KLSH: Koncesionet u përdorën për tregti, dëm 6.8 milionë euro

Apr 30, 2014 | 13:30
SHPËRNDAJE

Kreu i KLSH, Leskaj
Koncesionet përbëjnë tani ndoshta historinë reale të dështimit të një projekti të lakuar aq shumë, që do ta kthente Shqipërinë në një superfuqi energjetike. E kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por buxhetit i janë shkaktuar 6.8 milionë euro dëme nga moszbatimi korrekt i kontratave të dhëna dhe ligjeve që rregullojnë këtë marrëdhënie. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditimi që ka kryer për periudhën tetor 2011-dhjetor 2012 ka dalë në një sërë konkluzionesh aspak pozitive. “Nga auditimi, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej 956 milionë lekësh, ose afërsisht 6.8 milionë euro. U konstatua një nivel i ulët i realizimit të investimeve për shumë nga koncesionet e dhëna. Për këtë mosrealizim në afatet e parashikuara sipas kontratave koncesionare, janë llogaritur penalitete në masën 10 % të vlerës së investimit të munguar, të cilat duhet të arkëtohen nga 10 shoqëri koncesionare në shumën 578 milionë lekë”, thuhet në njoftimin e KLSH. Por, ky nuk duket të jetë problemi i vetëm. Për dy kompani të tjera nuk është kontabilizuar dhe kërkuar detyrimi nga dy koncesione në fushën e bakrit. Po kështu, nuk janë arkëtuar penalitetet për kompani që nuk kanë respektuar kontratat. KLSH gjithashtu ka zbardhur edhe atë që është lakuar shpesh si tregtia e licencave në koncesione. “Nga auditimi i kryer në monitorimin e kontratave koncesionare, janë konstatuar raste të transferimit të aksioneve deri në masën 100% (edhe menjëherë pas lidhjes së kontratës koncesionare), duke ruajtur vetëm emrin e shoqërisë koncesionare të krijuar mbas lidhjes së kontratës koncesionare me fituesin dhe duke i lënë formalisht të drejtat e detyrimet kësaj të fundit, në cenim të plotësimit të marrëdhënieve kontraktuale dypalëshe”, vlerëson KLSH. Lidhur me këto gjetje, KLSH ka bërë edhe rekomandimet pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura