INSTAT te Berisha, PS: I pabesueshëm

Jan 31, 2012 | 15:18
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë

Debatet në Komisionin e Ekonomisë, maxhoranca: Nuk preket integriteti dhe besueshmëria e shifrave

Opozita: Vendimin do ta shfuqizojmë sapo të vijmë ne në pushtet

Opozita ka kundërshtuar me forcë miratimin në Komisionin e Ekonomisë të projektligjit që san-ksionon kalimin e INSTAT në vartësinë e Kryeministrit. Për opozitën, kjo do të thotë humbje “de facto” e pavarësisë dhe kredibilitetit të shifrave që prodhon ky institucion. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, në fjalën e saj theksoi se me këtë ndryshim legjitimohet plotësisht fakti që INSTAT nuk është më një institucion i pavarur. “Shifrat e rëndësishme me të cilat INSTAT duhet të merret dhe të cilat INSTAT duhet të nxjerrë, janë shifra që së pari dalin nga goja e Kryeministrit në mbledhjen e radhës së qeverisë. INSTAT, i cili nuk del as të nesërmen për të konfirmuar këtë, del pas tre muajsh, sepse ka vështirësi të përafrojë shifrën që nxjerr Kryeministri apo Ministri i Financave me shifrën reale të asaj çfarë ndodh me ekonominë shqiptare”, tha Kodheli. Ajo shprehu qëndrimin kundër të opozitës për kalimin e INSTAT në vartësi të Kryeministrit, duke theksuar se me të ardhur e majta në pushtet kalimi i INSTAT në vartësi të Parlamentit do të jetë një ndër gjërat e para që do të bëhet. “Në shumicën e rasteve, këto janë institucione që varen drejtpërdrejt nga Parlamentet dhe unë ju siguroj që në momentin më të parë që ne do vijmë në qeverisje, do ta kalojmë këtë institucion, totalisht të varur politikisht, në vartësi të Parlamentit. Kjo mund të jetë e vlefshme edhe për shumë institucione të tjera, që janë në vartësi të Kryeministrit, gjë që tregon për një përqendrim të pushtetit në duart e një njeriu të vetëm”, tha ajo.
Maxhoranca
Për maxhorancën, kalimi i INSTAT në vartësi të Kryeministrit nuk është asgjë që nuk është sanksionuar më herët në ligje. Deputeti i PD-së, Selami Xhepa, u shpreh se ligji përcakton se drejtori i Institutit të Statistikave emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, çka në një farë mënyre është nën vartësinë e ekzekutivit. Xhepa, nga ana tjetër, theksoi se ky ligj nuk cenon aspak integritetin e institucionit dhe as kredibilitetin e shifrave, pasi metodologjia që përdor INSTAT është pjesë e eksperiencës së trashëguar nga ekspertë të FMN-së. Edhe deputeti Sherefedin Shehu ka theksuar se INSTAT është vlerësuar nga BE dhe FMN me nota pozitive dhe se shifrat që dalin nga ky institucion certifikohen dhe përdoren në publikimet e institucioneve ndërkombëtare. “Të gjithë e dimë që as Fondi Monetar Ndërkombëtar, as BE nuk janë ankuar ndonjëherë për statistikat shqiptare. Përkundrazi, në të gjitha raportet ka vetëm vlerësime pozitive, kështu që unë e shikoj pavarësinë e Institutit të Statistikave në sistemet, metodikat, në burimin e të dhënave dhe kapacitetet që ka ky institucion”, tha deputeti Sherefedin Shehu.  Në fund, projektligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës, ndërkohë që opozita votoi kundër.

Debatet në Komisionin e Ekonomisë
Ervin Koçi:
Çfarë të mire do të sjellë nëse e merr Kryeministri këtë institucion? Kemi parë që institucionet që kalojnë në vartësi të Kryeministrit, më vonë ndryshojnë dhe drejtimin e tyre kushtetues.
Kodheli: Ju sot me këtë ndryshim po sanksiononi “de jure” një gjë që ndodh “de facto”, vartësinë totale që ka institucioni i INSTAT ndaj Kryeministrit. INSTAT ka vërtetuar në më shumë se një herë, që nuk është prej kohësh një institucion i pavarur. Që shifrat e rëndësishme me të cilat INSTAT duhet të merret, së pari dalin nga goja e Kryeministrit në mbledhjen e radhës së qeverisë. Më pas, INSTAT nuk del as të nesërmen për të konfirmuar, por del pas tre muajsh, sepse ka vështirësi të përafrojë shifrën që nxjerr Kryeministri apo ministri i Financave me shifrën reale të asaj çfarë ndodh me ekonominë shqiptare sot. Në shumicën e rasteve, këto janë institucione që varen drejtpërdrejt nga parlamentet dhe unë ju siguroj që në momentin më të parë që ne do vijmë në qeverisje, do ta kalojmë këtë institucion, totalisht të varur politikisht, në vartësi të Parlamentit.
Ilir Bejtja: Të paktën nga pikëpamja etike, deri më sot tregohej kolegjialiteti në marrjen e vendimeve dhe një tendencë, le të themi të paktën në dukje, transparence e të dhënave që INSTAT nxjerr. Në këtë aspekt, unë ju bëj një thirrje që të mos e kthejmë çdo gjë në vartësi të mbretit. Nuk është normale. Po përflitemi ditë për ditë që INSTAT-i ka probleme me nxjerrjen e të dhënave, ka probleme me funksionimin e tij. Jo, faktet janë këto, që ju gjithmonë keni probleme me të dhënat e deklaruara nga INSTAT dhe të dhënat e deklaruara nga institucionet e tjera, të cilat kanë disa burime nga i marrin. Asnjëherë nuk na ka rezultuar që të ketë përputhshmëri midis të dhënave që nxjerr INSTAT dhe të dhënave që kanë institucionet zyrtare ndërkombëtare. Bëni mirë ta riktheni këtë projektligj dhe ta shohin ata specialistët, pasi ky ligj në këtë formë tregon për autarki.
Selami Xhepa: Unë e kuptoj shqetësimin publik për të garantuar integritetin e statistikave, kredibilitetin e tyre dhe është një çështje thelbësore, sepse statistikat janë baza që ushqen politikëbërjen në vend dhe sigurisht, statistikat më të besueshme bëjnë që politikat të jenë më kredibël. Ndoshta sot Shqipëria është në një proces të integrimit europian, është në një proces i cili është i detyruar që të certifikojë dhe vërtetësinë e statistikave të saj. Ndoshta mekanizma të tjerë të auditimit të statistikave mund të vihen në funksion si pjesë e kësaj pakete të përafrimit. Sidoqoftë, ky është një revizionim thelbësor ndoshta që mund të mendohet në një të ardhme të dytë, por ndryshimi që ne kemi për të diskutuar sot, nuk mendoj që përbën ndonjë ndryshim thelbësor. Sa i përket rolit apo veprimtarisë së INSTAT, mendoj që nuk mund të themi në mënyrë të paragjykuar, sepse INSTAT nuk ka qenë një institucion që ka vepruar në vakum. Ju e dini shumë mirë që pranë INSTAT kanë punuar specialistë dhe ekspertë të FMN-së, të cilët në fakt kanë hedhur bazat metodologjike të këtij institucioni.
Sherefedin Shehu: Besoj që të gjithë e dimë që as Fondi Monetar Ndërkombëtar, as BE nuk janë ankuar ndonjëherë për statistikat shqiptare, përkundrazi në gjithë raportet ka vetëm vlerësime pozitive. Unë e shikoj pavarësinë e Institutit të Statistikave në sistemet, metodikat, burimin e të dhënave dhe kapacitetet që ka ky institucion. Sistemet dhe metodikat e INSTAT, por dhe treguesit  që prodhon ky institut, certifikohen ose përllogariten edhe nga institucionet e tjera brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare që mund të konsiderohen dhe si burim i parë. Të gjithë e kemi parë që treguesit kryesorë, siç është rritja ekonomike, inflacioni dhe tregues të tjerë të zhvillimeve sektoriale prodhohen dhe publikohen edhe në analizat që bën FMN. Duke e parë në këtë këndvështrim, unë mendoj që të mos sulmojmë këtë institucion, por të punojmë për të rritur kredibilitetin e tij.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura