KE: Zgjedhjet dhe largimi i FMN, rrezik për ekonominë

Feb 15, 2017 | 13:49
SHPËRNDAJE

Komisioni Europian vlerësoi se rritja graduale e ekonomisë, nga 3.5 për qind që parashikohet këtë vit në dhe në 3.6 për qind për 2018, bazohet në shpenzimet e familjeve dhe investimet private.

Për dy vitet e ardhshme, shpenzimet e familjeve dhe investimet e biznesit do të mbështeten nga përmirësimi i tregut të punës, politika monetare akomoduese dhe tendenca në rritje e investimeve të huaja, veçanërisht në energji.

grafiku per ekonomine

Konkluzionet për ekonominë, Komisioni Europian i prezantoi dje në raportin ekonomik për 2017 për vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian.

Përveç vlerësimeve, Komisioni Europian paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe përfundimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar mund të rrezikojnë konsolidimin fiskal.

Komisioni Europian vlerësoi se parashikimet e qeverisë për rënien e borxhit dhe konsolidimin e financave do të testohen në përfundim të zgjedhjeve të qershorit.

“Parashikimi fiskal lidhet me dy rreziqe. Së pari, qeveria mund të qetësojë pozitën e politikës së saj fiskale për shkak të zgjedhjeve të ardhshme. Rreziku i dytë është përfundimi i marrëveshjes me FMN-në në shkurt 2017, që do të thotë se strategjia e qeverisë për konsolidim mund të humbasë një pikëmbështetje të rëndësishme.

Raportet e borxhit publik janë parashikuar të bien, por angazhimi i qeverisë për konsolidimin fiskal mund të testohet në fund të programit të FMN-së dhe zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në raport.

Komisioni Europian vlerëson se rritja e pasigurisë politike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme mund të ndikojnë edhe tek investimet dhe konsumi. Komisioni Europian ngre edhe shqetësimin e kredive me probleme, por parashikon se zbatimi i reformave nga ana e qeverisë do të rrisin ekonominë.

“Rimëkëmbja e kredisë mund të marrë më shumë kohë sesa pritej, për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija. Niveli i lartë i borxhit publik ofron pak hapësirë për politika kundërciklike në rast nevoje. Nga ana tjetër, zbatimi i reformave strukturore dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi mund të përmirësojnë klimën e biznesit dhe në periudhë më afatgjatë të sjellë rritje potenciale të ekonomisë”, thuhet në raport.

Për sa u përket investimeve, Komisioni Europian parashikon rritje të tyre, sidomos gjatë vitit 2017, duke e lidhur me dy investimet strategjike në energjetikë. Për këtë vit parashikohet edhe rritje të eksporteve.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura