‘Kjo tokë do lahet me gjak’, si e pësoi pas kanosjes i “forti” i Shijakut

Nov 3, 2017 | 21:56
SHPËRNDAJE

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 2 vjet burgim Ednor Gjergjin, personi që rrahu dhe i vuri gjobë një fermeri në fshatin Radë të Shijakut. Vendimi u dha ditën e djeshme, ndërsa prokurori Eugen Beçi kishte kërkuar 3 vjet burgim për të.

Gjykata e Tiranes
Gjykata e Tiranes

Ngjarja për të cilën u dënua Gjergji ka ndodhur më 30 shtator të vitit të shkuar. A. Huqi kishte shitur një sipërfaqe toke te një banor i zonës në Radë të Shijakut dhe atë ditë kishte shkuar tek ai për të marrë misër.

Ai shoqërohej edhe nga bashkëshortja kur në takim është shfaqur edhe Ednor Gjergji. Ky i fundit i ka thënë Huqit se ai ishte ndërmjetës në shitjen e tokës dhe kërkonte 5 mln lekë të vjetër nga ai. Huqi ka refuzuar t’i japë para Gjergjit, ndërsa ky i fundit e ka sulmuar fizikisht në prani të bashkëshortes, duke e goditur me grushte dhe duke e kërcënuar se do ta vriste nëse nuk i jepte paratë.

“Ose më jep 5 mln lekë, ose do të të vras tani, do t’ju zhduk nga faqja e dheut, do të lahet kjo tokë me gjak”, mësohet ta ketë kërcënuar Ednor Gjergji bashkëfshatarin e tij. Nga rrahja, Huqi ka rënë pa ndjenja dhe është dërguar në spital. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi ta dënojë me 2 vjet burg Gjergjin për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura