Këngëtaret e kolme që u kthyen në vajzat seksi të verës, ja dietat që përdorën

Aug 31, 2014 | 9:23
SHPËRNDAJE

Enca Haxhia, Kejsi Tola, Xhesika Polo dhe Arilena Ara, vajzat me zërin e bukur, tashmë edhe fizikisht të tilla.
 
Vajzat e reja që hyjnë në tregun e muzikës, natyrisht që e kanë shumë të vështirë të bëjnë përshtypje për t’u bërë të njohura në një kohë të shkurtër. Nuk mjafton vetëm zëri, por edhe performanca e linjat e trupit që ato të tërheqin vëmendjen. 19-vjeçarja Enca Haxhia është njëra prej tyre që ka bërë “boom” këtë verë, duke u shfaqur e transformuar dhe “hot” me shumë kilogramë më pak. Aq shumë ka punuar për linjat në klipin e saj shumë të klikuar të verës me titull “A po t’pëlqen”, sa ka tërhequr vëmendjen e të huajve, të cilët, përveç zërit, komentojnë fizikun e saj në youtube, duke e quajtur vajza me “trup perfekt”. Po Enca nuk është e vetme. Ju tregojmë për sakrificat e saj, Kejsi Tolës, Xhesika Polos e Arilena Arës për të arritur format ideale këtë verë.  

Enca: U dobësova  me sport dhe ushqim të shëndetshëm
Ky mund të quhet viti i Encës për komentet pozitive që ajo ka marrë në të gjitha portalet këtë verë. Pas klipit me Noizin, Enca publikoi klipin “A po t’pëlqen”, ku u pa se kishte hequr kile të  tepërta nga trupi. Deri tani në daljet e saj në skenë, ajo ishte identifikuar si vajza me tipare të bukura në fytyrë, por tepër e mbushur për t’u konsideruar seksi. Enca shprehet se natyrisht që ka sakrifikuar për të arritur deri këtu. “Më së shumti prej lëvizjes për arsye pune dhe stresi ka ndikuar, por natyrisht jam kujdesur me aktivitete fizike dhe ushqim të shëndetshëm”, thotë ajo. Në skenat e klipeve, si ai i Noizit, u shfaq edhe më provokuese me një shumë parash e shtrirë në krevat. Për marrëdhënien që ka me paranë, ajo shprehet: “Nuk do bëja asgjë ndryshe nga ato që po bëj në jetën reale… paraja është shumë e rëndësishme, por jo primare në jetë”. Klipi i saj “A po t’pëlqen” po pritej me kuriozitet nga publiku, pasi ajo i kishte njoftuar fansat e saj më parë për një projekt shumë impresionues.

10 KG mË pak, Xhesika Polo: po punoj për të sjellË trupin në formë
Edhe Xhesika Polo me klipin e saj “Turn me on” krijoi reagime në rrjetet sociale. Edhe pse në klip ajo u prezantua me format e saj të kolme, këtë verë ka punuar shumë për heqjen e kileve në trup. “Asnjë njeri nuk është perfekt. Kam humbur 10 kilogramë, por gjëja e parë për të cilën dua të vlerësohem, është talenti e më pas pamja. Ndërkaq unë po punoj për ta sjellë trupin në formë”, shprehet ajo. 17-vjeçarja, që u bë e njohur në “X Factor 1”, Xhesika Polo, këtë verë erdhi me një këngë ekspresive nga Gent Myftaraj. Për sa i përket konkurrencës në muzikën shqiptare, Xhesika shprehet: “Eshtë konkurrencë e egër dhe e papastër deri diku, do të thosha. Gjithsesi, as që më bën përshtypje. Unë do luftoj shumë që të arrij synimet e mia në muzikë”.

Kejsi Tola: Regjimi im personal për të arritur linjat që ëndërroja
Edhe këngëtarja 22-vjeçare Kejsi Tola ka arritur një trup perfekt këtë periudhë, por nuk e kemi parë të shfaqet me ndonjë klip të ri.  Kejsi, e cila njihet tashmë si këngëtare shumë profesioniste, na zbulon regjimin personal, që ka rezultuar efektiv për heqjen e kileve të tepërta. “Nuk i jam nënshtruar ndonjë diete fikse. Konsumoj mëngjes gjithmonë. Dua të veçoj faktin që konsumoj sa më pak bukë dhe po ashtu gjithmonë brumëra jo me tepri. Në menynë time të përditshme nuk mungojnë sallata, mishi i pulës, peshku, frutat dhe perimet. Ëmbëlsira shumë pak, ndoshta vetëm një herë në javë. Konsumimi i darkës gjithmonë para orës 20:00 të mbrëmjes. Dhe, për sa i përket aktivitetit fizik, jam marrë me zumba dhe palestër, minimumi dy herë në javë”, tregon Kejsi.

Arilena Ara, 16-vjeçarja që pozon “hot”, trup të mirë me palestër
Edhe pse vetëm 16 vjeç, Arilena Ara, fituesja e edicionit të dytë të “X Factor Albania”, ka provokuar këtë verë me foto “hot” në klipin e saj të dytë “Business Class”. Një vit pasi fitoi këtë “reality show”, Arilena i është nënshtruar intensivisht palestrës, edhe pse ende s’i ka mbushur 17 vjeç, mosha e këshilluar për ushtrime fizike. Nga “Aeroplani” i famshëm atë tani e shohim në “Business Class”, duke festuar në mënyrë shumë luksoze në projektin e saj të ri. Kënga, që në fillim duket se është baladë, shndërrohet në elektrizuese, duke krijuar kështu stilin e Arilenës si këngëtare. Videoklipi është shumë modern, i xhiruar në 12 skena të ndryshme, në të cilat e pamë Arilenën kurdoherë ndryshe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura