“KLSH nuk kërkon të auditojë subjektet private”

Mar 31, 2014 | 12:16
SHPËRNDAJE

BUJAR LESKAJ

  Analiza e kreut të Kontrollit të Shtetit për ligjin e ri

Leskaj: Ne kërkojmë të auditojmë vlerësimin tatimor, i cili kryhet nga administrata tatimore

Duke theksuar që në fillim mbështetjen e madhe që të gjithë deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat i kanë dhënë projektligjit të ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), një keqkuptim po aq i madh për një çështje thelbësore të auditimit të jashtëm publik, atë të aksesit në informacion, më shtyn të shkruaj këto rreshta. Duke pohuar që në fillim: Jo! KLSH nuk kërkon të auditojë subjektet private! Gjatë diskutimeve në Komision e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, aksesi i KLSH-së në informacionin e organeve tatimore mbeti i paqartë. Disa deputetë shprehën mendimin se qasja e pakufizuar e KLSH-së në të dhënat e organeve tatimore mund të dëmtojë interesat e tatimpaguesve privatë. Këto opinione u përcollën me të drejtë nga mediat. U krijua përshtypja në një pjesë të opinionit publik se KLSH do të auditojë subjektet private.

* * *

Jo, ne nuk kërkojmë të auditojmë subjektet private! Ne gjykojmë se ky është një keqkuptim. Si institucioni publik më i lartë auditues në vend, KLSH gëzon me Kushtetutë të drejtën për të audituar mënyrën se si vilen të ardhurat publike. Ne kërkojmë të auditojmë, sikurse u shpreh me plot të drejtë deputeti Florjon Mima, vlerësimin tatimor, i cili kryhet nga administrata tatimore, dhe nuk kërkojmë të auditojmë vetëdeklarimin tatimor, i cili kryhet nga tatimpaguesit privatë. E garantojmë opinionin publik, tatimpaguesit shqiptarë, Kuvendin dhe të gjithë partnerët tanë, se në asnjë rast nuk do të merremi me subjektet private, nuk do kërkojmë të shikojmë, ndërhyjmë në subjektet private, pasi kjo është shkelje flagrante e standardeve tona profesionale. Ne auditojmë performancën e administratës tatimore, auditojmë vlerësimin tatimor, natyrisht, edhe duke u njohur me dosjen, vetëdeklarimin tatimor të subjekteve private, sikurse veprojnë të gjitha institucionet simotra europiane. Dhe natyrisht, duke ruajtur konfidencialitetin e kësaj dosjeje, duke mos ndërhyrë për verifikime në të dhe duke mos kryer ato që me të drejtë ish-ministri i Financave, Rdivan Bode, i quajti “vizita fiskale në subjekte”.

* * *

E drejta e KLSH-së për të shqyrtuar çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për auditim, edhe në fushën e tatimeve, është e garantuar në ligjin aktual të institucionit. Kjo e drejtë u konfirmua së fundi edhe nga vendimi gjyqësor i Gjykatës së Apelit Tiranë, i tetorit 2013, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet KLSH dhe organeve të administratës tatimore. Gjatë gjithë këtyre viteve, KLSH ka pasur akses të plotë në çdo informacion apo dokumentacion zyrtar, përfshirë këtu edhe ato që përbënin sekret shtetëror dhe konfidencial. I vetmi institucion që bënte përjashtim nga ky rregull, kanë qenë organet tatimore, të cilat e mbështesnin refuzimin për të dhënë informacion mbi një urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve të vitit 2009 dhe një vendim të Gjykatës së Apelit të vitit 2009. Është e pajustifikueshme që institucioni suprem i auditimit publik në vend, që auditon dokumentacion që përbën sekret shtetëror të Ministrisë së Rendit, Mbrojtjes dhe SHISH, të ndalohet tani me ligj që të mos njihet me dokumentacionin në lidhje me vlerësimin për tatimpaguesit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimeve të tij, njihet vazhdimisht me informacione konfidenciale të tatimpaguesve, sikurse ndodh rëndom në auditimet tona në dogana dhe në procedurat e prokurimit publik. Këto informacione janë të domosdoshme, për të kryer një auditim profesional dhe efikas, për interesat e vet Kuvendit dhe qytetarëve. Kjo e drejtë është e sanksionuar edhe në ligjin nr. 9920 dt. 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 24. Informacionin tatimor e kërkojnë me forcë që të jetë sa më i plotë edhe standardet ndërkombëtare të auditimit, dhe pikërisht neni 20 “Auditimi tatimor”, pika 1, i Deklaratës së Limës (e konsideruar Kushtetuta e institucioneve të auditimit të jashtëm shtetëror), që shprehet: “Institucionet supreme të auditimit, kanë të drejtë të auditojnë mbledhjen e taksave sa më gjerë që të jetë e mundur”. Refuzimi kategorik i organeve tatimore për t’i dhënë KLSH-së informacion, është në kundërshtim dhe me kërkesat e parimit 4 “Për një qasje të pakufizuar në informacion”, të Deklaratës së Meksikos për Pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, që thotë se: “Institucionet Supreme të Auditimit duhet të kenë një qasje të drejtpërdrejtë dhe të lirë në të gjitha dokumentet dhe informatat e nevojshme, për kryerjen e duhur të përgjegjësive të tyre statutore”. Auditimet e filluara nga ne gjatë këtyre pesë viteve të fundit në organet tona tatimore, kanë dështuar pikërisht si rezultat i mosdhënies së këtij lloj informacioni. Organet e administratës tatimore, në interpretim të gabuar të detyrimit të tyre për ruajtjen e informacionit konfidencial, kanë zbatuar deri më sot një standard të dyfishtë, pasi këto informacione ia kanë kaluar strukturave të tyre të brendshme audituese, ndërsa ia kanë mohuar KLSH.

* * *

Për degradimin e raporteve organe tatimore- KLSH në vitet 2007-2009, si dhe për sjelljen e audituesve të KLSH në vitet e mëparshme 2005-2011, natyrisht qe nuk mbaj përgjegjësi dhe nuk mund të prononcohem për arsye etike, por duhet të theksoj se, në rast se që nga viti 2009 deri në tetor 2013, administrata jonë tatimore e justifikonte ligjërisht mosdhënien e informacionit të kërkuar nga ne, me vendimin nr. 98, datë 20.10.2009 të Gjykatës së Apelit Tiranë, tashmë çdo veprimi i tillë bie në kundërshtim të plotë me vendimin nr. 83, datë 20.10.2013 të po kësaj Gjykate. Krahas gjithë veprimtarisë së KLSH, për sjelljet dhe etikën e audituesve të institucionit, mbaj dhe do të mbaj përgjegjësi të plotë morale, ligjore dhe profesionale nga fillimi i vitit 2012 e më tej.

* * *

Rrjedhojë e keqkuptimit (nga disa) dhe e qëllimit “për të ruajtur” të paprekur administratën tatimore (nga disa të tjerë), deputetët në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ishin të mendimit se neni 25 i projektligjit të ri të KLSH-së, i cili ka të bëjë me të drejtën e KLSH-së për qasje të pakufizuar në të dhënat e institucionit që auditohet, duhet të reduktohet, pasi kjo qasje është në kundërshtim me ligjin e procedurave tatimore dhe kërkesat e ligjit mbi sekretin shtetëror. Megjithatë, ata vendosën t’i kërkojnë mendim Komisionit të Ligjeve të Kuvendit, për të qenë më të sigurt në qasjen e tyre.

* * *

Theksojmë se, nëse neni 25 i ligjit të ri do të reduktohet, do të ndodhemi përpara një situate të rrezikshme, ku KLSH-së do t’i mohohet e drejta për të audituar ecurinë e të ardhurave kryesore të shtetit, atyre tatimore. Janë mbi 700 milionë euro taksa të vjela çdo vit nga organet tatimore (mesatarisht çdo vit mbi një të tretën e të ardhurave totale të buxhetit të shtetit), mbledhjen e të cilave, performancën e administratës tatimore, nuk po arrijmë ta auditojmë që nga viti 2009. Kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjitha institucionet dhe forcat politike në Shqipëri. Projektligji i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka njohur një punë intensive disavjeçare, me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Bashkimit Europian (DG-Budget, e cila mbulon dhe auditimin e jashtëm publik në vendet e BE-së) dhe të programit SIGMA (mbështetje për përmirësim në qeverisje dhe menaxhim) po të BE-së dhe OSBE-së. Pasi është marre miratimi i tyre si një draft ligj në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare INTOSAI të auditimit suprem publik, ne e dërguam në Kuvend për shqyrtim, në fund të muajit nëntor 2012.

* * *

Duam të falënderojmë kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta, për mbështetjen e veçantë dhe të plotë që na dha, duke e shpluhurosur këtë projektligj, themeltar për ne, i cili priste prej afro një viti në Kuvend. Projektligji i ri ka marrë mbështetje të gjerë nga deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Këtë e ndjemë gjatë gjithë kohës. Ne si KLSH i falënderojmë ata për pozicionin e tyre konstruktiv. Falënderojmë të gjithë anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, duke filluar nga kryetari i Komisionit dhe relatori i projektligjit, Erjon Braçe, deputetët Ridvan Bode, Anastas Angjeli, Florjon Mima, Dashamir Shehu, Edmond Spaho, Liljana Elmazi, Sherefedin Shehu, Paulin Stërkaj, Përparim Spahiu, Arben Çuko, Andrea Marto, Ervin Koçi, Albana Vokshi, Agron Çela, Jorida Tabaku, Evis Kushi, Ilir Xhakolli, Igli Cara, Majlinda Bufi, Blerina Gjylameti, Pjerin Ndreu, Gjovalin Kadeli, për mendimet, propozimet që sollën disa prej tyre, si dhe për qëndrimin tejet pozitiv të të gjithëve ndaj KLSH-së, pavarësisht debatit për çështjen e sipërcituar, e cila besoj se do të zgjidhet mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare të auditimit, veçanërisht Deklaratat e Limës dhe Meksikos.

* * *

Duke u kthyer te qëllimi i këtij shkrimi dhe te rikonfirmimi se: Jo! KLSH nuk kërkon të auditojë subjektet private! Dua të shtoj dhe një pyetje për diskutim: Në rast se KLSH do të pengohet me ligj të auditojë administrimin tatimor për procesin e mbledhjes së të ardhurave, cili organ i jashtëm publik do ta audiojë këtë proces? Apo, me vullnet epror, administrata tatimore, drejtuesit e saj duhen konsideruar të paprekshëm, të pakontrollueshëm nga askush? Dhe ne duhet të shkojmë kundër standardeve ndërkombëtare në çështjen e auditimit të autoriteteve tatimore?!

* * *

Dëshiroj t’i mbyll këta rreshta me këndvështrimin e z. Robert Gielisse, drejtor i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm Publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DGBudget) në Komisionin Europian, përmbajtur në një letër drejtuar KLSH-së dy ditë më parë: “Komisioni Europian u jep rëndësi të madhe reformave aktualisht në proces në sektorin publik në Republikën e Shqipërisë. Reformat e Kontrollit të Brendshëm Publik Financiar synojnë të rrisin efektivitetin e mbrojtjes së interesave financiare të Republikës së Shqipërisë dhe DG-Budget njeh si plotësisht thelbësor rolin e institucionit suprem të auditimit të Shqipërisë (KLSH) në këtë drejtim”….”Ne jemi të mendimit se duke kufizuar qasjen e pakufizuar në informacion të KLSH-së, sikurse është propozuar tani, do të shkohet në mënyrë të qartë kundër standardeve ndërkombëtare, në çështjen e informacionit të mbajtur nga autoritetet tatimore. Neni 20 i Deklaratës së Limës është shumë i qartë: një SAI (pra një KLSH-shën. i përkth.) është i autorizuar për të kryer në thellësi auditimet në tatime, duke përfshirë shqyrtimin e dosjeve individuale”. …”Palët e interesuara duhet të mos kenë shqetësime në lidhje me konfidencialitetin që ruajnë KLSH-të, pasi është rregull i INTOSAIt ta marrë atë parasysh, duke përfshirë një kod të detyrueshëm të sjelljes për të mbrojtur konfidencialitetin e informacionit në lidhje me individët, i kufizuar në përdorim nga kërkesa penale. Është e rëndësishme të nënvizohet që qasja e pakufizuar në informacion është një aspekt themelor i pavarësisë funksionale të një institucioni suprem auditimi (SAI/ KLSH-je , e cila është thelbësore për ta lejuar SAI-n të bëjë punën e tij në mënyrën më efektive, në mbrojtje të interesave financiare të shtetit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura