Kabashi: Pse do votoj për Bashën

Apr 30, 2011 | 10:16
SHPËRNDAJE

Aktori i njohur i skenës, Mirush Kabashi, mbështet publikisht Lulzim Bashën për Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar votën pro tij në zgjedhjet e 8 majit. Gjatë një aktiviteti të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Kabashi vlerësoi rolin e ish-ministrit të Jashtëm përsa i përket pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shumë shtete. “Jo vetëm si qytetar, por edhe si një pasardhës i një emigranti kosovar, unë dua t’i shpreh mirënjohjen time dhe falënderimet më të thella ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Për kontributin e tij unik dhe të papërsëritshëm në mbrojtje të dinjitetit, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe në njohjen e saj nga shtetet më të rëndësishme të botës. Sikur ju të përfaqësonit çdonjërën prej partive politike të spektrit shqiptar, pa diskutim, përfshi këtu dhe Partinë Socialiste, unë do të votoja platformën e Lulzim Bashës”, tha Mirush Kabashi. Ndërsa kandidati Lulzim Basha rishprehu angazhimin dhe përkushtimin e tij për të qëndruar në krye punëve të Tiranës. “Ta konsiderojmë 8 majin, pikësëpari si rikthim, si triumf të vlerave të qytetarëve, si triumf të vlerave që na bashkojnë, si koha kur ne do të ndalojmë të tregojmë gishtin te faktorët realë, apo imagjinarë, dhe do të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Ju siguroj se unë do t’u dal në ballë këtyre punëve, do të jem në krye të këtyre punëve dhe betejat e mia të vetme do të jenë betejat e qytetit dhe qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Lulzim Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura