Katet pa leje: Ryshfet për ndërtim, pranga 2 bashkiakëve

Dec 30, 2011 | 11:11
SHPËRNDAJE

Tiranë, një polic dhe një inspektor merrnin para për “të mbyllur sytë” ndaj ndërtimeve pa leje në Njësinë 8.

Dy punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe një sekser i tyre u arrestuan dje me akuzat e korrupsionit në tolerimin e ndërtimeve pa leje në Njësinë Bashkiake Nr.8. Të arrestuarit akuzohen se kanë toleruar ndërtime pa leje, duke kërkuar në këmbim shuma ryshfeti nga 80 deri në 100 mijë lekë të rinj për objekt. Policia e Tiranës deklaroi dje se gjatë operacionit të koduar “Një kat më shumë”, përfunduan në pranga një inspektor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik në Bashkinë e Tiranës dhe një polic bashkiak. Gjatë aksionit u arrestua edhe një qytetar që luante rolin e sekserit, duke ndërmjetësuar mes personave që kërkoni të kryenin ndërtime apo shtesa në objekte dhe zyrtarëve të Bashkisë Tiranë. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë dje se të arrestuarit janë inspektori Arbit Medusa, 30 vjeç, polici bashkiak Alban Zizo, 34 vjeç dhe sekseri Fatos Jana, 33 vjeç. Arrestimi i tyre u krye me akuzat “shpërdorim detyre” dhe “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
NDERTIMET PA LEJE
Inspektori ndërtimor urbanistik dhe polici i Bashkisë së Tiranës, që u arrestuan dje akuzohen se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, duke premtuar leje për shtesa në pallate. Për të ndërtuar një shtesë në pallat, ballkon, një kat mbi tarracë, apo një dhomë më shumë, mjaftonte të paguaje shumën nga 80 deri në 100 mijë lekë të rinj te 2 zyrtarët e Bashkisë dhe problemi ishte i zgjidhur. Kjo shumë ryshfeti merrej nga të arrestuarit me premtimin se ata do të ndërhynin për të dhënë lejen e ndërtimit, gjithashtu premtonin edhe se nuk do të kishin asnjë problem nëse e ndërtonin shtesën, pasi askush nuk do të ndërhynte për ta shembur. Për këtë pjesë jepnin garanci inspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë, Arbit Medusa. Njëkohësisht me inspektorin, ishte futur në lojë edhe polici i Bashkisë Tiranë, Alban Zizo, në mënyrë që “leja” për shtesën të dukej sa më e besueshme. Skema që përdornin, duke përfituar ryshfet me anë të shpërdorimit të detyrës, është denoncuar fillimisht nga një banor i Njësisë Bashkiake Nr.8.  Menjëherë pas denoncimit kanë nisur hetimet e përbashkëta nga oficerët e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës dhe nga njësia Task-Force e Prokurorisë, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Ndërsa sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, bashkë me dy zyrtarët e Bashkisë, është arrestuar edhe një sekser, që gjithashtu ishte edhe një prej personave që kishte paguar para për të bërë një shtesë në banesën e tij. Pas arrestimeve të të 3 të dyshuarve, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan për dhënë deklarime edhe disa persona, që kishin paguar para për të kryer ndërtime e shtesa, të cilët u morën në pyetje në cilësinë e dëshmitarit. Sipas Policisë, ende nuk është përcaktuar numri i saktë i objekteve që kanë bërë shtesa pa leje, duke u favorizuar nga zyrtarët e arrestuar.

3 raste
të tolerimit të kateve pa leje në ndërtesa të ndryshme, objekte banimi dhe tregtare janë dokumentuar si të toleruara nga punonjësit bashkiakë të arrestuar ditën e djeshme në kryeqytet me akuzat e korrupsionit.

TE ARRESTUAR
1. Arbit Medusa, 30 vjeç, inspektor në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik, pranë Bashkisë Tiranë
2. Alban Zizo, 34 vjeç, punonjës i Policisë Bashkiake, pranë  Bashkisë Tiranë
3. Fatos Jana, 33 vjeç, sekser

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura