Kastro Zizo: Pse zgjodha Shota Baraliun si gruan time të re në klip

Jul 30, 2011 | 12:28
SHPËRNDAJE

Nuk është hera e parë që i dedikon këngë gruas dhe të dashurës në të njëjtën kohë. Këtë herë ka zgjedhur për bashkëshorte në klip këngëtaren kosovare Shota Baraliu, pasi i duhej një tip femre si ajo. Klevis Bega apo Kastro Zizo realizon bashkëpunimin e parë për këtë verë, një klip plot finesë, frymëzuar nga imazhet e viteve ‘50-‘60-të. Tregon për miqësinë me Shotën, të dashurën nga Tirana dhe pushimet në Spanjë.

Kastro, çfarë është ky klip i ri me Shota Baraliun, dhe pse bashkëpunim me këtë këngëtare?

Unë dhe Shota jemi miq të vjetër dhe pas shumë kohësh vendosëm që të bënim këtë material muzikor bashkë. Unë duke e punuar në studio mendova menjëherë Shotën për këtë bashkëpunim për llojin e karakterit e të zërit që ka dhe që do i përshtatej mjaft mirë idesë sime. Dhe ashtu doli, Shtota iu përshtat mjaft mirë idesë sime dhe kënga u realizua menjëherë.

Cili është roli i Shotës në klip, ajo luan gruan apo të dashurën?

Në fakt, në klip unë dhe Shota kemi marrëdhënie si burrë e grua. Klipi është fin, i frymëzuar nga magjia e viteve ’50-‘60-të, me skena të ndryshme, ku unë luaj simbolin e iluminatit. Zakonisht kur ti i këndon gruas, nuk përjashton dhe të dashurën në këngët e tua. Mund të na tregosh diçka për historinë e këngës? Po, fjala kryesore e refrenit të këngës është “liar” (gënjeshtare), që në një mënyrë ose në një tjetër ne ia themi vetes, duke qenë të ndërgjegjshëm se për çfarë ekzistojmë si qenie njerëzore. Unë në tekst i them praktikisht “më mbaj mirë, më bëj të ndihem i vetmi në qytet, madje më mbaj më mirë se ajo tjetra, duke aluduar për dy femra njëkohësisht”.

Nese do t’i referoheshim krijimtarise sate, çfarë të frymëzojnë më shumë, momentet e mira apo ato të këqija për të krijuar?

Kjo varet. Këtë periudhë më kanë frymëzuar më shumë momentet e bukura mbase ngaqë kam kaluar më shumë të tilla.

Gjithmonë je shquar për ide të çuditshme në muzikë, cila është kënga më e çuditshme që ke plan të publikosh?

Në fakt, ju i keni cilësuar të çuditshme, por ato kanë qenë thjesht ide shumë realiste që si çdo gjë në realitet ka nevojë për një çelës për t’i zbërthyer. Çelësi im është pena ose simbolika që përdoret në të. Kam disa materiale duke punuar, që do të jenë ashtu si i quani ju të çuditshme.

Je shprehur në një intervistë për “Panorama Plus” se je në prag të një dashurie të rëndësishme për jetën tënde. Mund të thuash diçka më shumë tashmë se cila është vajza?

Deri tani mund të them që është një vajzë, më e bukura në Tiranë. Lidhja ime me të vazhdon plot pasion, epsh e surrealizëm. Jemi të dy tipa që nuk jemi stabël, në kuptimin që mërzitemi shpejt nga një situatë dhe menjëherë krijojmë një tjetër.

Dhe dihet tashmë që je një djalë i divorcuar, të prish punë kjo në njohjet e reja me vajza, ndihesh i paragjykuar? Apo ky fakt i josh më shumë vajzat?

Po kur njeriu mashkull vë unazën në gisht, ai si për çudi lakmohet më shumë nga femrat. Ndërsa një 27-vjeçar si unë mendoj se është më bukur të më gjuajnë, aq sa më ka marrë malli të gjuaj. I paragjykuar mund të ndihem te një kategori femrash që vijnë nga një realitet i ngushtë, por edhe për to kalon shpejt. Ndihem mirë kështu.

Një pyetje do të ishte për pushimet, do pushosh me ndonjë femër speciale, kur dhe ku?

Puna e madhe nuk po më lë shumë kohë për pushime. Por mendoj se fund gushti do më largojë për 2-3 javë pushime. Plani fillestar është për disa ditë në Spanjë dhe pastaj në qetësinë e Sarandës, aty ku kam shumë kujtime. Nuk e di se cilën nga femrat do zgjedh për ta marrë me vete (!)

Ndërkohë, për cilin këngëtar tjetër je duke krijuar këngë, çfarë krijimi do sjellësh tjetër këtë verë?

Këtë verë vij me shumë materiale dhe me shumë bashkëpunime, si me dj de Vox, Kaos, Kabala mafia, Etno Engjujt dhe bashkëpunimi më i pritur, me Bobin.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura