Kapet drogë në kufi, vinte nga Lazarati i rrethuar

Jun 30, 2012 | 16:46
SHPËRNDAJE
Foto Ilustruese

Ndonëse qëndron i rrethuar prej dy javësh nga forca të shumta policore, Lazarati eksporton sërish drogë drejt Greqisë. Faktet tregojnë se 21 kg marijuanë, janë kapur në kufirin shqiptaro-grek nga rojet kufitare të vendit fqinj, në përpjekje për t’u trafikuar në qytetin e Artës.

Burimet policore të Janinës, kanë konfirmuar se një automjet i cili drejtohej nga dy vëllezër nga Erseka 19 dhe 29 vjecc, me banim rezident në Arta të Greqisë, është identifikuar në kufirin mes Gjirokastrës dhe Janinës i cili kishte në bord 21 kg marijuanë. Dy vëllezërit shqiptarë, sapo kanë parë se po ndiqeshin dhe vëzhgoheshin nga Policia e Greke, kanë shmangur rrugëtimin e mjetit nga Janina, për në Arta, qytetin ku jetojnë momentalisht.

Ndonëse i është shmangur policisë nga ndjekja, në fund, automjeti që transportonte hashash nga Lazarati mundi të kapej nga forcat policore helene e së bashku me të edhe sasia e marijuanës dhe trafikantët shqiptarë. Marijuana me origjinë nga Lazarati, ishte e ndarë në 20 pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Policët grekë kanë sekuestruar edhe një sasi prej 4000 eurosh që gjendeshin në xhepat e dy vëllezërve trafikantë. Sipas Policisë Greke, marijuana kishte kaluar kufirin dy ditë më parë dhe qëndronte e fshehur në pritje për t’u trafikuar drejt Artës. Kjo është sasia e parë e marijuanës e cila është trafikuar drejt Greqisë nga Lazarati, qysh kur ky i fundit, ndodhet nën rrethim nga forcat e shumta policore.

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura