Ish-presidentët: ODIHR të flasë qartë

Jun 30, 2012 | 13:45
SHPËRNDAJE
Ish-presidentët Meidani e Moisiu

Ish-presidentët Moisiu dhe Meidani kanë bërë përgjegjës të standardit të zgje-dhjeve në Shqipëri edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, OSBE/ODIHR.
Në një tryezë të organizuar nga Forumit Civil 2010 për reformën zgjedhore, ish-presidentët Moisiu dhe Meidani ngritën kritika për pozicionin që ODIHR ka mbajtur ndaj shkeljeve të bëra, sipas tyre, nga KQZ apo partitë politike në procesin zgjedhor. “Kur ka vlerësime, gjërat duhen thënë më hapur, më qartë, që populli shqiptar të kuptojë se kush nga palët e politikës ka përgjegjësi në një proces zgjedhor. Shoqëria civile duhet ta detyrojë politikën të dëgjojë popullin, ne duhet të themi me forcë fjalën tonë, jo me pushkë, por në mënyrë demokratike. Ndërkombëtarët të mos u japin politikanëve deklarata të pamerituara, sepse pastaj ata mburren me vlerësimet tuaja”, u shpreh ish-presidenti Moisiu. Edhe ish-presidenti Meidani, duke folur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, u shpreh kundër opinionit të ODIHR për aplikimin e numërimit elektronik të votave për zgjedhjet e ardhshme.
“Një problem për zgjedhjet e lira është dhe garantimi i votës. Për këtë çështje mendoj se i rëndësishëm është votimi elektronik online, i cili duhet të fillojë si fillim në zona të populluara urbane. Modeli më i mirë janë shërbimet bankare. Garancia e votës bëhet edhe përmes numërimit elektronik. Unë s’jam nga ata që mendojnë se numërimi elektronik mund të sjellë turbullira të mëdha dhe nuk ndaj të njëjtin mendim me një strukturë përgjegjëse për zgjedhjet në nivel rajonal dhe botëror, siç është OSBE/ODIHR-i. Kjo është një histori 22-vjeçare në bashkëpunim me këtë strukturë, dhe nuk po garantojmë dot votën e lirë”, u shpreh Meidani.
Ndërsa aktivistja njohur, Kozara Kati, gjatë fjalës së saj bëri direkt fajtor OSBE/ODIHR-in për dështimin e zgjedhjeve dhe të reformës zgjedhore. “Dështimi i reformës zgjedhore duhet gjetur te politika, shoqëria civile dhe te organizatat ndërkombëtare, si OSBE/ODIHR, që ka bërë ‘qorrin dhe shurdhin’ përballë shkeljeve të bëra dhe në reformën zgjedhore”, u shpreh Kati. Por nuk ka munguar dhe reagimi i ambasadorit Volfarth, i pranishëm në tryezën e djeshme. “Sa i përket reformës zgjedhore, OSBE/ODIHR vetëm jep rekomandime, dhe ato jepen mbi bazën e defekteve të vërejtura gjatë zgjedhjeve të zhvilluara. S’janë të huajt ata që duhet ta drejtojnë këtë vend, por janë shqiptarët. OSBE/ODIHR nuk është këtu për të imponuar zgjidhjet, por jep këshilla dhe është Parlamenti ai që i zbaton. S’është vendi për të fajësuar faktorin ndërkombëtar, këtë s’mund ta pranojmë. OSBE/ODIHR ofron lehtësim të procesit. Dështimi është përgjegjësi e faktorëve politikë shqiptarë”, u shpreh ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth.
Gjatë tryezës, Forumi Civil 2010 adresoi dhe disa rekomandime për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe partive politike. “Forumi Civil 2010 shpreh bindjen se përmirësimet e Kodit Zgjedhor duhet gjithashtu të garantojnë lista zgjedhore të plota dhe tërësisht të saktësueshme, nëpërmjet verifikimit elektronik të dokumentit të identifikimit të zgjedhësve dhe numërimit elektronik të votave, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme”, thuhet në deklaratën e Forumit për reformën zgjedhore.

Deklaratat e Forumit Civil 2010
. Forumi Civil 2010 shpreh bindjen se përmirësimet e Kodit Zgjedhor duhet gjithashtu të garantojnë lista zgjedhore të plota dhe tërësisht të saktësueshme, nëpërmjet verifikimit elektronik të dokumentit të identifikimit të zgjedhësve dhe numërimit elektronik të votave, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme.

. Komisioni bipartizan u deklarua si veprimtari transparente, më vonë u shndërrua në një organ hermetik, nga i cili kanë dalë vetëm pak deklarata të përgjithshme, por edhe kontradiktore, që nuk paraqesin arsyet e vërteta të ngërçit dhe mundësitë për kapërcimin e tij.

. Ende nuk ka asnjë njoftim se çfarë zgjidhjeje do t’i jepet propozimit të partive të vogla për korrigjimin e sistemit proporcional në shkallë kombëtare.

. Të vlerësohen maksimalisht rekomandimet e OSBE/ODIHR–it, duke mos u kufizuar në referimin e tyre për arnime gjysmake, siç po tentohet të bëhet me rekomandimin e shprehur në raportin e publikuar shtatorin e vitit të kaluar për ristrukturimin e KQZ-së.

. Të shikohet nevoja e reformimit të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit dhe përcaktimin e saktë ligjor të procedurave të ankimit.

. Kodi Zgjedhor të garantojë lista zgjedhore të plota dhe tërësisht të saktësueshme, nëpërmjet verifikimit elektronik të dokumentit të identifikimit të zgjedhësve dhe numërimit elektronik të votave, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme.

Rexhep Meidani
“Votim e numërim elektronik”
Ish-presidenti Rexhep Meidani adresoi dje gjatë tryezës të zhvilluar nga Forumi Civil 2010 disa masa që duhen marrë për të garantuar zgjedhjet e lira. Meidani kërkoi një reformë administrative, korrektim të sistemit zgjedhor për të garantuar një barazi të votës. Sipas ish-presidentit, garantimi i votës së lirë duhet bërë përmes teknologjisë moderne. “Votimi elektronik përmes identifikimit të gjurmës së gishtit dhe numërimi elektronik do të garantojnë votën e lirë të çdo shqiptari”, u shpreh ish-presidenti. Sipas tij, kërkohet dhe rritja e besueshmërisë në administrimin e zgjedhjeve. Meidani kërkoi një Komision Zgjedhor më të besueshëm, më të pavarur, dhe jo të komanduar politikisht.

Komisioni
Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, edhe pse ka marrë një mandat të ri trejavor, ende ka ngecur dhe nuk po jep asnjë produkt konkret për këtë reformë. Palët, të cilat po punojnë në nivel ekspertësh, ende nuk kanë gjetur zgjidhje për formulën e ngritjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për procesin e ankimimit në KQZ, por dhe çështjet e rolit të administratës publike gjatë fushatave zgjedhore.

Korrektimi
Në tryezën e djeshme të Forumit Civil 2010 u ringrit çështja e korrektimit të sistemit zgjedhor. Bashkëdrejtuesit e këtij forumi, ish-presidentët Meidani dhe Moisiu, kërkuan që dy partitë politike të angazhohen pas tryezës së zhvilluar me 26 partitë politike në vend. Sipas ish-presidentëve, korrektimi i sistemit përmes ndryshimit të formulës së përllogaritjes së mandateve do të sjellë një barazi në votën e shqiptarëve. Gjithashtu, sipas folësve në këtë tryezë, edhe reforma administrative do të barazojë votën nga një qark në tjetrin.

Vëzhguesit
Aktivistja e shoqërisë civile, Kozara Kati, kërkoi nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve një pozicion më të qartë dhe të prerë të tyre. Sipas saj, në 22 vjet, në çdo zgjedhje të zhvilluar nuk ka arritur të adresojë përgjegjësit e një procesi zgjedhor defektoz. “OSBE duhet të bëjë analizën e saj. Më 2009-n OSBE/ODIHR nuk bëri asnjë vlerësim lidhur me procesin e ankimimit. Unë apeloj që vëzhguesit e huaj të mos jenë vetëm vëzhgues dhe raportues të zgjedhjeve, por dhe të parandalojnë çdo keqdashës në cenimin e standardit të zgjedhjeve”, u shpreh Kati.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura