Kamerieri ngacmoi klienten në lokal, tentoi t’i vrasë partnerin

Dec 29, 2011 | 11:57
SHPËRNDAJE

TIRANE – Refuzimi i dashurisë nga vajza pas së cilës ishte “fiksuar”, e ka çuar deri në kryerjen e një vepre të rëndë penale një 25-vjeçar në Tiranë. Pak ditë më parë, ai u dënua me 4 vjet burg nga Gjykata e kryeqytetit për akuzën e “vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë. Sipas Gjykatës së Tiranës, rezultonte e provuar se Rauf Çika kishte qëlluar me thikë shtetasin Altin Gj. në maj të këtij viti pranë “Bërrylit” në kryeqytet. Sipas Gjykatës, “strumbullari” i historisë ishte një vajzë, që pëlqehej nga ana e të pandehurit Çika. Ajo ishte kliente në lokalin ku ai punonte si kamerier. Disa herë ai ishte munduar t’i linte asaj një numër telefoni. Madje, sipas Gjykatës, në një rast ai ka provuar t’i lërë numrin nëpërmjet një fature nga ato të shërbimit, por që vajza A. e ka hedhur në tokë. Në vijim, Çika ka këmbëngulur që ta takonte vajzën. “Pas dy-tri takimeve thuajse të imponuara, i pandehuri Rauf Çika i ka shprehur qartë dhe hapur ndjesitë e tij A., e cila ka refuzuar duke i bërë të qartë se prej disa kohësh ajo ishte e lidhur me një person tjetër. Për këtë shkak nuk mund t’i përgjigjej ftesës së tij e për më shumë dhe ai nuk duhej ta shqetësonte më, sepse nëse kjo ndërhyrje e tij merrej vesh nga i dashuri, atëherë situata mund edhe të shkonte më keq”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Me “hilen” e një ftese nga vajza, ky takim është realizuar, ku i dashuri i A. dhe shoku i tij, Altin Gj., e kishin rrahur të pandehurin Çika. Sipas vendimit “Në datë 18.05.2011, pra ditën e ngjarjes, i dëmtuari Altin ka qenë duke lëvizur drejt Bërrylit, i ka dalë përpara në rrugë i pandehuri Rauf Çika, i cili befasisht e ka qëlluar dy herë me thikë, një herë në anën e majtë të veshkave dhe më pas dhe në mushkërinë e majtë”. Pas dërgimit në Spitalin Ushtarak, i plagosuri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ka shmangur rrezikun për jetën. Gjatë gjykimit, i pandehuri ka pranuar veprën, por ka pretenduar se ishte sulmuar dhe ofenduar nga Altin Gj. Ky pretendim ka rezultuar i pambështetur, sipas Gjykatës.          ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura