Kisha Katolike, “gjuhë” të reja për të afruar njerëzit

Sep 30, 2011 | 11:56
SHPËRNDAJE
Imzot Rrok Mirdita dje gjatë Asamblesë së Arqipeshkëve të Europës

“Të flasim gjuhët e reja të komunikimit”. Kjo është detyra që Kisha Katolike i ka vënë vetes në këtë shekull të 21-të, me qëllim për-hapjen e Ungjillit dhe qasjen e sa më shumë njerëzve rreth vetes. Nisi dje në Tiranë Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, e cila do të zhvillojë punimet deri në datën 2 tetor. Janë katër ditë kushtuar “Ungjillizimit të ri”, që parashikon një qasje të re te njerëzit, për t’u përçuar mesazhin paqes, dashurisë dhe sakrificës, që Krishti solli në botë 2000 vjet më parë. Zhvillimi i kësaj Asambleje në Tiranë përbën një ngjarje të veçantë për Kishën Katolike shqiptare, por edhe për Shqipërinë, e cila gjatë këtyre ditëve pret 33 anëtarë të kësaj Asambleje nga gjithë Europa. “Kur i kam drejtuar Këshillit të Konferencave Iveshkvnore Europiane ftesën për të mbajtur Asamblenë Plenare në Tiranë, kisha parasysh dy gjëra: Së pari, mesazhin që kjo mbledhje do t’i jepte Shqipërisë. E mesazhi është ky: Kisha Katolike në Europë e konsideron Shqipërinë, (jo vetëm Kishën katolike në Shqipëri) si një pjesë të vyer të këtij kontinenti. Dhe së dyti, mesazhin që Shqipëria i jep Europës”, tha Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranës dhe i Durrësit, dje gjatë një konference për shtyp, që i parapriu hapjes së Asamblesë. Sipas Mirditës, lartësimi i materiales në dëm të përkujdesjes për gjërat e përjetshme e çon njeriun dhe shoqërinë drejt një vdekjeje të ngadaltë. Për të shpjeguar këtë, ai solli shembullin e përvojës që kanë pasur shqiptarët me materializmin marksist, pasojë e së cilit ishte zbrazëtia shpirtërore. Në hapjen e punimeve të Asamblesë, përshëndeti edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili e vlerësoi zhvillimin e Asamblesë në Tiranë si një ngjarje shumë të rëndësishme. Sipas tij, kjo është ngjarja më e madhe që prej ardhjes së Papës në Shqipëri. “Në historinë mes shqiptarëve dhe Kishës, ngjarja e sotme, pas vizitës së Papa Gjon Palit në prill të vitit 1993, është dhe ngjarja më e rëndësishme. Na bëni krenarë me praninë tuaj në kryeqytetin tonë”, tha Kryeministri.
Nevoja e Ungjillizimit
Sipas kardinalit Peter Erdo, president i ÇEE-së, Asambleja, e cila shërben për ndarjen e eksperiencave dhe gjetjen e rrugëve të reja, çdo vit trajton tema të ndryshme, si zhvillimet demografike në Europë, martesa, familja, raportet e kishës me shtetin etj., për këtë vit është zgjedhur tema e ungjillëzimit. Sipas Erdo, në kushtet e ndryshimeve demografike në Europë, mund të ketë shumë njerëz, të cilët nuk kanë dëgjuar kurrë për ungjillin, ndaj është detyrë e kishës të shkojë tek ata. “Sot vihet re një ndryshim i madh antropologjik i kontinentit. Më parë, njerëzit i vinin më shumë rëndësi fjalës së folur e të shkruar, sot njerëzit janë më të hapur ndaj mënyrave të ndryshme të komunikimit dhe ne duhet të flasim të gjitha këto gjuhë komunikimi. Duhet të flasim gjuhët e sotshme, pa harruar fjalën e shkruar dhe arsyetimin”, tha Erdo. Ai solli eksperiencat pozitive të mëparshme për realizimin e të cilave është bashkëpunuar edhe me komunitete jofetare, duke realizuar koncerte, ekspozita të artit kristian në muze, Parlament etj. “Tregimi i ungjillit bëhet i mundur vetëm me anë të takimit me të tjerët, takim që përfshin jetën tënde dhe prek jetën e tjetrit. Këtë ka bërë Krishti me apostujt, këtë duhet të bëjnë të krishterët. Kjo përfshirje duhet të jetë e plotë, deri në martirizim, sikurse ka ndodhur më herët në krishterim, sikurse ka ndodhur dhe së voni me të krishterët shqiptarë”, tha Imzot Rrok Mirdita.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura