“Jo më mungesa barnash, ka nisur furnizimi në spitale”

May 31, 2013 | 12:56
SHPËRNDAJE

Brenda muajit, Spitali i ri Kirurgjik–Obstetrik në Elbasan do të pajiset me aparatura të teknologjisë më bashkëkohore. Këtë garanci dha dje ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova. Ai ishte në këtë qytet  për të inspektuar punimet në Spitalin Kirurgjik dhe Obstetrik, i cili është ndërtuar falë një investimi prej 150 milionë lekësh dhënë nga qeveria shqiptare. “U është kërkuar kompanive t’i mbyllin procedurat sa më shpejt që të jetë e mundur, ndoshta edhe brenda këtij muaji, me qëllim që qytetarët e Elbasanit ta kenë në dispozicion këtë spital model me kushte bashkëkohore, tha Kosova. Ministri theksoi gjithashtu se ka nisur gjatë kësaj jave shpërndarja e medikamenteve nëpër të gjitha spitalet e vendit për të zgjidhur ngërçin e madh të krijuar nga mungesa e tyre. Kosova shtoi ndër të tjera se asnjë institucion nuk mund të zgjidhë gjithçka pa ndihmën e qytetarëve, të cilëve ai u kërkoi të bashkëpunojnë për ta sjellë sistemin shqiptar të shëndetësisë në nivele europiane. Ministri përfitoi nga rasti për t’iu kujtuar edhe një herë qytetarëve numrin e telefonit pa pagesë për çdo ankesë dhe denoncim. “Qytetarët do të jenë sytë dhe veshët e mi në çdo spital”, tha Halim Kosova. Numri është afishuar në të gjitha spitalet e vendit. Çdo pacient mund të shprehë pakënaqësitë apo vlerësimin e tij për shërbimin shëndetësor që ofrohet. “Arsyeja e vendosjes së këtij numri është që të dëgjohet sa më shumë zëri i të sëmurëve. Pa sugjerimet dhe vërejtjet e tyre dhe pa ditur se ku janë vërtet vështirësitë nuk mund të përmirësojmë sistemin shëndetësor”, është shprehur Kosova. Pak ditë më parë ai deklaroi se do të nxjerrë përpara drejtësisë cilindo mjek që abuzon me detyrën apo çon pacientët te privati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura