Kërcënimi me Republikë në Veri të Kosovës

Nov 30, 2011 | 13:03
SHPËRNDAJE

BLERIM SHALA
Mund të ndodhë. E mund edhe të mos ndodhë. Por që ekziston mundësia të ndodhë, kjo është e vërtetë. Si një lloj kërcënimi real, kjo do të duhej të ndikonte thelbësisht në zhvillimet në Kosovë ditët dhe javët e ardhshme. Mos edhe më gjatë. Së paku nga perspektiva e Beogradit zyrtar. Në këtë mënyrë, një diplomat perëndimor që shërben në Prishtinë ka komentuar spekulimet për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës së Veriut nga ana e politikanëve serbë të kësaj pjese të Kosovës…
Ditët e kaluara, teksti i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së këtij “shteti” u bë i ditur për opinionin tok me deklaratat paralajmëruese të Oliver Ivanoviçit, sekretarit të Shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, dhe ato të tjerat (deklarata), kërcënuese të Ivica Daçiçit, zëvendëskryeministrit të Serbisë, ku madje pohohet që as lufta nuk bën të përjashtohet si opsion për mbrojtjen e Veriut të Kosovës. Me gjasë, Daçiçi është goxha i inkurajuar me përbuzjen që po e pëson KFOR-i, misioni i paktit NATO në Kosovë, në përpjekjet e tij të palodhshme që në mënyra paqësore t’i heqë qafe barrikadat në Veri të Kosovës, të cilat janë duke dëmtuar, përditë e më shumë, imazhin e KFOR-it, që gjithmonë ka pasur shkallë të besueshmërisë te qytetarët e Kosovës që i afrohej 80 përqindëshit. E tëra kjo, siç mund të paramendohet, nuk është pa sherr. Dhe këtu nuk bëjnë aspak punë komentet a interpretimet e llojit që Veriu i ka dalë duarsh Beogradit zyrtar, edhe me kësi lloj të propozimeve, sepse kjo nuk është aspak e vërtetë. Serbia është në Veri të Kosovës, me të gjitha kapacitetet politike, financiare, organizative dhe të sigurisë. Nga përmbajtja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës Veriore shihet që ajo është përgatitur shumë më parë, madje me një siguri të madhe mund të thuhet që ajo është hartuar atëherë kur Beogradi e mori vesh, në nëntorin, dhjetorin e vitit 2007, që Kosova do të bëhet përfundimisht shtet i pavarur, apo që Perëndimi e ndau mendjen çfarë duhet të bëjë me Kosovën. Me siguri që ka pasur skenar që ose më 17 shkurt të vitit 2008, ose të nesërmen, pasi Kuvendi i Kosovës dha kumtin e pavarësisë së Kosovës, në Veri të Kosovës të ndodhë ngjarja që ka dalë në publik, si opsioni i mundshëm në ditët e fundit. Por duket që atëbotë në Beograd mbizotëroi bindja që duhet të vazhdojë lufta me mjete politike (dhe me të gjitha të tjerat, pos luftës së hapur), jo vetëm për Veriun e Kosovës, por edhe për pjesët tjera të shtetit të saposhpallur. Teoria me shtet kundër shtetit, me vetëvendosje kundër vetëvendosjes, për Serbinë u tregua e dështuar në Kroaci dhe e suksesshme në Bosnjë dhe Hercegovinë (në vitet nëntëdhjetë), por në rastin e Kosovës, pakti NATO ishte garant, edhe me Rezolutën 1244 të sigurisë, stabilitetit, tërësisë së Kosovës. Në rrethanat e vitit 2008, sidoqoftë, përkundër realitetit të njohur qysh atëherë (dhe shumë më parë, në fakt), Beogradi do të mund të thoshte para botës që ai nuk ka fare gisht në veprimin e bërë publik nga politikanët serbë të Veriut të Kosovës për shpalljen e pavarësisë së kësaj pjese të Kosovës. Tani, në vjeshtën, dimrin e viteve 2011/2012, askush në Perëndim nuk ka më asnjë dyshim të vetëm që politika e qiprizmit të Kosovës – sepse pikërisht ky është skenari i këtij opsioni në fjalë – buron prej vetë Serbisë. Beogradi synon që të bisedohet për statusin e Veriut të Kosovës, pasi në vijim të verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (ICJ-së), doli që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, edhe nga pikëshikimi i së Drejtës Ndërkombëtare. Beogradi i Boris Tadiçit nuk dëshiron që për Veriun e Kosovës të negociohet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që në Serbi do të mbahen në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, dhe para se Serbia ta marrë statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në Bashkimin Europian, dhjetorin e këtij viti, apo edhe pak muaj më pas. Barrikadat në Veri, kërcënimi me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Veriut, dialogu i Brukselit, të gjitha këto duhet t’i shërbejnë këtij qëllimi të lidershipit të tashmë serb, i cili vazhdon të besojë që ndarja e Kosovës, apo edhe shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, është tutje një mundësi të cilën do të duhej shfrytëzuar gjithsesi. Viti 2012, këtë e di shumë mirë Beogradi, është i mbrami (vit), kur diçka e tillë mund të shtrohet si solucion para BEsë së dërrmuar me themel, për shkak të krizës së madhe financiare. Me një Bruksel në gjendje tepër të rëndë, me një diplomaci europiane që në vend që të fuqizohet, pas Traktatit të Lisbonës, është duke u dobësuar – së paku në këtë përballjen me sprovat e Ballkanit Perëndimor, me një skenë të këtillë politike kosovare ku lajmet e ditës mbizotërohen, në masë të madhe, nga fantazmat e çdollojshme të së kaluarës, e jo nga problemet konkrete politike dhe ekonomike dhe ku udhëheqësia e tashme e Kosovës nuk ka tjetër plan a skenar pos atij optimistit (sipas të cilit gjithçka do të shkojë si duhet, duke përfshirë këtu edhe heqjen e barrikadave, sa për fillim, e pastaj edhe heqjen a shpërbërjen e strukturave të Serbisë në Veri të Kosovës), duket që rreziku i ndërlikimit të mëtejmë të gjendjes në Veri të Kosovës dhe i trajtimit të Veriut sipas planeve të Serbisë, është goxha real. Zaten, javëve të fundit, edhe me kontributin tonë, gjithnjë e më shumë po flitet për kufijtë dhe territoret, për temat të cilat nuk ndjellin gjë të mirë për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Për të mos ndodhë ajo që po paralajmërohet se mund të ngjajë në Veri, duhet të ndodhë ndryshimi rrënjësor i politikës kosovare. Diçka e tillë, së paku sot për sot, i takon domenit të jashtëtokësorëve. Me gjasë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura