Klosi: Jemi pro asistencës nga Komisioni i Venecias

May 31, 2011 | 12:04
SHPËRNDAJE
Klosi dje, gjatë konferencës për shtyp

Partia Socialiste u shpreh e gatshme të pranojë asistencën e Komisionit të Venecias në ndihmë të vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor.Sekretari Organizativ në Partisë Socialiste, Blendi Klosi, përkrahu deklaratën e bërë pak ditë më parë nga kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan. “Partia Socialiste i falënderon edhe njëherë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, që janë shprehur qartë për prishjen e integritetit të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Ne e mirëpresim edhe propozimin e bërë nga përfaqësues të lartë të politikës europiane për përfshirjen e Komisionit të Venecias në përpjekjen për t’i shpëtuar zgjedhjet e 8 majit nga qorrsokaku ku i ka futur Saliu me Ristanin dhe për të dhënë opinionin e kualifikuar e të pakorruptueshëm juridik lidhur me të ashtuquajturat vota të hedhura gabim, të cilat janë konsideruar të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë dhe u bënë të vlefshme kur loja mbaroi, në kohën shtesë të imponuar nga Saliu, jo për të dëgjuar zërin e çdo qytetari, por për ta pushtuar edhe Tiranën siç pushtoi Shqipërinë në vitin 2009, duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Klosi. Sekretari Organizativ në PS përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Berisha dhe kreun e KQZ-së Arben Ristani, se kanë kryer masakër elektorale me votat e banorëve të kryeqytetit. Para gazetarëve, Klosi paraqiti dhe faktet që socialistët kanë mbledhur sa u përket manipulimeve që janë bërë me numërimin e votave. Ai publikoi një tabelë me qendra votimi në Tiranë, ku numri i zgjedhësve nuk përputhej me votat e hedhura në kuti. “Jam këtu për të vazhduar transparencën e filluar prej nesh me publikun mbi vjedhjen e kryer nga Arben Ristani në tavolinë për të përmbysur rezultatin e Tiranës dhe kthyer Lulzim Bashën nga humbës në fitues. Shifrat, jo fjalët; numrat, jo argumentet juridike; faktet e 117 kutive të hapura nga Ristani për të vjedhur me urdhër të Saliut, flasin qartë. Çorbë të pangrënshme ka gatuar Saliu me Ristanin duke përzier fletë të gjetura dhe fletë të futura me dorë tri ditë pas shpalljes së Edi Ramës fitues në sytë e gjithë botës, me 10 vota plus”, u shpreh Klosi. Nisur dhe nga vendimmarrja e zgjedhjeve të vitit 2009 lidhur me transparencën e zgjedhjeve parlamentare, socialistët nuk kanë shumë besim te Kolegji Zgjedhor. Madje kreu socialist, Rama, i ka kërkuar Kolegjit të bëjë drejtësi dhe të njohë rezultatin e dalë nga kutia e fundit, që e nxirrte atë në avantazh me 10 vota. Ndryshe, sipas tij, socialistët do të udhëheqin popullin në protesta popullore deri në rrëzimin e kësaj qeverie. Pas zgjedhjeve të 2009-s, fillimisht Partia Socialiste nuk e pranoi propozimin e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotit Cavusoglu, për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias, për të interpretuar fatin e fletëve të votimit, nëse kutitë duhen hapur apo jo. Muaj më vonë, Partia Socialiste u shpreh përmes kreut të Grupit Parlamentar, Ruçi, se kjo forcë politike do t’i drejtohet vetë Komisionit të Venecias nëse kutitë e fletëve të votimit mund të hapen ose jo. Për mungesë kompetence të Partisë Socialiste për t’iu adresuar Komisionit të Venecias, kërkesa nuk u bë asnjëherë, ndërsa kutitë e votimit të zgjedhjeve të 2009-s u hapën për t’u bërë gati për zgjedhjet administrative të 8 majit 2011. Materialet zgjedhore iu drejtuan Arkivit të Shtetit, ndërsa fletët e votimit u dogjën.

Konkluzionet e PS për 117 kuti

357 fletë votimi më shumë se votues

Në 45 QV ka 322 vota më tepër në katër kutitë e votimit;

Në 53 QV ka 436 vota mangët në katër kutitë e votimit;

Në 19 QV ka përzierje votash të subjekteve, që janë objekt i votimit.

Njësia Nr. 6, rezultojnë 43 vota më shumë se votues

Njësia Nr. 8, rezultojnë 46 vota më shumë se votues

Njësia Nr. 3, rezultojnë 38 vota më shumë se votues

Njësia Nr. 2, rezultojnë 38 vota më shumë se votues

Venecia jep opinione për ligjshmërinë e akteve

Komisioni i Venecias është institucion këshillimor pranë Këshillit të Europës i cili vihet në lëvizje nga gjykatat kushtetuese të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, ose nga Presidenti i Këshillit të Europës. Opinionet e Komisionit të Venecias bëjnë ballafaqime me legjislacionet dhe precedentët e gjykimeve duke përcaktuar një standard gjykimi. Komisioni i Venecias nuk merr vendime, ai ka vetëm atribute këshillimore. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i është drejtuar disa herë Komisionit të Venecias për çështje shumë delikate, si ligji i legalizimeve, por dhe ligji i legjislacionit. Mbi bazën e opinioneve të dhëna nga Komisioni i Venecias, gjykata është orientuar në vendimmarrjen e saj.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura