Italia një ditë pas vendimit të Berluskonit për të tërhequr ministrat

Sep 30, 2013 | 12:37
SHPËRNDAJE

Presidenti italian Xhorxho Napolitano tha se zgjedhje të reja në Itali do të ketë vetëm në rast se nuk gjendet zgjidhje mbi mundësinë e mbijetesës së koalicionit qeverisës, pasi Berluskoni kërkoi tërheqjen e ministrave nga PDL. Sipas kreut të shtetit italian, shqetësues është fakti i linjës që duhet të ndjekë PD e kryeministrit Leta, por edhe kaosi i krijuar brenda PDL-së. Pas thirrjes së Berluskonit dhe kreut të Lëvizjes Pesë Yjet për zgjedhje të reja, Berluskoni e tha se kjo mund të jetë mundësia e fundit. “Shkrirja e dhomave të Parlamentit do të ndodhë vetëm nëse formimi i qeverisë bëhet i pamundur. Jemi në një fazë disi të kriptuar. Unë do të shoh mundësinë për vazhdimin e legjislaturës”, tha Presidenti. “Do të procedoj me një verifikim të kujdesshëm të precedentëve të krizave të mëparshme, duke nisur nga kriza e qeverisë së dytë të Prodit”, tha ai duke iu referuar krizës janar-shkurt 2008. Ndërsa Kryeministri Leta tha se “Ne do të angazhohemi plotësisht, por do të ishte mirë që të gjithë të lutemi për Italinë këto tri ditë…”.
Tre ministra të PDL-së kanë dënuar vendimin e Berluskonit për dorëheqjen e tyre, duke folur për një diktat brenda partisë së krahut të djathtë. Vendimi i tyre ka rritur tensionet brenda PDL së Berluskonit. Ministrat “rebelë” pritet të përjashtohen nga partia për të cilën ata vetë kanë shprehur rezerva, në takimin e PDL që mbahet sot pasdite. Një ditë pas kërkesës së Berluskonit për dorëheqjen e ministrave të PDL nga qeveria Leta, tre ministra janë shkëputur nga mbështetja për këtë vendim, duke shkaktuar kaos në PDL. Por, deklarata më e fortë që tregon një ndryshim qëndrimi, sipas mediave italiane, erdhi nga “i përzgjedhuri” i Berluskonit, Anxhelino Alfano, aktualisht zv.kryeministër dhe ministër i Brendshëm. Me një mesazh në “Facebook”, ai deklaroi shkëputjen nga vendimi i Arkores me të cilin Silvio Berluskoni ka kërkuar që ministrat të lënë postet e tyre pa u konsultuar më parë me ta. Ministrat e qendrës së djathtë, Mauricio Lupi, Beatriçe Lorencin dhe Gaetano Kualjarielo kanë kritikuar “këshilltarët e këqij” të Berluskonit që i japin ide të tilla ekstremiste, kanë deklaruar besnikëri ndaj tij, por jo më ndaj kësaj force politike. Ndërsa Alfano shkruante se: “Jam berluskonian dhe i drejtë. Por, drejtësia më imponon të them se nuk mund të mbizotërojnë pozicione ekstreme dhe të huaja për historinë tonë, për vlerat tona dhe ndjesitë e përbashkëta të popullit tonë. Nëse do të mbizotërojnë ato synime, ëndrra e një ‘Forza Italia’ të re nuk do të realizohet”, shkruan Alfano.

Grillo
Lideri i Lëvizjes 5 Yjet tha dje: “Tani zgjedhje. Nëse italianët vazhdojnë të mbështesin PD dhe PDL, unë do të tërhiqem, do të vendosë populli italian që është mbrojtës i kësaj partie”. Në fund të një tubimi në Milano, Grillo bëri një sulm të paprecedentë ndaj Presidentit italian. “Napolitano? Ka mundësi që të ndjekë ‘psikoxhuxhin’ në arrest shtëpie”, tha ai i pyetur mbi mundësinë që të jetë kreu i shtetit që përcakton linjën e PD.

Plani i Letës
Të martën Leta do të ilustrojë në Senat programin “për të ecur përpara deri në vitin 2015”. Sipas “La Repubblica”, centristët, përfshirë dhe ish-kryeministrin Mario Monti, janë në negociata me miqtë e tyre nga PDL, për t’i bindur ata ta braktisin Berluskonin për të evituar ekstremizmin e djathtë… Në këtë moment në Senat lind një grup i ri të “përgjegjshmish” që do të çojë përpara ekzekutivin, duke lindur një qendër të djathtë të moderuar europiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura