Interpelanca për PISA-n/ Ministrja Manastirliu: Performanca e nxënësve shqiptarë u ndikua nga shumë faktorë, por dolën të parët në treguesin e qëndrueshmërisë

May 2, 2024 | 12:15
SHPËRNDAJE

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka thirrur në interpelancë ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, për të dhënë shpjegime në lidhje me masat e marra për t’iu përgjigjur rezultateve për testin e PISA.

Zhupa, gjatë fjalës së saj, tha se rezultatet e PISA-s ishin turpëruese dhe se Shqipëria ka një rënie të madhe në rajon.

“Pas daljes së rezultateve të Pisës, që ishin të dhëna turpëruese. Ky është një raport që zhvesh propagandën dhe dëshmon rrënimin e sistemit para universitar në Shqipëri. Shqipëria kishte rënie më të madhe të ndonjë shteti në rajon, krahasuar dhe me veten që në vitin 2009. Ka rënë me 47-68-50 pikë. Ne renditemi më poshtë se Palestina, se Uzbekistani. Kishim rënie më të madhe se të gjitha vendet e tjera. Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer pas në vitin 2000. Është thelluar analfabetizmi. Jemi katandisur në tre fusha kryesore”, tha Zhupa.

Në përgjigje, Manastirliu tha se e pranojnë që performanca në PISA nuk ishte ajo që qeveria donte, por shtoi se ka dhe shumë vende të zhvilluara si Gjermani që janë ulur në renditje.

Ndër të tjera ajo tha se është bërë një analizë e faktorëve që kanë ndikuar dhe do të merren masa, ndërsa shtoi se  nxënësit shqiptarë dolën të parët në treguesin e qëndrueshmërisë që lidhet me aftësinë për të përballur stresin , frikën nga dështimi, autonominë në të dështuar dhe besimin në vetvete

“Çështja e arsimit kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve. Ne nuk fshihemi pas gishtit nuk pranojmë dot të themi që PISA ishte performancë që ka ecur në hapin që ne do të donim, por kemi bërë një analizë si një vlerësim që në kontekstin ndërkombëtar është lexuar nga ekspertët më të mirë. Për të dhënë një kontekst, ka vende shumë të zhvilluara si Gjermania që në 2022 u ul me 25 pikë. Performanca jonë ishte në ulje, por u ndikua nga disa faktorë, kemi bërë analizë për të marrë masa. Ka pasur faktorë që kanë ndikuar, si pandemia, tërmeti.

“Izolimi, mbyllja e shkollave, ishin sfidë në kohën e pandemisë, pavarësisht përpjekjeve për realizimin e mësimit online, por të mos harrojmë se ishte dhe tërmeti i nëntorit që ndërpreu procesin mësimor në shkollat që u prekën. U bë mësimi me dy turne,  u futëm në proces intensiv të rindërtimit, kemi mundësinë që shkollat e dëmtuara t’i ktheheshin mësimit. Nëse i kthehemi një indikatori. 50% e nxënësve që morën pjesë ishin nga qarqet që u prekën nga tërmeti.

Një tjetër shkak i cili është vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtar, ka rezultuar si faktor paralizues, edhe mungesa e angazhimit të nxënësve.

Këto ishin disa faktorët e analizuar dhe nga eskpertët dhe ajo që dua ta përmend është se vlerësimi nuk ka të bëjë vetëm me njohuritë në lëndë mësimore, por dua të përmend faktin që nxënësit shqiptarë dolën të parët në treguesin e qëndrueshmërisë që lidhet me aftësinë për të përballur stresin , frikën nga dështimi, autonominë në të dështuar dhe besimin në vetvete”, tha Manastirliu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura