Ish-trajneri Slishkoviç: Shqipëria? Mos e nënvlerësoni!

May 31, 2011 | 13:01
SHPËRNDAJE

Ai e njeh disi më mirë se të tjerët futbollin shqiptar, kjo për faktin se ka drejtuar, ndonëse për një periudhë të shkurtër kohore, pluri-kampionët e Tiranës. Bëhet fjalë për Blazh Sliskoviç. Ish-tekniku bardheblu ka drejtuar në karrierën e tij edhe për pak kohë ekipin përfaqësues të Bosnjës (para Çiro Blazeviç), ndaj, duke komentuar dy ndeshjet e radhës ndaj Rumanisë dhe Shqipërisë, Slishkoviç ka analizuar me detaje edhe kuqezinjtë e drejtuar nga Josip Kuzhe. Ai ka pohuar se Kombëtarja shqiptare duhet marrë shumë seriozisht, pasi në ndeshjet e fundit ka bërë progres, ndaj mund të bëjë ndonjë surprizë të pakëndshme në Zenica, në 7 qershor. “E kam parë ndeshjen e Shqipërisë me Bjellorusinë dhe mund të them se pashë një skuadër të frikshme. Në gjykimin tim, ekipi shqiptar nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment, pasi mund të na bëjë ndonjë surprizë të pakëndshme. Është e vërtetë që ata në transfertë kanë treguar limite me lojën e tyre, por unë, gjithsesi them se nuk duhet marrë edhe aq lehtë”, ka pohuar ish-trajneri i Tiranës. Ai qëndroi te skuadra bardheblu për tre muaj dhe u largua pas rezultateve të dobëta në kampionat në sezonin 2008-2009.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura