“Je xheloz për Salianjin”- Kunja e ironi mes Taulant Ballës dhe Flamur Nokës tek “Siguria”: Keni ju luftë të brendshme, ne i kemi dhënë fund!

Apr 30, 2024 | 14:56
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe deputeti i PD-së, Flamur Noka kanë replikuar tek Komisioni i Sigurisë, ku kanë hedhur kunja e ironi ndaj njëri-tjetrit.

flamur noka taulant balla

Taulant Balla, gjatë mbledhjes, u shpreh se fokusi i Komisionit duhet të qëndronte tek rendi i ditës për projektligjin për sistemin e adresave, duke theksuar se deputetët e opozitës që duan të bëjnë pyetje ta thërrasin në interpelancë.

Ministri Balla u shpreh se gjatë seancës së ditës së enjte është thirrur në interpelancë nga deputeti demokrat, Ervin Salianji, ndërsa iu drejtuar Flamur Nokës: “Hajde në seancë, mos u bëni xheloz për kolegun Salianji, hajdeni ditën e enjte në seancë dhe dëgjoni përgjigjet e pyetjeve”.

Ndërsa Noka iu përgjigj se është koordinuar me kolegun e tij demokrat dhe se lufta e tyre e brendshme tashmë ka marrë fund.

“Me kolegun jemi koordinuar, rrini i qetë. Ngaqë keni luftën e brendshme tuajën, ne i kemi dhënë fund luftës së brendshme”, tha deputeti Flamur Noka.

Pjesë nga replikat:

Taulant Balla: Nuk kam ndërmend të zhvendos vëmendjen nga rendi i ditës, jam i gatshëm kur të më ftojë çdo deputet i opozitës përmes instrumenteve të Parlamentit, ka seancë pyetje, interpelancë. Jam njoftuar nga shërbimet e Kuvendit për interpelancë me kolegun Salianji për një set pyetjesh që ka sjellë.

Nuk ndodh asnjëherë të mos paraqitem në interpelancë apo seancë pyetjesh sa kohë. Nuk mund t’i përgjigjem një pyetje sepse unë nuk njoh asnjë institucion me emrin SKAP në Shqipëri, nuk di të ketë. E kam thënë që prioritet është lufta kundër korrupsionit brenda policisë së shtetit.

(Ndërhyn Noka)

Taulant Balla: Hajde në seancë, mos u bëni xheloz për kolegun Salianji, hajdeni ditën e enjte në seancë dhe dëgjoni përgjigjet e pyetjeve sepse i ka sjellë e numër.

Flamur Noka: Me kolegun jemi koordinuar, rrini i qetë. Ngaqë keni luftën e brendshme tuajën, ne i kemi dhënë fund luftës së brendshme

Taulant Balla: Kujtova që ka kaluar nga Gazi dhe jo nga ju, harrova

Flamur Noka: Nuk i ha kush këto! Shih merru me krimin

Taulant Balla: Ejani në seancë dhe njihuni me rezultatet e arritura deri tani nga procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura