INUK, Halimi: Fukarenjve u shemben banesat,
në bregdet ndërtohen pallate. PS: Po zbatohet ligji

Oct 31, 2014 | 16:46
SHPËRNDAJE

Eduard Halimi me banore ne Durres

UPDATE-Pas aksionit të INUK-ut të zhvilluar në qytetin e Durrësit, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, denoncoi prishjet e paligjshme e selektive që sipas tij po bëhen në këtë zonë. Halimi thekson se bashkë me aksionin për prishjen e ndërtimeve, vijojnë ndërtimet klienteliste në breg të detit.

Partia Demokratike njofton se Halimi u takua me banorë të zonës së plazhit të dëmtuar nga arbitrariteti i qeverisë dhe u ndal në raste konkrete të pabarëzisë që ka krijuar represioni qeveritar.

“Asnjë copë lepër nuk u është dhënë në dorë qytetarëve. Për 30 minuta kanë kaluar fadromat e INUK-t bashkë me fadromat e policisë dhe kanë shkatërruar gjithçka. Këtu vetëm shtet ligjor nuk mund të ketë. Po vepron me arrogancë të plotë duke e zëvëndësuar shtetin ligjor me një shtet policor, për më tepër kur po prishen banesat dhe lokalet e këtyre fukarenjve dhe shihni nga krahu tjetër ku është dhënë leja e ndërtimit dhe si po ndërtohet pallati”,-u shpreh Halimi.

Foto e publikuar nga PD per ndertimet ne Durres

Deputeti i opozitës ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të dokumentojnë rastet e arbitraritetit të qeverisë dhe ti sjellin ato pranë Partisë Demokratike. Partia Demokratike deklaron se do të denoncojë e bëjë transparencë për cdo rast të shkeljes së ligjit dhe trajtimit të pabarabartë që po u bën qeveria qytetarëve.

PS, Gjylameti: PD ankohet se INUK po zbaton ligjin

Pas akuzave të PD-së për aksionet e INUK-u në Durrës, ka reaguar edhe Partia Socialiste. Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se opozita ankohet pse shteti po funksionon. “Ankohen pse ligji po zbatohet. Ankohen pse INUK është duke kryer një detyrë, që në fakt duhet të ishte kryer prej vitesh nga Bashkia e Tiranës, që drejtohet nga vetëm Kryetari i opozitës”,-deklaroi Gjylameti.

Sipas saj, përfaqësuesit e opozitës duhet të kërkojnë falje dhe të mbanin përgjegjësi për dëmin që i kanë shkaktuar qytetarëve dhe qyteteve, jo të mbajnë anën e shkelësve të ligjit dhe zaptuesve të hapësirave publike, siç po bëjnë prej javësh.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura