Incidenti në Ambasade: “Më dhunuan familjen, doja takim me Arvizunë”

Nov 29, 2011 | 12:32
SHPËRNDAJE

Familja nga Mirdita dje ne polici

Flet Zef Kola, personi që tentoi të hynte në Ambasadën Amerikane në 02:30 të mëngjesit: I çova SMS Berishës, por nuk m’u përgjigj.

Flet kryefamiljari nga Mirdita, që tentoi të hynte në Ambasadën e SHBA në Tiranë.

Zef Kola, nga fshati Konaj i Mirditës, bashkë me gruan dhe dy vajzat, tentoi dje në orën 03:00 të mëngjesit të hynte në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Pasi u kontaktua nga personeli i sigurisë, qetësisht, larg veprimeve të dyshimta e të dhunshme, ai takonte ambasadorin amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu. Prej tij nuk kërkonte azil, strehim, apo ushqim. Kryefamiljari nga Mirdita kërkonte që diplomati amerikan t’i krijonte mundësinë për të takuar Kryeministrin Sali Berisha, që e shihte si mbështetjen e vetme për t’i zgjidhur problemin. “Kam 11 vite që duroj dhunën, fyerjet, kërcënimet dhe shkatërrimin e pronës sime, nga një njeri që quhet Ded Toci dhe shteti deri tani nuk më ka dhënë asnjë zgjidhje”, u shpreh dje për gazetën “Panorama” Zef Kola, pasi doli nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bashkë me familjen. Sipas tij, tentativa për të hyrë në ambasadë nuk ishte me forcë, por për të lënë një takim me ambasadorin, që t’i mundësonte takim me Kryeministrin Berisha. “Më është premtuar një vizitë me këshilltarin e Kryeministrit Berisha në ditët në vazhdim, për të diskutuar problemin që kam. Shpresoj që shteti t’i japë drejtim hallit tim”, u shpreh Kola. Ndërsa më pas, gjatë intervistës, tregon se si ka nisur historia e konfliktit që ka zgjatur 11 vjet, dhunën që është ushtruar jo vetëm ndaj tij, por edhe gruas e dy vajzave. Madje, edhe kërcënimet me armë zjarri.
Cili ishte qëllimi juaj që në orët e para të mëngjesit kërkuat me ngul të takonit ambasadorin Amerikan?
Fakti që unë kam marrë makinë në dispozicion nga Mirdita në një orë të vonë të natës dhe kam mbërritur në Tiranë rreth orës 02:30-03:00 të mëngjesit, duke u drejtuar tek Ambasada Amerikane, e shpjegon shumë mirë se unë dhe familja ime kishim një hall të madh. Një hall që nuk po na zgjidhej prej vitesh dhe që nuk po gjenim dot qetësi për një konflikt pronësie 11-vjeçar, që në fakt është më shumë konflikt personal që një person, me emrin Ded Tuci, kërkon të hakmerret ndaj meje, duke dhunuar familjen time dhe duke më shkatërruar pronën. Kam ardhur natën në Tiranë, bashkë me gruan dhe dy vajzat, të cilat kanë qenë edhe të plagosura, me plagë në kokë e trup, sepse i kishin rrahur gjatë kohës që unë nuk isha në shtëpi. Kam shkuar tek Ambasada Amerikane për të biseduar me dikë që të lija një takim me ambasadorin Arvizu, në mënyrë që të më krijonte mundësinë të bisedoja me Kryeministrin Sali Berisha. Nuk po kërkoja strehim, as ushqim, por thjeshtë të më jepej një zgjidhje nga ana e shtetit, që të mos kaloja në vetëgjyqësi, se ata njerëz që arrijnë të kërcënojnë dhe të më rrahin vajzat e gruan, nuk dinë të ndalen asnjëherë.
Edhe Kryeministrin keni tentuar ta takoni?
Kryeministrin nuk kam tentuar ta takoj, por kam dashur të bisedoj me të dhe i kam dërguar një mesazh, në numrin që ai ka lënë në dispozicion për ankesat e qytetarëve. Mesazhin ia kam nisur rreth orës 12 të natës dhe deri në 12 e gjysmë, më pas kam nisur edhe disa të tjerë, ku kam kërkuar për ta takuar. Por kur nuk mora përgjigje nga Kryeministri, atëherë mendova më shumë të shkoj të dorëzohem në ambasadë, jo për të kërkuar azil, por vetëm për të gjetur një rrugë ku të mbështetesha. Sot, kur po më merrnin deklarimet në polici, më thanë që Kryeministri e ka marrë mesazhin tim dhe në ditët në vazhdim do më mundësojë një takim me një prej këshilltarëve të tij, për të diskutuar dhe për t’i dhënë një zgjidhje problemit tim.
Çfarë konflikti keni në fshatin tuaj me familjen që përmendët më lart?
Konflikti ka nisur që në vitin 2000, kur unë kam dashur të bëj një denoncim në shtet për një korrupsion që luhej në Mirditë, në komunën e Fanit, ku unë banoj, kundër Ded Tucit. Por ai më ka kërcënuar, më ka vënë armën në kokë në mënyrë që të tërheq denoncimin. Kështu kanë ikur 11 vjet e deri tani që është viti 2011, konflikti vazhdon. Ded Tuci bashkëpunon me vëllezërit Loshi, me të cilët më ka dëmtuar arën, pemët, tubacionin e ujit. Kam kërkuar të sqarohem, por nuk më ka dhënë asnjë lloj sqarimi, përkundrazi, ka vazhduar të më kërcënojë duke më thënë se do më vriste. Më 3 tetor të këtij viti, në orën 22:00 të natës, ai më ka prerë pemët e tubat e ujit dhe më ka kërcënuar duke më thënë: “Unë të vras dhe të fus në kazan”. E denoncova në shtet, por policia nuk mori asnjë masë ndaj tij.
Ju thatë që ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes suaj dhe dy vajzave. Ku ishit kur ndodhi ngjarja?
Ndodhesha në Mal të Zi, ku punoj prej 11 vjetësh në Bashkinë e Ulqinin, krasis bimët dhe pemët e qytetit. Të shtunën në darkë, Ded Toci, Ardian Loshi, bashkë me vëllanë e tij, kanë shkuar në shtëpinë time duke gjuajtur me gurë dhe kanë sharë. Pas orës 21:00 kanë ikur, janë larguar një orë dhe kanë shkuar sërish nga ora 23:00, duke gjuajtur në shtëpi time. Në orën 10:00 të ditës së diel me kanë rrahur gruan dhe 2 vajzat e mia. Më kanë marrë në telefon vajzat dhe më kanë thënë: “Babë, na ka rrahur Ded Toci”. Jam nisur menjëherë pas telefonatës drejt Shqipërisë dhe menjëherë sa kam arritur në shtëpi, mora makinë në dispozicion që erdha në Tiranë dhe u drejtova tek Ambasada Amerikane. Të njëjtët persona që më tha vajza, më kanë rrahur edhe mua dhe kanë qëlluar me pistoletë në ajër për të më trembur. E kam denoncuar si ngjarje në polici, por nuk u mor asnjë masë ndaj tyre. I kam çuar edhe ndërmjetës Ded Tocit, por nuk më ka dhënë asnjë zgjidhje.
Keni ndonjë mesazh për t’ia drejtuar Kryeministrit apo edhe ambasadorit amerikan që kërkonit t’i takonit?
Unë kërkoj vetëm të merret një masë që të më jepet një zgjidhje, se po vuaj përditë nga dhuna në familje. Një burrë që kapet e rreh gra e vajza, ai nuk është më burrë. Kërkoj drejtësi, pasi nuk po e gjej. Unë kam frikë se Ardian Loshi dhe Dritan Loshi do më dalin sërish me armë. Nëse policia nuk më ndihmon dhe nuk i jep drejtim kësaj çështje, mua s’më mbetet gjë tjetër atëherë, vetëm t’i bie murit me kokë ose të bëj vetëgjyqësi. Dy duar për një kokë janë. Por deri tani kam shpresuar te shteti dhe nuk kam dashur t’i zgjidh punët në këtë formë, me vetëgjyqësi.
Si është gjendja shëndetësore e gruas dhe vajzave tuaja?
Kanë plagë në kokë e në trup. Por përveç plagëve fizike, ato, edhe unë bashkë me to, jemi të lodhur psikologjikisht. Pasi na shoqëroi policia, kur ndodheshim tek Ambasada Amerikane, gruan e çuan edhe në spital që të mjekohej, pasi gjendja e saj shëndetësore nuk ishte e mirë. Tani do të largohem, do kthehem sërish në shtëpinë time në fshatin Konaj, duke pritur që drejtësia të veprojë. Të merren masat e duhura për ata njerëz që po na dhunojnë prej 11 vitesh dhe të jetojmë si të gjithë njerëzit.

Incidentet tek Ambasada Amerikane në Tiranë
Policia: Incidenti i djeshëm, nuk ishte një alarm i kuq

TIRANE – Në vazhdimësi, Ambasada Amerikane në Tiranë ka qenë objekt i zgjedhur nga persona të ndryshëm që kanë dashur të sensibilizojnë opinionin publik në lidhje me problemet e tyre. Më 22 gusht 2010, një person tentoi të vetëdigjej para godinës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë. Atë ditë, rreth orës 11:00, i riu i identifikuar me inicialet Bledar A., 26 vjeç, nga Fieri, kërcënoi se do t’i vinte flakën vetes. Ai mbante në dorë një shishe me benzinë dhe një çakmak në rrugën kryesore pranë ambasadës. Autori i ngjarjes u mor ne pyetje nga inspektorët e Antiterrorit, ndërkohë që policia është shprehur me rezerva për kërkesat e të riut në lidhje me Ambasadën Amerikane. Disa ditë më vonë, i riu u la i lirë, ndërsa dëshmitarët thanë se atij i ishte refuzuar viza për në SHBA. Edhe në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2010 pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë ka pasur incidente të ndryshme, pa pasoja, me protagonistë shtetas shqiptarë. Në dy raste, në sallën operative të Policisë së Tiranës janë bërë telefonata për vendosje sasish të lëndëve shpërthyese, por që nga kontrollet e policisë alarmet kanë rezultuar të rreme. Situata e pazakontë e ditës së djeshme në mëngjes, megjithatë ka qenë një alarm për personelin e sigurisë së godinës diplomatike. Katër anëtarë të familjes nga fshati Konaj i Mirditës, në orën 03:00 të mëngjesit, kërkonin me ngulm të futeshin në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Kanë qenë punonjësit e sigurisë së ambasadës ata që i kanë bërë të ditur Zef Kolës se kërkesa e tij në atë kohë ishte e pamundur. “Nuk ishte një alarm i kuq”, kanë thënë zyrtarët e Policisë ditën e djeshme.

Ndalimi
Kryefamiljari Zef Kola po debatonte dje me punonjësit e sigurisë së ambasadës, të cilët nuk po i lejonin katër personat nga Mirdita që të futeshin brenda. Në këtë kohë, një patrullë policie e Komisariatit Nr.1 është afruar në vendin e ngjarjes. Policia ka shoqëruar në Komisariat të katër anëtarët e familjes dhe më pas ka shoqëruar në spital për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore Bardhe Kolës, e cila kishte plagë në kokë e në trup prej disa ditësh.

Deshmia
Gjatë deklarimeve në polici, Zef Kola është shprehur se nuk po tentonte të hynte me forcë në ambasadë dhe nuk donte të shkaktonte ndonjë incident. Problemet ai ka thënë se i kishte në fshatin e tij me një person, që ia kishte bërë jetesën të vështirë dhe gati të pamundur. Këto probleme e kanë shtyrë atë që të kryente atë veprim tek Ambasada Amerikane. Ai kërkonte të fliste me dikë në selinë diplomatike për t’i mundësuar një takim me ambasadorin Alexander Arvizu. Pasi kanë dhënë deklarimet paraprake në Komisariatin Nr.1, katër pjesëtarët e familjes janë marrë në pyetje edhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nga oficerët e Antiterrorit. Pasi janë siguruar që të shoqëruarit nuk kishin asnjë synim për të cenuar sigurinë e ambasadës, policët i lanë ata të lirë.

Tiranë: Hetim Policisë për mosreagim në kohë
Drejtoria e Përgji-thshme e Policisë së Shtetit do të inspektojë çështjen e Zef Kolës për të verifikuar nëse ankesat për dhunë e konflikte pronësie në Mirditë janë marrë në konsideratë. Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se veprimet e katër anëtarëve të familjes Kola nga Mirdita tek Ambasada Amerikane kanë ardhur për shkak se policia nuk ka vepruar pas ankesave të paraqitura në lidhje me mosmarrëveshjen e pronësisë. Për këtë shkak, puna e policisë lokale do të verifikohet për të parë nëse pas ankesave të Zef Kolës janë kryer hetime apo verifikime në lidhje me vërtetësinë e kallëzimeve të tij për dhunë fizike.

Kapet dhunuesi i familjes Kola

Denoncimi në Tiranë, arrestohet Ded Tuçi në Mirditë

Zef Kola duke folur për gazetën

Denoncimi i Zef Kolës, personit që tentoi të futej në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë ditën e djeshme, shkakton arrestimet e para. Burime nga Policia e Mirditës kanë thënë dje se kanë vënë në pranga shtetasin Ded Tuçi, personi i akuzuar nga Zef Kola për kërcënime e dhunë ndaj familjes së tij. Arrestimi i Ded Tuçit sipas Policisë është bërë pas denoncimit që ka kryer Zef Kola. Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku ka thënë se Zef Kola ka pretenduar se kushëriri i tij, Ded Tuçi, nga fshati Konaj i Mirditës i kishte rrahur bashkëshorten, së bashku me dy vajzat. Zef Kola në padinë e tij në polici e ka akuzuar Ded Tuçin se me aktet e vazhdueshme të dhunës u shkaktuar fraktura në trup e kokë gruas dhe vajzave të pambrojtura. Ngjarja ka ndodhur pas një përplasjeje që shtetasi Zef Kola ka pasur në fshatin Konaj me shtetasin Ded Tuçi. Shkak sipas Policisë ka qenë një zorrë uji, ku të dy familjet pretendojnë se ishte në tokën e tyre, ndërkohë që burimi i ujit vinte nga një tokë pa pronarë, pasi nga dokumentacioni toka në fjalë rezulton të jetë pyll.
Konflikti

Vajzat dhe gruaja e Zef Kolës, dje në Tiranë

Pas denoncimit për dhunë ndaj gruas së Zef Kolës dhe vajzave të tij policia është nisur menjëherë në fshatin Konaj të Mirditës, duke bërë edhe arrestimin e menjëhershëm të Ded Tuçit. Ai është marrë në dhomat e paraburgimit, pasi policia ka dokumentuar denoncimin e Zef Kolës. Zyrtarët e Policisë lokale deklaruan dje se përveç dëshmisë së Zef Kolës në dosjen penale ndaj Ded Tuçit janë vendosur edhe raportet mjekësore që janë paraqitur për dëmtimet fizike që kanë marrë bashkëshortja e denoncuesit dhe dy vajzat e tij. “Ne kemi vlerësuar menjëherë situatën, pasi nëse do kishte ndodhur e kundërta, nuk do ishte bërë e mundur edhe arrestimi i agresorit të familjes Kola”, kanë thënë burimet nga policia lokale. Ato thonë se kanë qenë në dijeni të reagimit të Zef Kolës tek Ambasada Amerikane, pasi ai ishte shprehur se kishte ardhur nga Mali i Zi dhe kishte gjetur familjen e dhunuar. Dëshmitarët kanë treguar se konflikti mes dy familjeve kishte më shumë se tri vite që kishte nisur. Ded Tuçi ishte larguar nga fshati Konaj i Mirditës, së bashku me familjen e tij, ndërkohë që para pak ditësh ishte rikthyer te shtëpia e vjetër, ku kishte nisur edhe mosmarrëveshjet me familjen Kola. Ditën e sotme, pritet që Gjykata e Lezhës të shprehet mbi masën e arrestit të Ded Tuçit. Sipas burimeve të Policisë, mësohet se Zef Kola nuk kishte bërë me dije policinë lokale në Mirditë dhe Lezhë për planet e tij të protestës pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Zyrtarët e rendit në Lezhë pretendojnë madje se Zef Kola nuk ka pasur arsye të udhëtonte deri në Tiranë, pasi reagimi i policisë pas ankesës së tij ka qenë i menjëhershëm.

“Më premtuan takim me këshilltarin e Berishës”
TIRANE – Stafi i Kryeministrit Sali Berisha mësohet se ka marrë kontakte dje për verifikimin e problemit të denoncuar nga Zef Kola, pas incidentit të ndodhur tek Ambasada Amerikane në Tiranë, ku ai tentoi të hynte bashkë me gruan dhe dy vajzat. Lajmi është bërë i ditur nga vetë qytetari pas denoncimit të bërë në Policinë e Tiranës, në Komisariatin Nr.1. Zef Kola ka thënë se në polici është pyetur për problemin e tij dhe pasi ka dhënë shpjegime në lidhje me këtë çështje është njoftuar se një këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha është ngarkuar ta ndjekë problemin deri në zgjidhjen e tij. Ndërkohë, mësohet se Policia e Tiranës, pasi ka marrë denoncimin e shtetasit Zef Kola, i ka përcjellë dosjen penale Policisë së Mirditës për të vazhduar procedurat e hetimit. Qytetari nga Mirdita ka pohuar ditën e djeshme se gjatë qëndrimit në polici i është premtuar se në ditët në vazhdim do të pritet në një takim nga një këshilltar i kreut të qeverisë, Sali Berisha. Në këtë takim, Zef Kolës do t’i mundësohet të japë pretendimet e tij në lidhje me konfliktin e pronësisë dhe pretendimet për dhunë ndaj familjes së tij gjatë kohës që ai punonte në Mal të Zi.

Raportet mjekoligjore
Njëra nga dy vajzat e Zef Kolës, së bashku me nënën, është dërguar dje në ambientet e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Policia ka urdhëruar dërgimin e tyre për ekzaminime në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim që të përcaktohet natyra e dëmtimeve fizike që ato kanë marrë. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, mësohet se nga verifikimet e para ekspertët kanë arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një plagosje, por shkalla e saj do të verifikohet në vazhdim.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura