Japoni, uji i detit me jod radioaktiv, 3355 herë më shumë se normalja

Mar 31, 2011 | 13:17
SHPËRNDAJE

Ndotja në Japoni për shkak të incidentit në centralin nuklear të Fukushimës, përveç ajrit dhe tokës ka prekur edhe detin, duke e bërë më alarmante situatën. Përpjekjet e punëtorëve për të devijuar rrjedhjen radioaktive nga reaktori numër dy në drejtim të detit, me depozitimin e thasëve me rërë një ditë më parë kanë dështuar. Radioaktiviteti i jodit të detit në Japoni, vetëm 300 metra larg centralit nuklear të Fukushimës, është 3.355 herë më i lartë se limiti i konsideruar i padëmshëm për shëndetin dhe ambientin. Agjencia për sigurinë nukleare në Japoni është përpjekur të minimizojë alarmin e kësaj situate, duke njoftuar se rreziku nuk është shumë i madh, pasi popullsia rreth centralit është larguar tashmë nga këto zona në një rreze prej 20 kilometrash. “Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të punojmë në parandalimin e ndonjë rrjedhjeje të mëtejshme në det. Shifrat janë të njëjta si në leximet paraprake. Është konfirmuar edhe me Komisionin e Energjisë Atomike në Japoni se zona 20-kilometërshe e centralit Fukushima Daiçi është evakuuar, prandaj nuk ka gjasa të ndikojë te banorët”, tha zëvendësdrejtori i Agjencisë Japoneze për Energji Atomike, Hidehiko Nishijama. Qeveria japoneze, me iniciativë të ministrisë së Industrisë, ka vendosur kontrollin urgjent të të gjithë reaktorëve nuklearë në vend për të garantuar se nuk do të ketë skenarë të përsëritur si ai i Fukushimës. Ministri i Ekonomisë e Industrisë, Banri Kaieda, u ka dërguar një letër krerëve të nëntë kompanive elektrike rajonale japoneze dhe dy operatorëve që drejtojnë impiante të tjera nukleare. Japonia ka 54 apo 55 reaktorë, të gjithë të vendosur përgjatë bregdetit në një arkipelag me rrezik lëkundjesh të forta sizmike. Iniciativa për kontrollin e tyre ka lindur pas ekzaminimit të mekanizmave që kanë çuar në krizë centralin e Fukushimës. Mes të tjerash, Japonia po përpiqet të mbulojë edhe tre reaktorët e dëmtuar në centralin nuklear të Fukushimës, për të ulur emetimet radioaktive e për të përdorur një autocisternë për eliminimin e ujit të kontaminuar të pranishëm në impiant. Sipas të përditshmeve japoneze, qeveria po mendon mbulimin me veshje speciale për çatitë dhe muret e jashtme të reaktorëve 1, 3 dhe 4, duke përdorur elemente të ajrosjes për të evituar akumulimin e gazit dhe shpërthime të tjera. Një tjetër projekt parashikon sërish përdorimin e një autocisterne në Oqeanin Paqësor, pranë reaktorëve 1 dhe 4, për të eliminuar ujin radioaktiv të gjetur në nj tunel pranë reaktorit numër 2.

Shtrohet në spital presidenti i TEPCO

Masataka Shimizu, presidenti i Tepco-s, shoqëria japoneze që menaxhon centralin nuklear japonez të Fukushimës, është shtruar të martën në mbrëmje në spital. Sipas mediave lokale, Shimizu, 66 vjeç, gjatë ditëve të fundit ishte ankuar për probleme me shëndetin, vuan nga presioni i lartë i gjakut. Shimizu nuk shfaqej në publik që prej 13 marsit, dy ditë pas tërmetit dhe cunamit shkatërrues që u përplas në verilindje të Japonisë.  Sëmundja e tij nuk ka lidhje me radioaktivitetin.

10 milione
herë më i lartë se normali është radioaktiviteti në ujin e pishinës ftohëse të reaktorit numër dy të Fukushimës, duke e ngritur alarmin në ekstrem

28 mije
njerëz rezultojnë të vdekur apo zhdukur sipas
shifrave zyrtare japoneze, pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit në këtë vend

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura