INUK me mision në Durrës, në një javë rrafshohet bregu

Oct 31, 2014 | 13:07
SHPËRNDAJE

Gjatë aksionit të INUK dje në Durrës
Fadromat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar zbarkojnë në Durrës me një mision disaditor, i cili konsiston në pastrimin e qytetit bregdetar nga ndërtimet e paligjshme. Aksioni nisi paraditen e djeshme tek Ura e Dajlanit me shembjen e disa tendave dhe largimin e reklamave përgjatë rrugës së plazhit, ndërsa në mesditë u sheshuan dy objekte dykatëshe në rreth-rrotullimin e Plepave. Sipas burimeve nga INUK, aksioni në vijim do të zhvendoset përgjatë brezit të rërës, me shembjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme. Të njëjtat burime shtojnë se INUK-u ka hartuar një listë shumë të gjatë me emrat dhe vendndodhjen e objekteve që janë në plan për t’u shembur. Dita e parë e aksionit nuk pati të papritura, duke iu referuar rezistencës së pronarëve, ndonëse ishin marrë të gjitha masat. Në mbështetje të INUK-ut ishin OSHEE, INUV dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës. Aksioni përbëhet nga dy grupe pune. Njëri ka nisur punën te Plepat dhe i drejtohet Durrësit me rrafshimin e të gjitha ndërtimeve të paligjshme dhe do takohet te Hekurudha me grupin tjetër që ka nisur punë tek Ura e Dajlanit dhe marshon drejt Plepave. Pasi të jetë përmbyllur misioni me prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme në të dy krahët e rrugës së plazhit, fadromat do të zhvendosen në bregun e rërës. Aksioni i djeshëm u mbyll me shembjen e dhjetëra tendave, shtesa pallatesh, heqje reklamash, të gjitha pa leje.

PARALAJMËRIMI
Mbi 50 bare, lokale dhe bar-restorante luksoze në Durrës do t’u nënshtrohen shembjeve dhe matrapikut të fadromave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i cili këtë radhë ka për qëllim t’i bëjë një pastrim gjeneral qytetit bregdetar nga ndërtimet e paligjshme. Konfirmohet zyrtarisht se javën e ardhshme, pasi të jetë përmbyllur misioni në zonën e plazhit, mjetet e rënda të INUK-ut do të zbarkojnë në zemër të qytetit, ku do të shembin lokalet dhe barrestorantet e ndërtuara te mauzoleu “Dëshmorët e Kombit”, njohur ndryshe si lulishtja. Sipas INUK, të njëjtin fat do të kenë edhe lokalet luksoze në hyrje të qytetit të Durrësit, me qëllim shtimin e hapësirave të gjelbra. Pronarët e këtyre subjekteve shprehen të irrituar ndaj urdhrit për shembjen e objekteve, duke thënë se qeveria dhe pushteti vendor nuk duhet t’i kishte lejuar të investonin nëse kishin në plan shembjen. Në listën e gjatë të shembjeve përgjatë këtij aksioni disaditor janë edhe lokalet e barrestorantet e ngritura përgjatë bregdetit nga Bërryli deri në Currila. Sipas burimeve nga INUK, në këtë zonë do të ndërhyhet fill pasi të ketë përfunduar shembja e të gjitha ndërtimeve të paligjshme në qytet dhe në zonën e plazhit.

INUK EDHE NË ELBASAN
Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka nisur prishjen e ndërtimeve pa leje edhe në qarkun e Elbasanit. Janë rreth 220 objekte në qytetin e Elbasanit dhe më shumë se 500 në të gjithë qarkun, të cilat së shpejti do të prishen nga fadromat e INUK. Të shoqëruar edhe nga Policia e Shtetit, INUK ka nisur aksionin te rruga e doganës, për të vijuar gjatë gjithë javës me objektet pa leje që kanë zënë hapësirat publike. Të lajmëruar për prishjen e objekteve një pjesë e pronarëve kanë ndërhyrë në kohë për të hequr sendet e ndryshme nga ndërtimet e tyre, për t’u tërhequr më pas përpara forcës së ligjit. Dita e djeshme ka pasur edhe reagime nga ana e pronarëve të objekteve, të cilët kanë pretenduar se e kanë objektin në proces legalizimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura