KESH i “fal” CEZ-it 33 milionë dollarë

Jun 30, 2012 | 14:05
SHPËRNDAJE

Çmimi me të cilin KESH e shet energjinë te CEZ-i do të ulet nga 2.8 lekë për kilovat, në 2.2 lekë. Vendimi është marrë dje nga Bordi i Komisionerëve i Entit Rregullator të Energjisë, duke vlerësuar se efektet e tij do të shtrihen që nga janari i vitit 2012. Pra, kompanitë do të bëjnë një axhustim të llogarive të tyre, çka do të thotë që ato mund të bien dakord mes njëra-tjetrës për të shlyer diferencat. Vlera prej 0.6 lekësh do të përllogaritet për të gjithë kilovatët që KESH i ka shitur CEZ-it gjatë këtij viti, dhe vlera që do të rezultojë do të konsiderohet nga kompanitë ose si shuarje borxhesh aktuale, ose energji që nuk “do të paguhet”.
Sa para i fal KESH-i CEZ-it
Sipas kontratës me të cilën shteti e shiti ish–OSSH-në, aktualisht CEZ Shpërndarje, Korporata Elektroenergjetike duhet që të mbulojë 70 për qind të konsumit në vend, ndërsa pjesën tjetër CEZ është e detyruar që ta sigurojë nga importi. Me një llogaritje të thjeshtë, ulja nga 2.8 lekë për kilovat në 2.2 lekë për kilovat e energjisë që KESH i shet kompanisë CEZ, do të sjellë një përfitim miliona dollarë për këtë të fundit. Përgjithësisht konsumi në vend vit pas viti ka pasur një tendencë rritjeje me 5 për qind, por si shembull do t’i referohemi vitit 2011. Sipas statistikave të INSTAT-it, gjatë vitit 2011 në vend konsumi ishte 7.5 miliardë kilovat/orë, dhe nga këto vetëm 70 për qind e ka siguruar KESH, që korrespondon me  nivelin 5.25 miliardë kilovat/orë energji. Në fillim të vitit 2012, tarifa që KESH i shiste energjinë CEZ-it ishte 2.83 lekë/kilovat, që është gati 148 milionë dollarë si vlerë. Me uljen në 2.2 të tarifës së shitjes së energjisë nga 5.25 miliardë kilovatët, KESH do të marrë 115 milionë dollarë, çka rezulton të jetë 33 milionë dollarë. Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë i shtrin efektet që nga janari i këtij viti. Rregullimi i tarifës erdhi edhe për faktin që KESH ka mundur që gjatë muajve maj dhe qershor të eksportojë energji në vlerën 20 milionë dollarë, duke rregulluar bilancin e tij. Në shtator pritet që sërish të ketë një rishikim të tarifave përshtatur me zhvillimet që do të vijojnë. Aktualisht CEZ është kompania që ka bërë propozim më konkret, kurse OST dhe KESH ende nuk e kanë një të tillë, edhe pse afati sipas ERE-s është në përfundim.
Pse ndryshoi tarifa
Ndryshimi i tarifës së energjisë me të cilin CEZ blen energji nga KESH-i erdhi pas një sërë zhvillimesh. Operatorët në tregun e energjisë ishin të zhytur në borxhet e njëri-tjetrit. CEZ-i nuk e paguante KESH-in për energjinë, KESH nuk mund të blinte energji për shkak të mungesës së financimit dhe në krye qëndronte qeveria, që nuk kishte shlyer detyrimet ndaj kompanisë së shpërndarjes. Pas një sërë takimesh dhe mbërritjes në Tiranë të Kryeministri çek, duket se u arrit edhe një marrëveshje, por fjala më me peshë duket se ka qenë ajo e Bankës Botërore. Kjo e fundit, si një nga garantueset e privatizimit të ish-OSSH-së, ka sugjeruar që të rikonsiderohej borxhi i keq i CEZ-it. “Enti Rregullator pati komunikim me Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, duke konsideruar kuadrin ligjor dhe korrespondenca me Bankën Botërore për minimizimin e riskut ndaj ekspozimit në procese gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji. Ky ent mori parasysh sugjerimin e bërë nga Banka Botërore për rikonsiderimin e borxhit të keq dhe niveleve përkatëse të tij sipas supozimeve të studimit dhe akomodimin e efekteve financiare që rrjedhin nga rikonsiderimi i borxhit të keq”, u shpreh dje drejtori juridik i ERE-s, Eduard Elezi.

Efektet e uljes së çmimit
Konsumi vjetor i energjisë

7.500.000.000 kilovatë/orë

Pjesa që KESH duhet t’i sigurojë CEZ
(70% e konsumit)
5.250.000.000 kilovatë/orë

Vlera që KESH merr aktualisht për energjinë që i shet CEZ
5.250.000.000 kilovatë/orë x 2.83 lekë/kilovat
= 14.857.500.000 lekë (rreth 148 milionë USD)

Vlera që KESH do të marrë për energjinë që i shet CEZ pas ndryshimit të çmimit
5.250.000.000 kilovatë/orë x 2.2 lekë/kilovat
= 11.550.000.000 lekë (rreth 115 milionë USD)

Humbja nga ulja e çmimit nga 2.83 lekë/kilovat në 2.2 lekë/kilovat
14.857.500.000 lekë – 11.550.000.000 = 3.307.500.000 lekë (rreth 33 milionë USD)

Enti Rregullator: KESH ble energji të shtrenjtë
Gjatë diskutimit të djeshëm në mbledhjen e Bordit të Komisionerëve të ERE-s, njëri nga komisionerët, Ardian Haçi, shprehu rezerva për mënyrën se si vepron Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për blerjen e energjisë. Duke iu referuar shifrave të importit dhe çmimeve të negociuara nga kompanitë, ai theksoi se KESH ka blerë energji me çmime më të shtrenjta dhe nuk është se i ka kushtuar shumë rëndësi negocimit për çmime më të lira. Ndërsa për CEZ ai theksoi se kompania, duke qenë private, kujdeset më shumë për portofolin e saj dhe se blerja e energjisë është arritur me çmime më të lira. Të gjitha këto detaje erdhën pas leximit të përfundimeve në të cilat kishte dalë grupi i punës i ERE-s, që sugjeroi uljen e çmimit për furnizuesin me shumicë të energjisë për KESH-in nga 2.8 lekë në 2.2 lekë. Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, për pjesën më të madhe të muajve nga ana e KESH-it dhe CEZ-it është importuar energji për të plotësuar kërkesat në vend. KESH nuk ka mundur që të sigurojë çmime të lira në kontratat e saj e pafavorizuara, edhe nga situata jo e mirë hidrike e gjithë rajonit, kurse kompania “CEZ” ka siguruar çmime më të mira, duke përdorur emrin e kompanisë mëmë mjaft e fuqishme në rajon. Gjatë takimit të ditës së djeshme në Bordin e Komisionerëve të ERE-s u vu re mungesa e përfaqësuesve të KESH-it, të cilët nuk ishin të pranishëm për të dëgjuar vendimin. Bordi i Komisionerëve ,edhe për këtë fakt shprehu rezerva, duke theksuar se do të ishte mirë që KESH të ishte prezent që më vonë të shmangen ankesat që pasojnë në raste të tilla.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura