Ja marifeti që po përdorin shoferët për të mos paguar gjobat e Policisë

Feb 19, 2017 | 16:06
SHPËRNDAJE

Pronarët e makinave që nuk kanë paguar gjobat e Policisë Rrugore rrezikojnë marrjen e shërbimeve nga drejtoritë e Transportit Rrugor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor rekomandon se për të gjithë shoferët e makinave që nuk kanë paguar gjobat është e domosdoshme që t’u kërkohet nxjerrja e vërtetimit, e cila dëshmon shlyerjen e tyre.

policia

Ky vërtetim duhet të paraqitet në çdo sportel të Drejtorisë së Shërbimit Rrugor nga ana e qytetarit, në rast se ai do të ndryshojë targën, rinovojë patentën, apo do të ndryshojë pronësinë e mjetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se në shumë raste, pronarët debitorë të makinave ndryshojnë targën vetëm për të mos paguar gjobat.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Gani Çupi, tha për gazetën se marrja e këtyre masave është diskutuar me Policinë e Shtetit, por deri tani nuk është arritur në një marrëveshje.

Çupi shpjegoi se për zbatimin e masave të rekomanduara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është e domosdoshme që të specifikohen me ligj, si dhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor duhet të pajiset me një databazë të dhënash nga ana e Policisë Rrugore, ku të verifikohen qytetarët që nuk kanë paguar gjobat për kundërvajtje.

RAPORTI

Kontrolli i Lartë i Shtetit shpjegon se vërtetimi do të shmangte abuzimet e ndryshimit të targës, për shkak se pronari i mjetit shmanget nga detyrimi për të paguar gjobat e Policisë Rrugore.

Në këto situata, KLSH-ja rekomandon që kjo procedurë të koordinohet mes Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë Shërbimit të Transportit, nëpërmjet një marrëveshjeje që do të mundësonte verifikimin.

“Gjatë shërbimeve të radhës që kryejnë pronarët apo drejtuesit e mjeteve në sportelet e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, nuk u kërkohet dokument që vërteton se nuk kanë detyrime ndaj organeve të Policisë Rrugore për gjoba nga kundërvajtjet administrative.

Mungesa e këtij rakordomi sjell shmangien e këtyre gjobave, pasi mjeti humbet gjurmët lehtësisht, duke ndërruar targën pikërisht vetëm për shkak të gjobave të papaguara.

Për këtë rekomandojmë që Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor të marrë masa që të bashkëpunohet me organet e Policisë së Shtetit, me qëllim paraqitjen reciproke të dokumenteve që të vërtetojnë shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella të të dy institucioneve (të lidhin marrëveshje)”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Edhe për drejtuesit e makinave që nuk paguajnë taksat, KLSH-ja rekomandon koordinim mes Tatimeve dhe Policisë së Shtetit për pagimin e tyre.

“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor të bashkëpunojë me organet e Policisë së Shtetit dhe organet tatimore, me qëllim paraqitjen reciproke të dokumenteve, që të vërtetojnë shlyerjen të detyrimeve të ndërsjella të të dy institucioneve, gjë që do të ndikojë edhe në pagesat e taksave vjetore të makinave dhe do të rrisë të ardhurat e buxhetit të institucionit”, rekomandon Kontrolli i Lartë i Shtetit.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura