Kampionati Botëror ‘Brazil 2014’: Bukuroshet e ekranit që zbusin tifozërinë mashkullore

Jun 30, 2014 | 14:52
SHPËRNDAJE

Kush janë vajzat simpatike të dala nga spektaklet e bukurisë dhe emisionet e ndryshme argëtuese, të cilave u është besuar prezantimi i formateve sportive përgjatë gjithë Kampionatit Botëror të futbollit 2014. Një zgjedhje estetike për të zbutur tifozërinë mashkullore gjatë zhvillimit të ndeshjeve, apo këto bukuroshe janë njohëse të vërteta e fanatike të futbollit europian e atij botëror?!

Nëse thua futbollist i famshëm, me gjasë ke përmendur edhe femrën apo partneren e hijshme që i qëndron në krah… Sa herë që zhvillohen kampionatet e futbollit europian dhe botëror, faqet e shtypit sportiv çdo herë rifreskohen me fytyrat e pashme dhe fizikun mbresëlënës të vajzave që kanë rrëmbyer zemrat e protagonistëve të fushës së gjelbërt, por jo vetëm. Po kaq simpatike duket të jenë edhe gazetaret sportive që zbresin në fushë për të raportuar kohë pas kohe, e në pushimet mes ndeshjeve rezultatet e pritshme, apo ato finale në përfundim të duelit sportiv. Ndaj, fenomeni i bukurisë femërore dhe futbollit spikat si një realitet i zakonshëm që prek emrat më në zë të fanellave botërore. Diçka e ngjashme vërtitet edhe në realitetin shqiptar, e në rastin konkret nuk është se po flasim për tifozërinë mashkullore në futboll, skedinat e bastet e mundshme të cilave vështirë t’u bëjnë bisht çunat e dhënë pas sportit. Më shumë se kaq, janë fytyrat e bukura të prezantueseve femra, të cilave u janë besuar të tilla formate sportive prej vitesh si drejtuese të vetme ose bashkëprezantuese. Shpesh bëhen edhe palë me diskutimet e zjarrta në studiot e ndryshme televizive. Pjesa dërrmuese e tyre kanë dalë nga spektakle bukurie sot me statusin e ish miss-eve, e të tjera kanë depërtuar përmes ekranit me emisione argëtuese e rinore ndër vite. Cilat janë pesë vajzat që qarkullojnë në programet sportive në ekranet më të njohura në vend, nga Marina Vjollca te protagonistja e konkurseve të bodybuilding, Dorina Mema, të cilave u janë besuar emisionet sportive. Duket se, sipas përgjigjeve të tyre, kjo ka ndodhur jo vetëm pse janë vajza të bukura…

Ilda Bejleri, gazetarja e “Bar Sport Skedina”
Ndjekëse fanatike e futbollit
Është fakt që ajo nuk ka dalë nga ndonjë spektakël bukurie, pasi fokusi i saj kanë qenë studimet në Gazetari dhe angazhimin profesional në platformën “Digitalb” e ka nisur ende pa përfunduar studimet e larta, prej afro tetë vitesh. 27-vjeçarja bukuroshe, Ilda Bejleri, prej vitit 2008 është përzgjedhur në drejtimin e formatit sportiv “Bar Sport Skedina”, ndryshe nga emisionet e tjera sportive. Aty jo vetëm flitet për futboll, por në studio vihen edhe baste live mes prezantueses dhe të ftuarve, çka tregon se nuhatja dhe parashikueshmëria e rezultateve të ndeshjeve është një tjetër detaj i rëndësishëm që zor se mund ta parashikojë një amatore. Ndaj, Ilda këmbëngul se nuk është vetëm një vajzë e bukur, por edhe një njohëse shumë e mirë e futbollit ndër vite. “Nuk mendoj se dikush të beson drejtimin e një emisioni vetëm se je e bukur… Kaq është shumë pak për të qenë e pranueshme nga audienca televizive, ndaj mua nuk më ka munguar asnjëherë informacioni i ri mbi ndeshjet, mbi lojtarët e lëvizjet e tyre nëpër klubet sportive etj. Mua më pëlqen shumë futbolli dhe mendoj se hyj në kategorinë e ndjekëseve fanatike të tij”, pohon Ilda Bejleri, ndërsa thekson se është tifoze me Gjermaninë dhe shpreson në një fitore të kësaj të fundit në “Brazil 2014”.

Dorina Mema, instruktorja me muskuj e futbollit në “A1 Report”
Ndeshja e parë, kur isha 9 vjeçe
Ajo nuk do të bëhej e njohur përmes sportit, sa përmes lançimit në media si e vetmja femër shqiptare, me muskuj, në kuptimin fizik të fjalës… Pasi Dorina Mema është e vetmja sportiste që ka marrë pjesë në konkurse bodybuilding të zhvilluara në botë, ku edhe është vlerësuar me çmimin e tretë. Ndaj, për shkak të këtij detaji fizik ajo u bë pjesë e ekraneve tona me emisione fitnessi, një prej të cilëve ajo e drejton çdo mëngjes në ekranin e “A1 Report”. Por, përveç angazhimit profesional, pasi të qenit në formë të mirë fizike dhe e kuruar tanimë është përditshmëria e 30-vjeçares, Dorinës i është besuar edhe drejtimi i formatit sportiv që transmetohet çdo ditë në ekranin e “A1 Report”. “Jam rritur në fushë futbolli nga im vëlla, një ish-futbollist i Kastriotit. Ndeshja e parë që kam parë është ajo e fitores së Brazilit në vitin 1994, kur unë isha 9 vjeçe dhe i ndiqja të gjitha ndeshjet me babanë. Me thënë të drejtën nuk ishte koha që unë të hidhesha në televizion pas garës së fitness-it, sepse nuk jam në formën time të çlodhur për të qenë para kamerave, por s’munda të refuzoj temën e emisionit. E adhuroj futbollin dhe drejtuesit e televizionit, duke e ditur këtë, ma ofruan mua mundësinë e drejtimit. Besoj se prania e femrave të bukura e thyen pak reflektimin maskilist që krijohet në studio. Unë veten time e shikoj më shumë si të ftuar, sepse duke bërë pyetje nuk jap dot asnjë mendim, ndërkohë që pëlqej të jem e ftuar, të flas dhe të komentoj mbi futbollin, pasi jam tepër e informuar rreth tij”, përfundon Mema.

Marina Vjollca, bashkëdrejtuese e “Procesit Sportiv” në Top Channel
Për të thyer dominancën e meshkujve
Jemi mësuar të shohim prezantuesen simpatike të ekranit të “Top Chanel” në formate sa muzikore, aq edhe argëtuese për moshat e reja. I fundit angazhim i saji ishte ai i bashkëprezantimit të “Top Fest 11” bashkë me Ledion Liçon dhe të motrën Luanën. Mirëpo, prej gjashtë vitesh, biondja plot stil e këtij ekrani prezanton formatin televiziv “Procesi Sportiv”, i cili duket se iu besua pas nisjes së tij në drejtimin e Edi Manushit. Ajo e pranon edhe vetë këtë fakt, duke u shprehur se në një studio ku nga prezantuesi e deri te të ftuarit dominojnë meshkujt, nevojitej prania e një femre për të zbutur disi supremacinë mashkullore, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje, baste e skedina, si dhe zhvillime të kampionateve sportive europiane apo botërore. “Në fillim kur m’u besua si detyrë, ishte një gjetje nga ana e drejtuesve të televizionit, natyrisht për të thyer dominancën e burrave të cilët dihet tanimë sa të apasionuar janë pas sportit, futbollit veçanërisht. Mirëpo, unë nuk jam dhe kaq rastësisht në bashkëprezantim me Manushin prej gjashtë vitesh në këtë format, pasi përveç pamjes fizike, besoj se jam aty edhe për njohuritë që kam ndaj futbollit. Kjo është e matshme dhe e dukshme për audiencën, e cila mundet të më shohë në argumentet që jap në studio në bisedat me të ftuarit, qoftë për komentet e pritshmëritë tona, si ndjekës, por edhe si fansa të këtij kampionati futbolli”, thotë Marina Vjollca. Ndërkaq, ajo nuk e fsheh tifozërinë e saj për dy skuadrat e zemrës, Gjermaninë dhe Brazilin.

Hygerta Sako për sportin në TVSH
E ndjek futbollin që nga 1986, tifoze me Italinë
Kur bëhet fjalë për spektaklet e hershme të bukurisë, Hygerta Sako mbahet mend nga të gjithë ne, si një ndër të parat miss-e që fituan kurorën e më të bukurës së vendin, fill në vitet e para të post-komunizmit në Shqipëri. Me kurorën e “Miss Shqipëria 1995”, ajo mundi më pas të ecë në një rrugë të gjatë të karrierës, kryesisht televizive, si drejtuese e formateve të ndryshme argëtuese, e jo vetëm. Prej disa vitesh, Hygerta është pjesë e ekranit të Televizionit Publik Shqiptar, ku përveç formatit “Jo vetëm kafe”, ajo është në transmetimin televiziv të emisionit sportiv që bën jo vetëm analizë të detajuar të ecurisë së ndeshjeve të futbollit, por edhe parashikime të ndryshme. Mirëpo, ish-missi është ndër të paktat prezantuese që me plot gojën beson se përzgjedhja në krye të formateve të tilla me dominancë mashkullore, bëhet me një qëllim të qenësishëm: zbukurimin e ekranit. “U bë i gjashti vit që drejtoj emisionet sportive në TVSH, dhe kjo për faktin se jo vetëm e pëlqej futbollin, por jam ndjekëse e tij ndër vite. Kam shumë informacione për sportin, sepse kam nisur ta shoh që në kampionatet e para të vitit 1986, e nuk kam lënë më asnjë ndeshje pa parë. Si tifoze e Italisë, ndihem e trishtuar për humbjen e skuadrës sime, por këto janë të papriturat e botës së futbollit. Besoj se deri në finale, do të presim surpriza të shumta nga ky Botëror”, thotë Sako.

Vilma Masha, drejtuese në “SuperSport”
S’mjafton të jesh e bukur për të drejtuar në ekran
Deri përpara katër viteve, ajo ishte gazetare kulture e njohur me terrenin dhe lajmet e zhvillimeve kulturore në vend. Dhe kontributi i saj profesional ka qenë kaherë vetëm në televizion, ku duket se komoditeti për të ka qenë edhe më i pranueshëm. Fakti që Vilma Masha ka dalë nga spektaklet e bukurisë shqiptare, duke debutuar në konkursin e “Miss Albania”, e bën edhe më të përligjur përzgjedhjen estetike të drejtuesve të ekraneve në të cilat ajo është angazhuar, herë si prezantuese e herë si gazetare kulture. Por, pakkush e dinte pasionin e bukuroshes për futbollin. Madje, ajo i kujton me nostalgji ndeshjet e para të vitit 1990, të cilat i ka ndjekur me kërshëri. “Kampionati i parë, ai i vitit 1990, që u luajt në Itali e ku Gjermania fitoi trofeun më të rëndësishëm, Kupën e Botës, për të tretën herë, ka qenë ndër sfidat e para të futbollit që kam ndjekur. Ndërsa, kujtoj golat spektakolarë ndër vite, por më mbresëlënësit për mua janë ata të këtij Botërori “Brazil 2014”. Do të veçoja golin e Van Persit dhe atë të Xherdan Shaqirit, golin e dytë të tij”, shprehet Masha. Si moderatore e formatit sportiv në “SuperSport”, ajo nuk e pranon paragjykimin se vetëm pamja fizike është ajo që e mban një prezantuese në ekran, para fansave që e ndjekin nga ambiente të ndryshme, publike e private qofshin. Sepse janë edhe njohuritë për futbollin, ato që ia shtojnë, përveç hijeshisë fizike, edhe kapitullin informativ e atë parashikues për secilën ndeshje që zhvillohet në kampionatet e futbollit. “Lidhja ime me futbollin është relativisht e gjatë, ka filluar që kur isha fëmijë, e pa diskutim që ngjarje të mëdha si Europiani, apo Botërori do të tërhiqnin vëmendjen time. Skuadra e parë që kam ndjekur ka qenë Gjermania, e futbollisti i preferuar portieri Kepke. Sot lidhja është edhe më e afërt për shkak të punës që bëj si gazetare sportive në “Supersport”, kjo bën që informacioni të jetë më i madh e më i larmishëm pasi emisionet që drejtoj kërkojnë vazhdimisht detaje të reja. Mendoj se bukuria fizike nuk është më element i nevojshëm. Përgatitja, dëshira për punën, televizionin, impenjimi maksimal, informacioni dhe gjithçka tjetër që lidhet me punën tënde bëjnë që një gazetar i mirë të jetë jo vetëm i pranueshëm nga shikuesi, por edhe i këndshëm për të”, thekson Vilma Masha.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura