaj kanë mohuar të kenë patur dijeni për drogën. Në bazë të provave të grumbulluara, mbi pakot e kokainës janë gjetur mbishkrime të ndryshme në formë kodesh. “777”, “KE”, “020”, “CA 17”, janë disa nga kodet e shënjuara sipër mbështjellëses së pakove me lëndë narkotike. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka dyshime se droga që mbërriti më 19 shkurt në Portin e Durrësit, ishte porositur nga të paktën 20 persona, që momentalisht po hetohen me metodat speciale nga ana e Antidrogës.

Përpara se të vinte në Shqipëri, kontenieri me drogë ka ndaluar në Portin e Livornos dhe më pas në Maltë. Kur ka mbërritur në Portin e Durrësit, ka patur dyshime për të nisur nga skaneri, që tregonte ndërhyrje në pjesën fundore të tij. Agjentët doganorë, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda e kanë hapur kontenierin dhe kanë zbuluar drogën. Më pas, ata kanë vendosur dorëzimin e komanduar të tij, për të mësuar mbi personat që do ta tërhiqnin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura