‘Jeta e re pas divorcit. Kam oferta për të hyrë në politikë’

Apr 30, 2011 | 11:34
SHPËRNDAJE

Ajo e di shumë mirë çfarë është humbja. Pas gjashtë vitesh eksperiencë në ekran me “Njerëz të humbur”, Aida Shtino ka menduar të shkruajë një libër me përjetimet e saj të historive njerëzore. Një program që e bëri të njohur dhe popullore, aq sa mund ta kenë zili dhe politikanët, ndaj shumë shpejt ka vendosur të jetë dhe në politikë. Nuk e ka të thjeshtë të japë intervista për mediat, sidomos këto kohë ku vëmendja e tyre u përqendrua tek divorci i firmosur në 2010-n. Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, ajo tregon për dekadën e re që sapo ka nisur në jetën e saj, jeta si një femër e lirë 40-vjeçare që bën televizion dhe të gjitha planet për veten dhe djalin e saj Brendon.
Je identifikuar si Aida e “Njerëz të humbur”. Pas kaq vitesh punë me këtë emision, si ndihesh?
Në fakt, në datën 15 prill ne mbushëm gjashtë vjet me këtë transmetim direkt në kërkim të fatit të personave të humbur, dhe të them të drejtën, kur kthej kokën pas e shikoj rrugën që kemi përshkruar, është vërtet një rrugë e gjatë me shumë lodhje e sakrifica, por edhe me suksese e arritje.
Emisioni “Njerëz të humbur” është aq i ndjekur, sa ju ka bërë të fitoni popullaritetin që do ta kishin zili dhe politikanët. Nisur nga ky fakt, keni menduar t’i hyni ndonjëherë politikës dhe kur do mund ta bënit?
Unë fillimisht do të dëshiroja që të falënderoja gjithë publikun që ndjek besnikërisht emisionin tim në këto gjashtë vjet transmetim, si edhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në çdo moment kur unë bashkë me stafin tim kemi pasur nevojë për ndihmën e tyre. Për sa i përket politikës, mendoj se do ta bëja vetëm e vetëm për një qëllim, për t’i shërbyer njerëzve të kombit tim kudo ndodhen, për t’i shërbyer Shqipërisë me shpirt e devotshmëri, për një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë. Kam pasur oferta për të hyrë në politikë e po mendoj se shumë shpejt, kur të vijë momenti i duhur, do jem e pranishme pse jo edhe në politikë.  Kur fillova të dua me të vërtetë vetveten, kuptova se gjendesha gjithmonë dhe në çdo rast në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe që gjith ç’po ndodhte, ishte pozitive.
Por tashmë, duket sikur jeton në botën e lotëve e trishtimit, ndërsa çdo javë takon në studio njerëz me brengë. Tani ia di vlerën më shumë dhimbjes, apo je mësuar me të dhe nuk të bën përshtypje?
Jo, nuk mendoj se jetoj në botën e lotëve e të trishtimit, përkundrazi unë jam aty për t’u dhënë shpresë, për t’ua fshirë ata lotë, pasi dikush duhet të bëjë diçka për ata njerëz të vuajtur. Mendoj se s’ka plagë më të madhe për një prind, që të mos dijë se ku e ka fëmijën e tij… Unë jam gazetare edhe një gazetar shkon në sheshin e betejës për të rrëmbyer lajmin, për ta dhënë atë sa më realisht, ndaj sheshi i betejës sime është pikërisht ajo studio, ku ata njerëz shfaqin dhembjen e tyre. Sigurisht dhembja është dhembje, sido që ta shohësh e ta ndiesh e unë nuk mendoj se njerëzit mësohen me dhembjen, por mendoj se kryesorja është ta përballosh, e këtë gjë ma kanë mësuar ata njerëz. Të sfidosh dhembjen e të ecësh përpara, mendoj se kjo është më e rëndësishmja në jetë.
Çfarë mendon se ke humbur dhe ke fituar si person pas kësaj eksperince në TV?
Për sa i përket pyetjes suaj nëse kam humbur diçka, mendoj se nuk kam humbur diçka për të cilën do më ngelej peng, përveç orëve të zgjatura të punës e që ndoshta mund t’i kisha kaluar me djalin tim, por mendoj se në këtë botë japim diçka për të fituar diçka tjetër dhe unë në këtë aspekt kam fituar shumë. E them këtë pasi kam arritur me shumë mund e sakrifica të sjell gëzim tek ata familjarë, të cilët kanë qenë të dëshpëruar për një kohë të gjatë për humbjen e fëmijëve të tyre. Unë si person kam fituar eksperiencën më të madhe të jetës sime, pasi kjo më ka bërë të jem njeri me më shumë ndjenja e t’i dua njerëzit, si edhe të jem më pak egoiste për veten time. Pastaj më kryesorja; Mendoj se në njëfarë mënyre më është dhënë mundësia t’u shërbej bashkëkombësve të mi.
Po thua që kjo eksperiencë me histori njerëzore të ka bërë më të fortë? Çfarë ka ndryshuar nga Aida e mëparshme dhe çfarë të ka ndryshuar më shumë historia e jetës sate apo historitë e njerëzve të tjerë?
Po, sigurisht që kam ndryshuar, pasi mosha kalon e tani jam më e pjekur, i shikoj gjërat më realisht, pa zbukurime e  kjo të jep siguri edhe të bën më të fortë, për të përballuar situata të ndryshme.
Çfarë të bën të ndihesh më e sigurt?
Besimi në vetvete, në atë që ke bërë edhe në atë që dëshiron të bësh, të jep siguri. Kjo ka ndodhur edhe me mua, pasi tashmë e njoh më mirë vetveten, dhe kur njeriu e arrin këtë, ka kapërcyer çdo frikë, e cila mbjell pasigurinë. Mendoj se vetëm kështu ndihemi më të sigurt.
Keni jetuar 13 vite në Athinë, dhe më pas u kthyet në Shqipëri. Nëse do i krahasonit dy jetët, cilën jetë do të rizgjidhje?
Nuk do të rizgjidhja, pasi ajo që ka ikur, për mua është e shkuar. Më pëlqen të mendoj të tashmen, atë që unë kam në këto momente.

Jeta ime ndryshe, si gazetare investigative

Zgjohem në mëngjes në orën…07:00
Bie për të fjetur në orën….24:00
U përgjigjem në telefon vetëm numrave të njohur.
Historia që më ka tronditur më shumë, do veçoja të fundit me Bleona Mataj.
Dita më e keqe e jetës sime ka qenë kur më është dashur të braktis vendin tim, Shqipërinë, për shkak të rrethanave.
Momenti më i bukur i jetës sime ka qenë kur jam bërë nënë.
Unë kam besim vetëm tek Zoti.
Nuk kam besim tek çdo i panjohur.
Në ndryshim nga femrat e tjera, kaloj në shtëpi aq kohë sa më lejon puna në zyrë.
Kam parë lot femrash e meshkujsh, dhe mendoj se lotët e dhimbja janë njësoj për gjithkënd, pak rëndësi ka si e shprehin.
Kam dëgjuar shumë histori, dhe do u thosha të gjithëve që në këtë jetë t’i japin rëndësi momentit kur largohesh nga njerëzit e dashur, nga familja jote, pasi mund të jetë hera e fundit që i shikon. Kthejeni kokën pikërisht tek ai moment edhe mos ngurroni t’u telefononi e t’u thoni se sa shumë ju kanë munguar. Eshtë diçka që duhet ta bëni, sa jeni në kohë.
Kam mësuar që duhet të largohesh nga njerëzit e zemrës me fjalë dashurie, pasi mund të jetë hera e fundit që i shikon.

Martesa e dytë kërkon përkushtim, për momentin i jam dedikuar karrierës

Ndërkohë që tashmë ka ndryshuar dhe statusi yt civil. Cila është jeta që bën tashmë si femër e lirë, ndryshon shumë nga jeta më parë si e martuar?
Duke marrë parasysh punën time të vështirë, e cila kërkon përkushtim si nga ana shpirtërore, intelektuale por edhe nga çështja e kohës, përpiqem të balancoj çdo gjë. Mundohem të bëj një jetë sa më të rregullt e të shëndetshme, për të qenë edhe një shembull për djalin tim, i cili sapo ka hyrë në adoleshencë.
Jeton me djalin Brendon. Eshtë e vështirë të menaxhosh jetën, pasionet dhe dëshirat e një fëmije adoleshent? Çfarë marrëdhënieje ke me të?
Po unë jetoj me djalin tim, i cili është frymëzimi im në çdo drejtim, si çdo nënë për fëmijën e saj. Mundohem të menaxhoj ditën e tij që është shumë e ngarkuar me mësime, kurse, aktivitete të ndryshme, të cilat do t’i shërbejnë në të ardhmen. Në fakt përpiqem të jem e kujdesshme me dëshirat e tij si adoleshent, jam përpjekur që të dy të kemi marrëdhënie për të diskutuar gjithçka, e çdo gjë ta vendosim bashkërisht duke menduar të mirat e të këqijat që rrjedhin si pasojë e çdo veprimi.
Ke pohuar  zë të lartë moshën, çfarë është një femër 40 vjeçare në Shqipëri… Eshtë ajo në kohën e mirë për të rinisur gjithçka nga e para?
Mendoj se është mosha më e bukur…
Ke pasur ndonjë njohje interesante këto kohë, je duke jetuar ndonjë histori të re?
Pas dimrit gjithmonë vjen pranvera edhe unë jam duke jetuar jetën time me gjithë të papriturat që ajo sjell pa menduar gjatë.
Në përgjithësi femrat kanë një ideal mashkulli që duan ta kenë në krah kur janë shumë të reja. Tashmë që ke kaluar një eksperiencë të tillë cilin ideal mashkulli ke që do të doje ta kishe në krah?
Në jetë nuk mund të përcaktosh asgjë…
Do ta kishe provuar sërish një martesë të dytë, është martesa një zgjedhje e mirë në kohët që jetojmë?
Martesa do përkushtim dhe unë në këto momente i jam përkushtuar punës sime. Nëse martesa është zgjidhje në kohët që ne jetojmë, atë e di secili me veten e tij e askush nuk mund të japë përkufizime apo udhëzime…
Si do ta përshkruaje humbjen e një njeriu të zemrës?  Po të fitosh zemrën e njeriu të huaj çfarë do të duhej?
Nuk di si do të mundja ta përshkruaja, pasi humbja gjithmonë është mungesë. Eshtë një vend i ngelur bosh e sado vite të kalojnë, ai vend ngelet gjithmonë bosh…Për të fituar zemrën e një njeriu te huaj nuk e di se çfarë duhej të bëhej, por mendoj thjesht t’i tregoj atij me sinqeritet veten, ashtu siç jam.

 

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura