Isufi e Përmeti, ekspozitë kujtimesh tek ish-magazina

Jul 22, 2011 | 12:07
SHPËRNDAJE
Ardian Isufi dhe Genc Përmeti

Kur ishte i vogël, gjyshi i tregonte për luftën. Në mendjen e tij zhvilloheshin beteja të ashpra, me luftëtarë të paepur…Kur ishte në klasën e katërt fillore dhe dukshëm shfaqej talenti i atij djali për “të vizatuar”, mbi letrën e ashpër të fletores së vizatimit krijoi një tablo lufte me partizanë, trima me pushkë me gjalmë. Kur shkoi në lice vizatoi portretin e gjyshit, që dikur i tregonte historia. E së fundmi i bëri bashkë, në një kolazh të titulluar “Pa titull në kohë”. Një seri punimesh që datojnë në kohë të ndryshme, pjesë e një ekspozite më të madhe me titullin “Eklektik”, hapur këto ditë nga artistët Ardian Isufi dhe Genc Përmeti.
Galeria
Të mësuar t’i shohim në galeri me mure të patinuara e parket, ekspozita më e fundit të ofron një tjetër ambient, një tjetër ndjesi. Kësaj here u huazuan ambientet çunave të “Tirana Ekspres”, qendrës alternative, të hapur pranë magazinave të Stacionit të Trenit. I gjithë kompleksi të ofron një pamje artistike surreale. Në njërën prej ndërtesave të gjata, mbuluar me eternit, tipike për magazinat e socializmit, nga 2-3 dyert e para hyjnë e dalin punëtorë gjysmë të zhveshur që shtyjnë arkat me birrë e pije freskuese, kurse në ndarjen e fundit nuk “magazinohen” mallra, por ofrohet art. Ndonëse qendra nuk ka më shumë se një muaj jetë, ajo ka pritur e përcjellë artistë dhe artdashës, jo vetëm të arteve figurative, por edhe të muzikës e filmit. Ishte pikërisht atmosfera që përçonte kjo qendër me mure të pasuvatuar, lyer me gëlqere të bardhë, me dritare të qëmotit, lyer me ngjyrë jeshile, të vendosura gati në tavan, që joshi dy artistët të realizonin në kohë rekord një ekspozitë me punë të reja apo të ekspozuara pak.
Veprat

Dy nga punët e Genc Përmetit

“Eklektik” ka pak nga të gjitha, vizatim, pikturë, kolazh, video, video instalacion… disa prej tyre janë të njohura për publikun, por të vendosura në një kontekst të ri, atyre u mbivendoset një tjetër lexim. Duket sikur personazhet e Genc Përmetit janë pikërisht në vendin e tyre. Në një ambient ku ata mund të shtendosen e të jenë të pakompleksuar apo “vetvetja” (tingëllon banale për shkak të mbipërdorimit nga pjesëmarrësit në një reality show). Dy burra në moshë, të zhveshur, ku lëkura e varur, e plakur të krijon një lloj neverie të përzier me keqardhje… Njëri ka veshur zhartierë, tjetri këpucë me taka. Nën kostum e kravatë, ata dy burra do të dukeshin ndryshe… Realisht, e vërteta nuk është asnjëherë ajo që duket. Brendia është krejt tjetër gjë…
Ndërsa Isufi, në muret e ish-magazinës ka ekspozuar një seri punësh që duket sikur i ka nxjerrë nga “magazinat” e kujtesës. Janë vizatime naive të fëmijërisë, të cilat piktori i ka nxjerrë nga dosjet më të hershme të krijimtarisë së tij. Një kazmë, një shtyllë elektriku, pastaj vizatimi i gjyshit me kolazhin me partizanë apo riprodhimi i një fotografie të një fëmije mbi një kalë lodër me një pushkë të krahë. Të gjithave këtyre vizatimeve të realizuara shumë viteve më parë, Isufi u shton nga një element të ri e, bashkë me të, dhe një kuptim të ri. Përballë me to janë ekspozuar dy punë të përmasave të mëdha, shkëputur nga cikli i shenjave. Shenjave rrugore, të cilat i hasim çdo ditë, Isufi i mbivendos edhe disa detaje të tjera, të cilat shoqërojnë gjithë procesin e përballjes me këto shenja apo mosrespektimin e tyre. Po në kuadrin e shenjave, Isufi ka realizuar edhe një instalacion, ku shenjën që të ndalon të shkelësh në një territor të caktuar sepse rrezikon të bëhesh shënjestër armësh zjarri, e ka “stamposur” mbi dy satelitë (saç), duke reflektuar mbi temën e komunikimit, mbi rrezikun e të “mbajturit peng” të publikut vetëm nga një grup njerëzish të caktuar, që kanë pushtuar të gjitha ekranet televizive dhe që në një farë mënyre të imponojnë me përdhunë mendimet e tyre. Gjithë këtij kolazhi punësh nuk mund t’i mungonin edhe dy punë, një instalacion dhe një videoinstalacion mbi masakrën urbane dhe një instalacion në vagon të braktisur treni për mbrojtjen e natyrës.

Mbytja e artistit

Ardian Isufi në performancën “Mbytja e artistit”

Një ditë më pas, atij nuk i pushonte zilja e telefonit. Duke shfrytëzuar një lojë fjalësh në ndonjë media, nxinte titulli: Mbytet artisti Ardian Isufi. Kujtdo do t’i kish shkuar mendja për keq. Në fakt bëhej fjalë për një mbytje artistike, për një akt që artisti e ndërmori për të treguar “mbytjen” e artistëve në kohën kur ne jetojmë, ku mungojnë politikat konkrete, ku hapësirat për të ekspozuar janë të pakta. Titullohej “Vdekja e artistit” dhe videon e kësaj performance, Isufi e ka bërë pjesë të ekspozitës “Eklektik”. Frymëzimin për këtë performancë e merr nga një instalacion i prezantuar dy vjet më parë në Bienalen e Venecias, titulluar “Vdekja e koleksionistit”, e cila ngrinte një sërë pikëpyetjesh mbi vdekjen misterioze të koleksionistit B., i cili u gjet i mbytur në pishinën e tij. Sipas Isufit, në vend të Zotit B., mund të jetë një artist shqiptar, i cili “nuk është i përkrahur nga institucionet e artit, është i “mbytur” nga harresa, sepse kultura fatkeqësisht zë vendin e fundit në shoqërinë tonë, pra i pashpresë përballë agresionit të drejtpërdrejtë apo në forma indirekte, që dita-ditës po i merr frymën”.

 

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura